Ndërlidhjet

Votohet Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut


Oliver Spasovski
Oliver Spasovski

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 101 vota për dhe asnjë kundër ka votuar Qeverinë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditët e ardhshme, apo deri në zgjedhjet e parakohshme më 12 prill.

Qeveria do të drejtohet nga Oliver Spasovski, ministër i deritashëm i Punëve të Brendshme, i cili në fjalimin para deputetëve tha se paraqiti programin e punës së kabinetit të tij që prioritet kryesor do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

"Qeveria e re do të vazhdojë kursin e deritashëm për arritjen e integrimit euroatlantik të vendit. Ndodhemi në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme kur prej nesh pritet funksionim i papenguar i të gjitha institucioneve. Është koha kur duhet të organizohen zgjedhje të drejta dhe demokratike, por edhe të kryhen të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Dua t'i them opozitës se përgjegjësia për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike është, sa e jona, po aq edhe e juaja tani”, deklaruar Spasovski.

Në Qeverinë teknike merr pjesë edhe VMRO DPMNE-ja opozitare, e cila do të drejtojë dy ministri, ndërsa do të ketë edhe tri poste të zëvendësministrave.

Ministër i ri i Punëve të Brendshme është emëruar Naqe Çulev, ndërsa ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Rashela Mizrah.

Sipas Ligjit për qeverinë, ministrat dhe zëvendësministrat do të punojnë sipas parimit të njohur me “firma të lidhura”, që nënkupton se asnjë vendim që ndërlidhet me procesin zgjedhor nuk mund të miratohet pa pëlqimin e ministrit dhe të zëvendësministrit.

Kryeministri i deritanishëm, Zoran Zaev, paraprakisht kishte deponuar dorëheqjen në Kuvend, ashtu siç parashihet me Ligjin për qeverinë, i miratuar në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës, që para çdo cikli zgjedhor duhet të ketë qeveri teknike, e cila prioritet kryesore do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Sot kam firmosur dorëheqjen në përputhje me marrëveshjen ndërmjet partive dhe në përputhje me Ligjin për punën e qeverisë. Dorëheqja është deponuar në Kuvend dhe shpresoj se zgjedhja e qeverisë teknike do të rrjedhë në mënyrë normale. Shpresoj se do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike më 12 prill”, ka deklaruar kryeministri në dorëheqje, Zoran Zaev.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se beson se në zgjedhjet e ardhshme do t’i jepet fund qeverisjes së LSDM-së.

“Jemi në prag të një sfide të madhe, kur do të duhet që në mënyrë bindëse, të munden gënjeshtrat, krimi, korrupsioni, turpi, nënçmimi dhe e gjitha ajo që tani tre vjet me radhë janë realitet i skenës sonë politike. Zaevi do të bie dhe së bashku me popullin, do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat, të cilat ai dhe disa nga përkrahësit e tij të paktë i kanë vendosur në këtë rrugë”,deklaroi Mickovski para seancës së Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë teknike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill u vendosën në takimin e liderëve të partive politike, më 20 tetor dhe vlerësohen si vendimtare pasi do të përcaktojnë qëndrueshmërinë e blloqeve kryesore politike të LSDM-së së Zoran Zaevit dhe VMRO DPMNE-së opozitare të Hristijan Mickovskit.

Zgjedhjet ishin paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas dështimit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në samitin e liderëve të BE-së, më 18 tetor të vitit 2019.

Kryeministri Zaev e kishte marrë përgjegjësinë për këtë dështim, edhe pse vendimin e drejtuesve të BE-së, e kishte quajtur “gabim historik”, pasi, sipas tij, Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që është konsideruar si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG