Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosova ka të drejtë “të pamohueshme” që të zbatojë Kushtetutën e saj, teksa kërkoi që të mbahet një balancë pas sulmit të shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës.
“Përderisa të gjithë pajtohemi se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, koordinohet dhe të punojë ngushtë me aleatët e saj kyçë, le të mos harrojmë po ashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të mbahet përqendrimi dhe një balancë”, shkroi Rama në X, që më herët njihej si Twitter.
Reagimi i Ramës bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara, shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, po i kërkojnë Kosovës që të shtyjë zbatimin e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës.
Rregullorja, që nisi së zbatuari më 1 shkurt, parasheh përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesat me para të gatshme, gjë që ka rritur shqetësimin e serbëve lokalë, por edhe të faktorëve ndërkombëtarë, se ky vendim do të ndikojë negativisht te popullata serbe në Kosovë, që përdor dinarin serb.
Qeveria e Kosovës ka thënë se rregullorja për operacione me para të gatshme është në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe se ajo do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, më 5 shkurt përsëriti kërkesën amerikane që zbatimi i rregullores së Kosovës të shtyhet. Ai tha se Uashingtoni ka “shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
Kur u pyet nëse Qeveria amerikane mund të ndërmarrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kërkesës për shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së, Hovenier tha se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Më herët, edhe Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosshtyrjen e zbatimit të rregullores.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.
Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.