Ndërlidhjet

Dy skenarët drejt liberalizimit të vizave


Kosova është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Pritjet janë që BE-ja të marrë një vendim para zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian, pasi që në të kundërtën ky proces mund të shtyhet.

Komisioni Evropian, në korrik të këtij viti pati dhënë rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën.

Analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se skenari më pozitiv në çështjen e liberalizimit të vizave do të ishte që të ketë vendimmarrje në institucionet e Bashkimit Evropian brenda vitit 2018 dhe pastaj lëvizja e lirë të bëhej nga mesi i vitit 2019.

Taulant Kryeziu, njohës i integrimeve evropiane
Taulant Kryeziu, njohës i integrimeve evropiane

“Në kuptimin e afateve kohore, seancat e Parlamentit Evropian zhvillohen nga shtatori deri në dhjetor. Po ashtu edhe i Këshillit, takimin e fundit e ka në dhjetor. Kështu që, si skenar pozitiv do të ishte që të kishim vendimmarrje brenda vitit 2018 dhe pastaj lëvizja e lirë të bëhej nga mesi i vitit 2019”, thotë Kryeziu.

Por, gjithsesi çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, shton Kryeziu, do të duhet të përfundojë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që mbahen në maj. Në të kundërtën, sipas tij, skenarët tjerë janë dekurajues.

“Nëse kjo klasë politike vazhdon ta ngufatë sistemin e drejtësisë, atëherë nuk do të ketë perspektivë evropiane për këtë vend dhe skenarët negativ, që të shtyhet procesi i vendimmarrjes pas zgjedhjeve (në Parlamentin Evropian), ata janë skenarë dekurajues që nuk do të doja në asnjë mënyrë që të ndodhnin për hir të këtij lidershipi i cili nuk po arrin ta kuptojë se pa sistem të drejtësisë të pavarur, pa sundim të së drejtës nuk mund të ecet përpara”, thekson Kryeziu.

Sipas Kryeziut, ndërhyrjet politike dhe presionet mbi sistemin e drejtësisë e dëmtojnë jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe gjithë perspektivën evropiane.

“Ne nuk po prodhojmë rezultate pozitive për të bindur Parisin, Berlinin apo Brukselin. Ne çdo ditë japim shembuj dhe dëshmi se si nuk zbatohet ligji, se si nuk kemi institucione kredibile dhe të pavarura, se si sistemi i drejtësisë ndikohet nga politika. Ne duhet të kemi sistem të drejtësisë profesional, kredibil, transparent dhe me njerëz me integritet”, thotë Kryeziu.

Ndërkohë, Komiteti i Bashkimit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) pritet që të mërkurën, më 29 dhe 30 gusht të diskutojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Bruksel, ku ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime me zyrtarët e BE-së në lidhje me përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Hoxha tha pas takimit të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian se pret mbështetje nga Komiteti LIBE për të kaluar çështjen e liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian.

“Nesër (më 29 gusht) është diskutimi, derisa votimi është pasnesër (30 gusht) nuk presim befasi. Kam pasur takime veç e veç me secilën nga anëtarët e Komitetit LIBE në Bruksel të gjithë kanë premtuar votën e tyre nuk është një votë unanime është një votë me shumicë në komitetit LIBE dhe mund të them se ne e kemi pro këtë. Kemi punuar shumë me deputet të cilët vinë edhe nga grupimet e ndryshme politike që pastaj e reflekton situatën edhe në Parlamentin Evropian”, thotë Hoxha.

Në Komitetin LIBE, nënvizoi Hoxha ka pasur edhe deputetë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por që përkrahin procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, diskutimi në Komitetin LIBE paraqet nisjen e fazës finale të përmbylljes eventuale të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e adresuar më pas çështjen në Parlamentin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG