Në Prizren ka nisur edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë, Dokufest.
Tema e edicionit të sivjetmë është inteligjenca artificiale, temë që premton biseda dhe diskutime interesante në panele të shumta.
Inteligjenca artificiale u përfshi edhe në ceremoninë hapëse. Zëri kompjuterik prezantoi festivalin, e madje edhe shpalli të hapur atë, duke njoftuar të pranishmit për shfaqjen e filmit hapës "2001: A Space Odyssey”.
Ky film është i vitit 1968 i regjisorit të famshëm amerikan, Stanley Kubrick. Filmi konsiderohet si kryevepra e këtij regjisori dhe shfaq një histori epike për evolucionin e njerëzimit dhe ndoshta është filmi më “i vërtetë” fantashkencë i të gjitha kohërave.
Dokufest do të zgjasë deri më 12 gusht. Në këtë edicion rreth 230 filma do të shfaqen në tetë kinema, gjysma e të cilave janë në ambient të hapur. Nga këta filma, 104 prej tyre garojnë në tetë kategori.
Këtë vit, festivali tërhoqi një numër të madh filmash, mbi 3.500, që aplikuan nga 111 shtete.
Në këtë edicion janë përfshirë edhe filma cilësor nga Kroacia, Serbia dhe Shqipëria. Po ashtu, ka filma edhe nga Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
“Mendoj se ky është, të mos them më i miri, por ndër vitet më të mira sa i përket filmave të realizuar në Kosovë apo nga kineastët kosovarë që jetojnë jashtë vendit. Në mesin e tyre janë edhe dy autorë të rinj që jetojnë në Zvicër”, tha për Radion Evropa e Lirë, Veton Nukollari, drejtor artistik i Dokufest-it.
Personazhe të njohur nga bota e filmit do të jenë në mesin e panelistëve. Një nga ta është edhe regjisori zviceran, Jan Baumgarten, që njihet për filmin e tij për Bosnje e Hercegovinën.
Këtë vit, krijimet filmike nga Kanadaja do të dominojnë repertorin e festivalit.
Banorët e Prizrenit e kanë pritur me padurim nisjen e Dokufest-it, pavarësisht se kohët e fundit në këtë qytet janë mbajtur një sërë manifestimesh kulturore. Megjithatë, tani e gjithë vëmendje është te Dokufest-i.
Hotelet janë pothuajse plot dhe e njëjta vlen edhe për bujtinat, ndërkohë që edhe një numër i madh i qytetarëve hapin dyert e shtëpive të tyre për të pritur mysafirë nga jashtë.
Këtë vit pritet që në Dokufest të marrin pjesë rreth 500 të ftuar.
Sipas të dhënave të institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, për dhjetë ditët e ardhme do të ketë një qarkullim prej rreth 5 milionë eurosh.