Ndërlidhjet

Dukuria e fajdeve shënon rritje


Ilustrim.
Ilustrim.

Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë, përveç se konsiderohet ilegale dhe vepër penale, nga policia po cilësohet edhe si shumë shqetësuese dhe e rrezikshme.

Të dhënat e fundit të policisë, tregojnë për rritjen e kësaj dukurie.

Përfaqësues të bizneseve thonë se niveli i rritjes së dukurisë së fajdeve vjen si pasojë e qasjes së vështirësuar të bizneseve në financa te bankat komerciale në Kosovë.

Në raportin vjetor të publikuar nga Policia e Kosovës, thuhet se aktivitetet penale që ndërlidhen me fajde kanë shënuar rritje për mbi 13 për qind në vitin 2019, krahasuar me një vit më parë.

Riza Shillova, drejtor i Departamentit për hetime në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se ka rritje të aktivitete ose të rasteve të krimit ekonomik dhe korrupsionit në vend.

“Në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit kemi rreth 43.28 për qind shtim të numrit të rasteve të hetuara në raport me vitin paraprak, e gjithashtu edhe të rasteve të fajdeve kemi 13.63 për qind rritje të veprave penale apo hetimeve në fushën e fajdeve. Janë hetuar gjithsej 625 raste të krimit ekonomik dhe korrupsionit, janë realizuar 32 operacione, janë arrestuar 253 persona dhe janë paraqitur 537 kallëzime penale”, thotë Shillova.

Veprimet e tilla kriminale, siç është fajdeja, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë të ndëshkueshme. Kodi Penal e parasheh që kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e dukurisë së fajdeve ka ardhur si pasojë e procedurave dhe kritereve të shumta që kërkohen nga bankat komerciale për aprovimin e një kredie.

“Përderisa bankat komerciale i kanë tkurrur kriteret për t’iu dhënë bizneseve dhe qytetarëve kredi dhe mbështetur ata shumë, këta të fundit kanë gjetur formën më të keqe që të gjejnë njerëzit që kanë përfituar nga krimi i organizuar dhe që japin para me fajde. Kjo dukuri te ne është në rritje për shkak që sundimi i rendit dhe ligjit është i dobët”, thotë Shahini.

Në Kosovë operojnë 10 banka komerciale dhe 23 institucione mikrofinanciare. Norma mesatare e kamatave për kredi në banka, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës është 6.4 për qind varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, kurse në institucionet mikrofinanciare, norma efektive e interesit është 20.1 për qind.

Vlera e kredive në 10 bankat komerciale ka arritur në mbi 3 miliardë euro, kurse vlera e kredive në institucionet mikrofinanciare ka arritur mbi 200 milionë euro.

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë në vazhdimësi e kanë konsideruar edhe formë fajdeje normat e larta të kredive të cilat janë zbatuar nga disa institucione mikrofinanciare. Pikërisht normat e lartë të interesit kanë qenë arsyeja e mbylljes së dy institucioneve mikrofinanciare vitin e kaluar.

Iute Credit Europe dhe Monego janë dy institucionet mikrofinanciare që ishin mbyllur.

Banka Qendrore e Kosovës në arsyetimit e vendimit për mbyllje kishte theksuar se këto institucione mikrofinanciare, në bazë të mostrave që ka poseduar dhe analizuar BQK-ja, kanë zbatuar norma efektive të interesit nga 80 deri në 236 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG