Ndërlidhjet

Në pritje të epilogut për rastin e terapisë me citostatikë


Një nga protestat e mbajtura në Shkup pas dyshimeve se barnat për trajtimin e kancerit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, janë vjedhur për t'u shitur në tregun e zi.
Një nga protestat e mbajtura në Shkup pas dyshimeve se barnat për trajtimin e kancerit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, janë vjedhur për t'u shitur në tregun e zi.

“Nëse nuk dëshironi që të kryeni një punë, atëherë formoni komision”. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski, duke komentuar vendimin për themelimin e një komisioni anketues parlamentar për hetimin e dyshimeve se janë shitur ilaçet e Klinikës s Onkologjisë në Shkup.

Më 3 shtator, Prokuroria e Maqedonisë së Veriut njoftoi nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet për shitjen e terapive të personave të prekur me kancer.

Hetimet nisën bazuar në shkrimet e javores maqedonase “Fokus” në muajin maj, e cila raportoi për mungesë të terapisë imune të citostatikëve, nga të cilat varet jeta e të sëmurëve me kancer.

Sipas hetimeve, punonjës të klinikës besohet të jenë kapur duke vjedhur terapinë që kap vlerën e rreth 6.000 eurove për person, të cilën më pas e kanë shitur në tregun e zi.

Rasti ka shkaktuar polemika të shumta, por përveç shkarkimit të drejtorit të klinikës, masa tjera akoma nuk janë marrë. Ndërkohë, Prokuroria po i vazhdon hetimet dhe intervistimin e shumë personave, përfshirë edhe ish-ministrat e Shëndetësisë.

Por, paralelisht me këtë, me kërkesë të opozitës maqedonase është formuar edhe një komision anketues parlamentar prej 13 personash, me të cilin udhëheq deputetja e VMRO DPMNE-së, Rashella Mizrahi.
Sipas saj, qëllimi i komisionit është “konstatimi i përgjegjësisë politike” pasi askush nga drejtuesit e institucioneve nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë rast.

“Përgjegjësinë politike që e kërkojmë, është objektive. Dihet se kush mund të bartë përgjegjësinë, drejtuesit e eshalonit të parë apo të dytë, pra liderët politikë. Do të hetohet gjithçka, fondet shëndetësore, ish-ministrat e Shëndetësisë, Agjencia e Ilaçeve e faktorë të tjerë dhe do të kemi një epilog për këtë”, tha Mizrahi.

Por, ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Tito Petkovski, thotë se puna e këtij komisioni do të ketë fatin e shumë komisioneve të ngjashme për raste të tjera, që asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate e madje nuk kanë arritur të dalin as me konkluzione.

“Edhe puna e këtij komisioni për rastin me Onkologjinë që është formuar nga Kuvendi, i ngjan asaj shprehjes, nëse doni që të mos kryeni një punë, atëherë formoni komision. Thelbi i punës së komisionit është përcaktimi i përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike dhe ky Komisioni nuk ka kompetenca të hetojë elemente të veprave penale. Prandaj edhe nuk do të ketë asnjë epilog. Këtu më tepër kemi të bëjmë me përplasje politike dhe asgjë tjetër”, konsideron Petkovski.

“Me këtë rast duhet të merren organet e ndjekjes dhe policia. Këtu kemi elemente të veprës penale dhe nuk ka dilema se ajo çfarë dëgjojmë nga pacientët dhe të afërmit e tyre pa dyshim që ka elemente të ndjekjes penale dhe për këtë duhet ketë vendime gjyqësore”, shton ai.

Drejtoresha e re e Klinikës së Onkologjisë, Violeta Klisarovska, thotë se është në dispozicion të organeve të ndjekjes për të hetuar rastin që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të kthehet besimi në këtë institucion shëndetësor.

“Klinika e Onkologjisë është në shërbim të organeve të ndjekjes, jemi të hapur dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm e kemi vënë në dispozicion të hetimeve. Nuk dua dhe nuk mundem të flas për përgjegjësi pasi ajo i takon Prokurorisë Publike... Pacientët kanë të drejtë të shprehin indinjatën e tyre dhe të kenë humbur besimin, por ne do të bëjmë gjithçka që të kthejmë besimin e humbur. Është një proces i gjatë, por duhet ta bëjmë”, deklaroi Klisarovska, e cila e zëvendëson drejtorin e shkarkuar, Nino Vasev.

Mangësi të shumta në funksionimin e Klinikës së Onkologjisë ka konstatuar edhe Enti Shtetëror për Revizion, të cilat, sipas këtij institucioni shtetëror, ndikojnë drejtpërdrejt në shërbimet e ofruara për pacientët.

Humbjet e klinikës llogariten të jenë rreth 20 milionë euro për shkak të ndarjes së terapive pa plan paraprak.

Sipas të dhënave të shoqatës Hema, në Maqedoninë e Veriut, në bazë vjetore me kancer diagnostikohen rreth 7.000 persona, gjysma prej të cilëve e humbin jetën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG