Ndërlidhjet

Çfarë dihet për dronët misteriozë që po vazhdojnë të shfaqen nëpër SHBA?


Zyrtarët e forcave të rendit kanë theksuar se dronët nuk duket se përbëjnë kërcënim për sigurinë publike, por shumë ligjvënës megjithatë kërkuan rregulla më të rrepta për monitorimin e dronëve.
Zyrtarët e forcave të rendit kanë theksuar se dronët nuk duket se përbëjnë kërcënim për sigurinë publike, por shumë ligjvënës megjithatë kërkuan rregulla më të rrepta për monitorimin e dronëve.

Associated Press

Një numër i madh dronësh misteriozë janë parë duke fluturuar mbi disa zona të Nju Xhersit dhe Bregut Lindor në javët e fundit, duke nxitur spekulime dhe shqetësime mbi atë se kush po i dërgon dhe pse.

Guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, i shkroi presidentit amerikan, Joe Biden, duke kërkuar përgjigje. Senatori i ri i Nju Xhersit, Andy Kim, e kaloi natën e enjte duke kërkuar dronë në veri të Nju Xhersit dhe postoi në X rreth asaj që pa.

Murphy dhe zyrtarët e forcave të rendit kanë theksuar se dronët nuk duket se përbëjnë kërcënim për sigurinë publike, por shumë ligjvënës megjithatë kërkuan rregulla më të rrepta për monitorimin e dronëve.

Byroja Federale e Hetimeve në SHBA, FBI, është ndër disa agjencitë që po hetojnë këtë rast dhe ka kërkuar nga banorët të ndajnë video, foto dhe informacione të tjera që mund të kenë rreth dronëve.

Çfarë po ndodh me dronët në Nju Xhersi?

Që nga nëntori, dhjetëra dëshmitarë kanë raportuar se kanë parë dronë.

Në fillim, ata u panë duke fluturuar përgjatë lumit Raritan, që ushqen rezervuarin Round Valley, rreth 80 kilometra në perëndim të Nju Jorkut.

Por, shpejt u raportua për dronë të tillë në të gjithë shtetin, përfshirë afër Picatinny Arsenal, një qendër kërkimore dhe prodhimi ushtarake, dhe mbi fushën e golfit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në Bedminster.

Pajisjet fluturuese, gjithashtu, janë parë së fundmi në zona bregdetare.

Republikani Chris Smith tha se një oficer komandues i Rojës Bregdetare i kishte thënë atij se dymbëdhjetë dronë ndoqën nga afër një varkë shpëtimi të saj gjatë fundjavës.

Një pamje e dronëve mbi Nju Xhersi.
Një pamje e dronëve mbi Nju Xhersi.

Zyrtarët federalë insistojnë se dronët nuk paraqesin rrezik

Ankthi në rritje mes disa banorëve nuk ka kaluar pa u vënë re nga administrata e Bidenit, që është kritikuar nga Trumpi se nuk është duke u marrë seriozisht me këtë çështje.

Në një telefonatë me gazetarët të shtunën që u organizua nga Shtëpia e Bardhë, zyrtarët e lartë nga FBI-ja, Pentagoni, FAA-ja dhe agjenci të tjera tentuan të sigurojnë banorët se dronët nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike dhe nuk janë veprimtari e një aktori të huaj dashakeq.

Një zyrtar i FBI-së, i cili foli në kushte anonimiteti sipas rregullave të caktuara nga Shtëpia e Bardhë, tha se shqetësimi i publikut është i kuptueshëm, por shtoi se një pjesë e reagimeve “kanë qenë të tepruara”.

Përfaqësuesi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder, tha të enjten se vlerësimi fillestar i ushtrisë, pas konsultimeve me Departamentin e Sigurisë së Brendshme dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë — që dronët nuk vijnë nga aktorë të huaj — mbetet i njëjtë.

Kongresisti i Nju Xhersit kërkon që ushtria të marrë masa

Një kongresist i Nju Xhersit kërkoi që Pentagoni ta autorizojë përdorimin e forcës për të rrëzuar një ose më shumë dronë për ta zbuluar se kush i ka dërguar.

Objektet mund të rrëzohen mbi oqean ose në një zonë të pabanuar në tokë, tha Smith të shtunën në një konferencë shtypi.

“Pse nuk mund të kapim të paktën një nga këta dronë dhe të zbulojmë gjithçka?”, tha Smith.

Republikani Jeff Van Drew, një tjetër kongresist, gjithashtu ka kërkuar që ushtria t’i rrëzojë dronët.

Kryetari i Monmouthit, Shaun Golden, tha se njerëzit nuk duhet ta marrin këtë detyrë në duart e veta dhe të qëllojnë mbi dronë, pasi kjo do të shkelte ligjet shtetërore dhe federale.

Dronët janë parë edhe mbi Nju Jork

Tashmë është raportuar për dronë të tillë edhe në Nju Jork, ku kërkohet leje për fluturimin e tyre, dhe kryetari Eric Adams tha se qyteti po e heton rastin dhe po bashkëpunon me Nju Xhersin dhe zyrtarët federalë.

Rreth 100 kilometra në veri të qytetit, pistat e Aeroportit Ndërkombëtar Stewart u mbyllën për rreth një orë të premten në mbrëmje, për shkak të dronëve në hapësirën ajrore, tha guvernatorja Kathy Hochul.

“Kjo gjë ka shkuar shumë larg”, tha ajo në një deklaratë.

Guvernatorja i bëri thirrje Kongresit të forcojë mbikëqyrjen e FAA-së mbi dronët dhe të japë më shumë autoritet hetues për forcat shtetërore dhe lokale të rendit.

“Zgjerimi i këtyre pushteteve për shtetin e Nju Jorkut dhe kolegët tanë është thelbësor”, tha ajo.

“Derisa këto pushtete t'u jepen zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, administrata Biden duhet të ndërhyjë duke drejtuar agjentë shtesë të ligjit federal në Nju Jork dhe rajonin përreth për të siguruar sigurinë e infrastrukturës sonë kritike dhe të popullit tonë”.

Dronë të shumtë që fluturojnë mbi Bernardsville, Nju Xhersi më 5 dhjetor 2024.
Dronë të shumtë që fluturojnë mbi Bernardsville, Nju Xhersi më 5 dhjetor 2024.

A janë të rrezikshëm këta dronë?

Shtëpia e Bardhë ka thënë se analiza e bërë për dronët e raportuar tregon se shumë prej tyre janë në të vërtetë aeroplanë të pilotuar që fluturojnë në mënyrë ligjore.

Departamenti federal i Sigurisë së Brendshme dhe FBI-ja gjithashtu thanë në një deklaratë të përbashkët se nuk kanë asnjë dëshmi që dronët paraqesin “një kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike ose kanë një lidhje me një aktor të huaj”.

Asamblistja Dawn Fantasia, e cila u informua nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme, tha se dronët e raportuar janë deri në 1.8 metra në diametër dhe ndonjëherë udhëtojnë me dritat e fikura. Kjo madhësi është shumë më e madhe se ato që zakonisht ngrihen në ajër nga të pasionuarit pas dronëve.

Kush i dërgoi dronët?

Autoritetet thonë se nuk e dinë.

FBI-ja, Siguria e Brendshme dhe policia shtetërore po e hetojnë rastin. Autoritetet thonë se nuk e dinë nëse është një dron që është parë shumë herë apo nëse ka pajisje të shumta që fluturojnë në një përpjekje të koordinuar.

Spekulimet kanë shpërthyer online, me disa që shprehin shqetësime se droni ose dronët mund të jenë pjesë e një komploti dashakeq nga agjentë të huaj.

Zyrtarët theksojnë se hetimet shtetërore dhe federale nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që i mbështet këto shqetësime, por republikani Smith të shtunën përsëriti një spekulim të tillë.

“Manovrimi i fshehtë i këtyre dronëve sugjeron për një fuqi ushtarake të sofistikuar që ngre pyetjen nëse janë dërguar për të testuar kapacitetet tona mbrojtëse — ose më keq — nga regjime të dhunshme, ndoshta mund të jenë Rusia, Kina, Irani, ose Koreja e Veriut”, tha ai.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, tha të mërkurën që këta aeroplanë nuk janë dronë të ushtrisë amerikane.

Çfarë kanë thënë zyrtarët për dronët?

Trump ka thënë se beson se Qeveria di më shumë se sa që po deklaron.

“Tregojini publikut dhe tregojini tani. Përndryshe, qëllojini ata!!!”, postoi ai në faqen e tij të mediave sociale.

Senatori Richard Blumenthal tha të enjten se dronët duhet të “shuhen, nëse është e nevojshme”.

“Duhet të bëjmë disa analiza urgjente të inteligjencës dhe t'i heqim nga qielli, sidomos nëse fluturojnë mbi aeroporte ose baza ushtarake”, tha Blumenthal.

Ekspertët, megjithatë, paralajmërojnë që të mos qëllohet asgjë në qiell.

Trisha Bushey, 48-vjeçare, nga Nju Xhersi, jeton në një vend ku ka pasur shumë shikime dhe tha se nuk beson në pohimin se dronët nuk janë një rrezik për sigurinë publike.

“Si mund të thuash se nuk paraqesin kërcënim nëse nuk e di se çfarë janë?”, tha ajo. “Mendoj se kjo është arsyeja pse ka kaq shumë njerëz që janë të shqetësuar”.

Një dron tjetër duke fluturuar natën e 3 dhjetorit mbi Nju Xhersi.
Një dron tjetër duke fluturuar natën e 3 dhjetorit mbi Nju Xhersi.

A lejohen dronët në Nju Xhersi?

Fluturimi i dronëve për përdorim rekreativ dhe komercial është i ligjshëm në shtet, por u nënshtrohet rregullave lokale dhe të Administratës Federale të Aviacionit dhe kufizimeve të fluturimit.

Në Nju Jork, kërkohet një leje për të ngritur ose ulur një aeroplan pa pilot. Operacionet duhet të jenë të certifikuara nga FAA-ja.

A janë parë dronë diku tjetër?

Për dronë është raportuar edhe në Virxhinia dhe vende të tjera.

Dy persona thanë se panë një dron të enjten në mbrëmje pranë plazhit në Virxhinia, që ishte ndryshe nga çdo dron tjetër që kishin parë.

Objekti ishte mbi oqean dhe ata panë se si lëvizte ngadalë mbi një instalacion të Rojës Kombëtare, tha John Knight për The Virginian-Pilot.

“Padyshim ishte ndryshe”, tha Knight, i cili incizoi video të asaj që mendon se ishte një dron i madhësisë sa një kamion i vogël.

“Fluturoi si një helikopter, por nuk bëri asnjë zhurmë”, shtoi ai.

Roja Kombëtare e Virxhinias nuk kishte asnjë aeroplan në funksion në atë zonë të enjten në mbrëmje, sipas zëdhënësit A.A. Puryear.

Në Masaçusets, 10 deri në 15 dronë janë raportuar duke qëndruar mbi një shtëpi të enjten në mbrëmje në Cape Cod.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG