Ndërlidhjet

Dorëheqjet e ministrave të BDI-së, vetëm në letër


Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, janar 2023.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, janar 2023.

Dorëheqjet e pesë ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim mbeten vetëm në letër, pasi edhe dy ditë nga deponimi i tyre në Qeveri, ato nuk janë shqyrtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kreu i Qeverisë maqedonase, Kovaçevski, sipas shërbimit për informim të ekzekutivit, “nga 3 gushti gjendet në pushim të shkurtër vjetor së bashku me familjen, jashtë shtetit”.

Nga Qeveria nuk japin asnjë sqarim mbi qëndrimin e tij se si do të veprojë me dorëheqjet, nëse do t’i refuzojë, apo do të dërgojë për konstatim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Dispozitat ligjore që janë në fuqi lidhur me punën e Qeverisë, kryeministrit dhe anëtarëve të ekzekutivit, nuk parashohin “dorëheqje në pritje” apo “dorëheqje të afatizuara”, siç i kanë deponuar ministrat e BDI-së.

Por, edhe sikur të dorëzohen, ato nuk mund të shqyrtohet pasi edhe deputetët ndodhen në pushim vjetor, që mund të zgjasë deri më 18 gusht, ditën kur në rend dite janë ndryshimet kushtetuese.

Pikërisht këto ndryshime ishin edhe shkas për paraqitjen e dorëheqjeve të tyre, pasi bazuar në letrën e nënshkruar thuhet se hyjnë në fuqi me mbështetjen e ndryshimit të Kushtetutës nga partia opozitare VMRO DPMNE.

Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, bazuar në “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike maqedonase.

Në rast se ato nuk miratohen, atëherë Bullgaria mundet sërish t’i bllokojë bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, njëjtë sikurse në vitin 2020.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se mbështet ndryshimet me kusht që ato të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe nëse formohet një qeveri e zgjeruar pa BDI-në, të cilën e akuzon për korrupsion dhe krim të organizuar.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se “kushtet e VMRO-së janë plotësuar dhe se ajo tani duhet t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese”.

Por, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se dorëheqjet duhet të jenë të parevokueshme dhe se zvarritja e këtij procesi bëhet për blerje kohe.

“Tani ata kanë një betejë tjetër, të kalojnë gushtin dhe të vijë shtatori. Dhe, kur të vijë vjeshta s’ka logjikë që ne të kërkojmë zgjedhje të parakohshme pasi do të mbeten vetëm edhe disa muaj deri në zgjedhjet e rregullta në pranverë”.

“Por, ata një gjë duhet ta kenë të qartë, se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë as në gusht e as në shtator. Ata, në fakt, nuk janë të interesuar që edhe ato të bëhen pasi interesi kryesor i tyre është që këtë mandat ta shtyjnë deri në fund, që të mund të vjedhin sa më shumë”, tha Mickoski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet (LSDM), ndërkohë vazhdon me akuzat drejtuar opozitës se është “kundër të ardhmes evropiane” dhe të një “jete më të mirë të qytetarëve” që sipas kësaj partie, mund të arrihet vetëm me integrimin në BE. Në të kundërtën, LSDM-ja thotë se vendi do të izolohet.

“Nëse vërtet kujdesen për interesat e shtetit dhe agjendën evropiane, atëherë Mickoski dhe VMRO DPMNE-ja do t'i mbështesin amendamentet e Kushtetutës. Të gjitha kushtet që kërkonte Hristijan Mickoski janë përmbushur. Tani i takon atij të dalë dhe të tregojë qartë se mbështet integrimin e vendit apo izolimin”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.

Edhe partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, dorëheqjet e ministrave të BDI-së, i quajtën “taktizime për pikë politike”. Sipas tyre, dorëheqjet janë bërë edhe për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga akuzat e shumta ndaj zyrtarëve të BDI-së për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, në mesin e të cilëve është edhe kryetari i saj, Ali Ahmeti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG