Ndërlidhjet

Lancet: Doza e tretë e vaksinës për popullatën e përgjithshme është e panevojshme


Një infermiere administron një dozë të vaksinës kundër koronavirusit në Sandiago të Kilit më 3 qershor, 2021.
Një infermiere administron një dozë të vaksinës kundër koronavirusit në Sandiago të Kilit më 3 qershor, 2021.

Vaksinat janë mjaftueshëm efektive që të parandalojnë sëmurje të rëndë nga COVID-19 dhe se aktualisht nuk ka nevojë që popullata e përgjithshme të marrë një dozë të tretë, thuhet në një studim të publikuar më 13 shtator në revistën mjekësore, The Lancet.

Disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta, pas shqetësimeve për furnizimin me vaksina në vendet e varfra, ku miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës, shkruan AFP.

Por, raporti i përpiluar nga shkencëtarët, ku ishin edhe shkencëtarë nga OBSH-ja, erdhi në përfundim që me kërcënimin e Deltës “dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”.

Autorët e studimit, që kanë shqyrtuar studimet vëzhguese dhe provat klinike, gjetën se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të COVID-19, në të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë edhe variantin Delta, edhe pse ato kishin sukses më të ulët në parandalimin e sëmundjes asimptomatike.

“Marrë në përgjithësi, studimet e tanishme nuk japin të dhëna të besueshme për rënien substanciale të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit”, tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo, shkencëtare nga OBSH-ja.

Ajo tha se dozat e vaksinës duhet të prioritizohen për njerëzit në mbarë botën që ende janë duke pritur që të vaksinohen.

“Nëse vaksinat dërgohen ku do të bënin më të mirën, ku do të shpejtonin fundin e pandemisë duke parandaluar shfaqjen e varianteve të reja”, shtoi ajo.

Shkencëtarët, në studimin e titulluar "Shqyrtimet për rritjen e përgjigjes imunitare të vaksinave COVID-19", po ashtu thanë se dozat përforcuese mund të jenë të papërshtatshme për disa individë, siç janë ata me sistem të dobësuar imunitar, që nuk prodhojnë përgjigje të duhur imunitare pas marrjes së dy dozave të vaksinës.

Shtetet si Franca veçse kanë nisur dhënien e dozave të treta për personat e moshuar dhe njerëzit me sistem imunitar të kompromentuar, ndërkaq Izraeli ka shkuar edhe më tej, duke u ofruar fëmijëve 12 vjeç e më të rritur dozën e tretë, pesë muaj pas vaksinimit të plotë.

Studimi i publikuar në Lancet vjen në përfundim që variantet ekzistuese nuk janë të zhvilluara aq shumë sa që t’i ikin përgjigjes imunitare që ofrohet nga vaksinat që aktualisht përdoren.

Autorët e studimit argumentuar se nëse mutacione të reja të virusit dalin dhe janë në gjendje t’i ikin kësaj përgjigjeje imunitare, do të ishte më mirë që të administroheshin doza përforcuese të modifikuara për të luftuar variantët e rinj sesa vaksinat ekzistuese.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u ka bërë thirrje që të shmanget dhënia e vaksinave shtesë deri në fund të vitit.

OBSH-ja ka vënë si synim që të gjitha shtetet të vaksinojnë të paktën 10 për qind të popullatës deri në fund të këtij muaji dhe të paktën 40 për qind deri në fund të këtij viti.

Kjo organizatë po ashtu ka thënë se dëshiron që të paktën 70 për qind e popullatës botërore të jetë e vaksinuar deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Por, Tedros është ankuar që përderisa pothuajse të gjitha shtetet e pasura kanë arritur synimin e vaksinimit të 10 për qind të popullatës dhe mbi 70 për qind e këtyre shteteve kanë arritur që të vaksinojnë 40 për qind të popullatës “asnjë shtet me të ardhura të ulëta nuk e ka arritur asnjërën prej këtyre dy përqindjeve” të vaksinimit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG