Ndërlidhjet

Dyshime se donatorët e BDI-së fituan tender nga shteti


Një nga tubimet e Bashkimit Demokratik për Integrim - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një nga tubimet e Bashkimit Demokratik për Integrim - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, po heton keqpërdorimet e mundshme gjatë ndarjes së një tenderi prej 1.8 milion eurosh për adaptimin e sallës sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, për një konferencë të këshillit të ministrave të OSBE-së.

Sipas sistemit elektronik për furnizime publike, tenderi është shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa është fituar nga kompania “Eurovia” nga Tetova.

Duke marrë parasysh se ky operator ekonomik është edhe donator i partisë politike, në mënyrë shtesë rrit gjasat për korrupsion gjatë ndarjes së tenderi".
Biljana Jovanovska

Ministër i Punëve të Jashtme është Bujar Osmani, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ndërsa kompania “Eurovia” është në pronësi të Elmedin Ademit, njërit prej donatorëve kryesorë të BDI-së në ciklet e fundit zgjedhore dhe familjar i një ish-zyrtari të lartë të kësaj partie, Abdilaqim Ademi.

Sipas një raporti të kësaj partie, kompania “Eurovia” dhe njerëzit e lidhur me këtë, në vitin 2022 për BDI-në kanë dhënë rreth 105.000 euro.

Pikërisht lidhjet ndërmjet kësaj kompanie dhe BDI-së sa i përket këtij tenderi, janë objekt i hapjes së lëndës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Duke marrë parasysh se ky operator ekonomik është edhe donator i partisë politike, në mënyrë shtesë rrit gjasat për korrupsion gjatë ndarjes së tenderit. Ne, në të gjitha ciklet zgjedhore vëzhgojmë kompanitë që paraqiten si donatore të partive dhe të cilat më pas fitojnë tenderë. Këtë po e bëjmë edhe me këtë rast”, ka deklaruar kryetarja e komisionit antikorrupsion, Biljana Jovanovska.

“Në vendimin për caktimin e kompanisë fituese thuhet se oferta e saj ishte më e ulët, por çështja tjetër është se çfarë cilësie ofrohet? A do të ketë anekse të reja të marrëveshjes. Pra, duhet të shihet se si do të zhvillohet i gjithë procesi deri në përfundimin e furnizimeve publike apo përfundimit të punimeve”, ka sqaruar Jovanovska.

Të mbash mbiemrin Ademi dhe të përmendësh një lidhje të ngushtë me një ish-funksionar të BDI-së, që ka ndërruar jetë, është jo etike".
BDI

Nga kompania, përmes një reagimi me shkrim, kanë thënë se në rastin e fitimit të këtij tenderi nuk ka keqpërdorime dhe se “marrëveshja nuk nënkupton shpenzimin e të gjitha mjeteve, por aq sa do të jenë të nevojshme për realizimin e punimeve”.

“Autoriteti kontraktues nuk është i detyruar të përmbushë shumën nga paragrafi 1 i nenit 2 të kontratës, që do të thotë se për tenderin do të shpenzohet vlera prej 1.5 milion eurosh, (1.8 milion përfshirë TVSH-në), sipas sasive të konsumuara të punës së kryer”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Të mbash mbiemrin Ademi dhe të përmendësh një lidhje të ngushtë me një ish-funksionar të BDI-së, që ka ndërruar jetë, është jo etike”, thuhet më tej në reagim.

Por, kompania dhe drejtuesi i saj, Elmedin Ademi, nuk i komenton marrëdhëniet e tij me BDI-në, si dhe pretendimet se ai personalisht dhe kompania e tij paraqiten si donatorë të kësaj partie, për të cilën Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar hapjen e procedurës hetimore.

Tenderi që ka fituar kjo kompani ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa partia opozitare, VMRO-DPMNE, kërkon masa nga organet e ndjekjes penale edhe pse dyshon nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

“Edhe për këtë aferë epilogu do të jetë i njëjtë sikurse edhe për aferat tjera të kësaj partie. Nuk do të ketë epilog. Nuk do të ketë hetime nga prokuroria republikane pasi këtë e mundëson pushteti i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe BDI-së. Këta jo vetëm që ndërmarrin masa, por edhe dalin në mbrojtje të krimit”, ka thënë zëdhënësja e VMRO DPMNE-së, Marija Miteva.

Ju mund të më akuzoni për gjithçka, por nuk mund të më akuzoni për korrupsion".
Bujar Osmani

Por, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës ndërsa njoftoi se gjithë dokumentacionin përkatës e ka dorëzuar në Komisionin Antikorrupsion, Prokurorinë Publike dhe organet tjera shtetërore. Osmani ka thënë se “është vështirë për të besuar”, por nga mediat ka kuptuar se kjo kompani është donatore e BDI-së.

“E di që është e vështirë të besohet, por nga mediat mora vesh që kompania është donatore e BDI-së. Nuk ka konflikt interesi, e vetmja gjë që përmendet është se pronari ka qenë i afërm i një ish-ministri që ka gjashtë vite që ka ndërruar jetë. E kuptoj reagimin dhe qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë, por ju siguroj se gjithçka është e ligjshme. Ju mund të më akuzoni për gjithçka, por nuk mund të më akuzoni për korrupsion. U bëj thirrje institucioneve që të hetojnë gjithçka”, ka deklaruar Osmani.

Lidhur me dyshimet për korrupsion gjatë përzgjedhjes së kompanisë fituese, Prokuroria Publike ende nuk ka dalë me njoftim nëse ka nisur ose jo procedura hetimore.

Ky rast ka ndodhur në kohën kur organet e ndjekjes po përballen me kritika për mosveprim lidhur me dyshimet për përfshirje në aferat tjera korruptive të zyrtarëve të BDI-së dhe familjarëve të tyre.

Në fillim të muajit korrik, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kërkoi nga organet e ndjekjes hapjen e lëndës për njerëz të afërt me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Bëhet fjalë për djalin dhe dy nipat e tij të dyshuar për përfshirje në biznese dhe pasurim të paligjshëm.

Drin Ahmeti, nipi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, është bërë pronari i dytë më i madh me 39 për qind të aksioneve në qendrën e biznesit “Soravia” në qendër të Shkupit, si dhe shlyerjen e një borxhit saj prej 20 milionë eurosh.

Organet e drejtësisë ndërkohë nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim as për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, të cilin SHBA-ja e vendosi në listën e personave që u ndalohet hyrja në këtë shtet, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion, shpërdorim të fondeve dhe ndërhyrje në gjyqësor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG