Ndërlidhjet

Trashëgimia politike e Trumpit


Donald Trump teksa largohet nga Shtëpia e Bardhë. Uashington, 20 janar, 2021.
Donald Trump teksa largohet nga Shtëpia e Bardhë. Uashington, 20 janar, 2021.

Presidenti Donald Trump ndoshta do të mbahet mend më së shumti për përdorimin e Twitter-it për të nxitur polemika apo për të sulmuar kundërshtarët, por zhurma që krijuan postimet e tij në këtë rrjet social, shpesh krijoi shpërqendrim nga ndryshimet e mëdha në politika që ai bëri gjatë mandatit katërvjeçar.

Gjatë mandatit të tij presidencial, fokusi shpesh ishte në atë që Trump thoshte sesa në atë që ai bënte, teksa ai kalonte nga një krizë që e shkaktonte vetë, në një krizë tjetër. Por, nëse shikohen politikat e tij, ai ka pasur ndikim të vërtetë në jetën e njerëzve, veç tjerash në fushën e energjisë dhe mjedisit, migracionit, gjyqësisë, biznesit dhe ekonomisë, tregtisë e politikë të jashtme, shkruan Reuters.

Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:19 0:00

Kina

Administrata Tump e vendosi ngritjen e Kinën në qendër të vëmendjes, duke arritur që të krijojë konsensus të dy partive amerikane sa i përket kundërshtares së SHBA-së, Kinës, që është ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Trump e goditi Kinën në shumë fronte, duke vendosur miliarda dollarë tarifa mbi importet kineze dhe duke sanksionuar zyrtarë të lartë. Po ashtu ai ka vendosur gjoba ndaj kompanive të mëdha kineze si Huawei, ZTE, SMIC dhe TikTok.

Disa aleatë, megjithatë, kanë ngritur dyshime lidhur me efikasitetin e këtyre masave dhe shpresojnë që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, i cili ka premtuar se do të jetë po aq i ashpër ndaj Kinës, do të koordinohet më mirë sa i përket Pekinit zyrtar.

Tensionet u rritën veçanërisht vitin e kaluar, ku Trump vazhdimisht ka fajësuar Kinën për koronavirusin, që fillimisht u shfaq në qytetin kinez, Vuhan.

Dy fuqitë botërore kanë shumë ndasi për një varg çështjesh përfshirë Hong Kongun, Tajvanin dhe Detin Jugor të Kinës.

Biden nuk kanë qenë shumë i qartë kur ka folur për planet e tij mbi disa masa që Trump i ka marrë, por do të jetë e vështirë për të që të zhbëjë në mënyrë dramatike shumë prej tyre, për shkak të sentimentit të fuqishëm dy-partiak anti-Kinë në Kongresin amerikan.

Ekonomia

Ekonomia amerikane nën administratën Trump ka dy faza dalluese: para dhe pas COVID-19.

Para se pandemia e koronavirusit të godiste në mars të vitit 2020, niveli i papunësisë ishte më i ulët në 50 vjetët e fundit, pagat po rriteshin dhe hendeku në mes të punëtorëve me ngjyrë po ngushtohej.

Ligji i taksave, që Trump e nënshkroi më 2017, nxiti që ekonomia të rritej për 3 për qind, ashtu siç Trump kishte premtuar gjatë fushatës presidenciale, por kjo ndodhi vetëm për një kohë të shkurtër.

Gjërat mund të ishin më mirë, por lufta 18-mujore me tarifat me Kinën, që i kushtoi miliarda dollarë kompanive amerikane, ndikoi edhe në rritjen e vendeve të punës. Lufta me tarifa përfundoi në fillimin e vitit 2020, me një deficit më të lartë me Kinën sesa kur e gjithë kjo nisi.

Ulja e normave të tri rezervave federale më 2019 ndihmuan në zbutjen e ndikimit të luftës tregtare. Taksapaguesit ofruan rreth 50 miliardë dollarë subvencione për fermerët amerikanë vetëm gjatë vitit 2020, në mënyrë që të kompensohen humbjet nga shitja e produkteve në Kinë.

Situata me pandeminë dhe dështimi i administratës që ta kontrollojë atë, rrezikojnë që ta lë ekonominë në gjendje të keqe për një kohë të gjatë, teksa Trump largohet nga zyra. Rreth 21 milionë vende pune janë humbur dhe nëntë milionë prej tyre ende nuk kanë arritur të rikthehen. Miliona persona të tjerë nuk janë paguar për punën e bërë ose kanë humbur krejtësisht vendin e punës.

Ndërkaq, borxhi kombëtar i Shteteve të Bashkuara është rritur për 7.8 trilionë dollarë, përkatësisht 27 trilionë dollarë, ndërsa taksat nga korporatat kanë rënë dhe shpenzimet u rritën, me qëllim që të përballohet lufta tregtare dhe ndikimi i pandemisë.

Ndryshimet klimatike

Trumpi vazhdimisht ka hedhur poshtë vlerësimet e shkencëtarëve se industria është ajo që e shkakton ngrohjen globale dhe mori fondet nga agjencitë federale për shkencë, përfshirë edhe Agjencinë për mbrojtjen e mjedisit dhe Departamentit të Brendshëm. Ai po ashtu ka ndërhyrë edhe në panelet këshilluese të këtyre departamenteve shkencore. Trump ka thënë se mburret me vendimin e tij për të tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike.

Presidenti Trump e ka përshkruar veten si mik i naftës së papërpunuar, i punonjësve të qymyrit dhe të drejtuesve të kompanive të naftës dhe kishte bërë premtime se do t’ua lehtësonte kostot kompanive të energjisë, duke zhbërë mbi 100 rregullore që lidhen me klimën dhe mjedisin.

Përderisa kompanitë e gazit dhe naftës mirëpritën shkurtimin e taksave, ata u ankuan për luftën e Trumpit me Kinën, që prishi zinxhirët e tyre të furnizimit dhe rrezikoi kërkesën për eksport të gazit natyror të SHBA-së.

Shumë nga përpjekjet e Trumpit për të hequr rregullore u sfiduan me sukses në gjykata, për shkak të gabimeve burokratike në procedurat e hartimit të këtyre rregulloreve.

Trump lejoi që një numër rekord i sipërfaqes së tokës publike, të përdoret për shpim dhe miniera, me qëllim që të zhvillohet industria e naftës.

Në fjalët e para në Zyrën Ovale, Biden pritet që të zhbëjë disa prej rregulloreve të vendosura nga Trumpi dhe t’i ribashkohet Marrëveshjes së Parisit. Ai po ashtu pritet që të urdhërojë të gjitha agjencitë federale që të identifikojnë se kush është përgjegjës në këto agjenci në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Politika e jashtme

Nëse Trumpi do të fitonte zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020, miqtë dhe armiqtë e Amerikës për katër vjet do të prisnin për veprimet e tij, apo siç është shprehur vetë Trump “veprime të cilat bota nuk i ka parë më parë”. Humbja e tij në zgjedhje e privoi atë për të shtyrë përpara agjendën e tij “Amerika e Para”, por pasojat e kësaj agjende pritet të vazhdojnë.

Trump ka përmbysur disa prej parimeve të politikës së jashtme amerikane që ishin që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke vënë në pikëpyetje aleancën e NATO-s, duke tjetërsuar aleatët evropianë dhe duke kënaqur disa autokratë.

Mosrespektimi i tij për multilaterizmin, e nxiti atë që të tërhiqej prej shumë marrëveshjeve dhe organizatave, përfshirë edhe tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Trajtimi që ai i bëri aleatëve të SHBA-së, ia ka vështirësuar punën Bidenit që ta rikthejë SHBA-në në kampione të demokracisë.

Trumpi pjesërisht ka mbajtur premtimin dhënë në fushatën zgjedhore për të kthyer në shtëpi trupat amerikane nga zonat e luftës, por i ka përgjysmuar trupat në Afganistan, Irak dhe Siri. Pavarësisht përpjekjeve historike që Trump bëri me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ai nuk arriti që të bëjë përparim që ta bindë Kimin të heqë dorë nga armët bërthamore.

Qasja e ashpër e Trumpit ndaj Iranit, e goditi rëndë ekonominë e kësaj të fundit, por nuk arriti që ta kthejë Teheranin në tavolinën e bisedimeve dhe ndihmësit e Bidenit, i shohin sanksionet që administrata republikane ka vendosur së fundmi, si kurth për administratën e re.

Përderisa Trumpi dështoi që të arrinte paqen e premtuar në mes të Izraelit dhe palestinezëve, ai ndërmjetësoi marrëveshje për normalizimin e raporteve në mes të Izraelit dhe katër shteteve fqinje arabe.

Migrimi

Trumpi e përfundoi mandatin e tij presidencial ashtu siç e nisi – i fokusuar në migrim.

“Ne e bëmë këtë”, tha Trump në njërën prej ditëve të fundit të tij si president, teksa qëndroi pranë gardhit të gjatë prej 724 kilometrash në brezin kufitar me Meksikën në Teksas.

Trump gjatë vizitës së gardhit të metaltë të vendosur përgjatë kufirit me Meksikën. Ndërtimi i këtij muri, ka qenë një prej premtimeve kryesore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Trump gjatë vizitës së gardhit të metaltë të vendosur përgjatë kufirit me Meksikën. Ndërtimi i këtij muri, ka qenë një prej premtimeve kryesore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Gardhi përgjatë kufirit me Meksikën është një prej shembujve që tregon për ndryshimet që ai i ka bërë sistemit amerikan të migrimit. Ai vendosi një mori masash ndaj migrantëve që duan të hyjnë dhe të qëndrojnë në SHBA. Shumë prej këtyre masave janë dërguar në gjykata dhe disa prej tyre u ndaluan përmes urdhrave kombëtarë.

Trumpi vendosi ndalesë të udhëtimeve për shumë shtete me shumicë myslimane, ndalesë e cila më pas u zgjerua , duke prekur edhe programin e refugjatëve dhe duke detyruar dhjetëra-mijëra azilkërkues që të presin në Meksikë derisa të ketë seanca dëgjimore për të vendosur nëse mund të hyjnë në SHBA.

Politika e vitit 2018 e Trumpit për “zero tolerancë” ndaj kalimeve ilegale të kufirit, që çoi në ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Ai më pas e ndryshoi këtë politikë, por afro 600 fëmijë ende nuk janë bashkuar me familjet e tyre.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, administrata Trump vendosi kufizime të reja që lejuan zyrtarët kufitarë të dëbonin të gjithë migrantët që kalonin kufirin dhe t’ua ndalonin hyrjen punëtorëve të huaj dhe atyre që aplikojnë për leje-qëndrim në SHBA.

Vetëm një ditë pasi të inaugurohet si president, Biden pritet të dërgojë në Kongres një projektligj që tregon qartë “rrugën deri te marrja e shtetësisë” amerikan, për rreth 11 milionë persona që jetojnë ilegalisht në SHBA.

Biden po ashtu ka thënë se do të heqë ndalesën e udhëtimit, do t’i japë fund programit që kërkon që azilkërkuesit të presin në Meksikë edhe do të bashkojë fëmijët e ndarë nga prindërit e tyre.

Emërimet në gjyqësor

Trumpi nuk ishte i lumtur kur gjykatësit që ai emëroi, vendosën kundër përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por me vendimet e tij, ai riformësoi sistemin gjyqësor amerikan, duke e bërë atë më konservator. Dhe kjo, mund të konsiderohet si një prej arritjeve të tij më të mëdha.

Gjatë mandatit katërvjeçar, ai ka emëruar tre gjykatës në Gjykatën Supreme. Kjo është hera e parë në dekada, që një president, gjatë mandatit emëron numër kaq të lartë të gjykatësve të Supremes. Herën e fundit, Richard Nixon kishte emëruar katër gjykatës, gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Tani, Gjykata Supreme e SHBA-së ka një shumicë konservatore prej 6 me 3.

Trumpi duhet të falënderohet liderit të republikanëve në Senat, Mitch McConnel, i cili i vendosi si prioritet nominimet në sistemin e gjyqësorit dhe për aftësinë e tij e tij që të emërojë jo vetëm gjykatës të Supremes si Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett, por edhe gjykatës në disa gjykata të nivelit më të ulët.

Trump dhe gjyqtarja e Supremes, Amy Coney Barrett.
Trump dhe gjyqtarja e Supremes, Amy Coney Barrett.

Trump ka emëruar 54 gjykatës në gjykatat e apelit, që i bie një më pak se paraardhësi i tij demokrat, Barack Obama i cili emëroi 55 gjykatës gjatë dy mandateve si president.

Trumpi po ashtu ka emëruar 174 gjykatës në gjykatat e qarkut dhe disa të niveleve më të ulëta gjyqësore.

Biden do të mund të bëjë disa ndryshime sa i përket të emëruarve në gjyqësor, por hapësira e tij do të jetë e kufizuar në këtë aspekt. Shembull, ai do të mund të zëvendësojë gjyqtarin Sptehen Breyer në Gjykatën Supreme, nëse 82-vjeçari vendos të pensionohet.

Marrëdhëniet racore

Trump ka përdorur disa terme mjaft ofenduese ndaj atletëve me ngjyrë, të cilët në shenjë proteste për padrejtësitë racore, uleshin në gjunjë kur intonohej himni amerikan. Po ashtu, në shënjestër të sulmeve të tij kanë qenë edhe politikanet me ngjyrë dhe ato myslimane, por edhe migrantët dhe azilkërkuesit.

Nacionalizmi i bardhë gjeti më shumë shprehje gjatë mandatit të Trumpit. Propaganda dhe rekrutimi për organizatat kundër minoriteteve, rritën krimet e urrejtjes. Sulmi në Kongresin amerikan më 6 janar, mund të jetë vetëm fillimi i dhunës nga nacionalistët e bardhë, thonë ekspertët e terrorizmit.

Vdekja e George Floyd nxiti protesta në mbarë SHBA-në kundër padrejtësive racore.
Vdekja e George Floyd nxiti protesta në mbarë SHBA-në kundër padrejtësive racore.

Politika e Trumpit veçanërisht kishte në shënjestër myslimanët. Ndalesa e parë, e quajtur si “ndalesa ndaj myslimanëve” kufizoi udhëtarët nga disa vende me shumicë myslimane, ndërkaq programi i brendshëm për gjurmimin e ekstremizmit, u rifokusua në monitorimin e kërcënimit islam, duke injoruar krejtësisht nacionalizmin e të bardhëve.

Udhëzimet që u bënin thirrje kolegjeve dhe universiteteve që të promovojnë diversitetin racor dhe inkurajimi i shkollave publike që të pranojnë studentë të racave të ndryshme, me qëllim që të trajtohet pabarazia në sistemin e edukimit, u zhbë më 2018.

Në shtator të vitit 2020, përmes një urdhri ekzekutiv, u ndaluan agjencitë federale dhe kontraktorët e tjerë të qeverisë që bënin për trajnime për diversitet, pasi kishin “koncepte ndarëse”. Për këtë fakt, u ndaluan disa trajnime për aspektet gjinore dhe racore.

Akti i Hapit të Parë i vitit 2018 bën përjashtim. Kjo ishte një reformë e parë dhe e madhe në drejtësinë penale në më shumë se një dekadë. Kjo zvogëloi dënimet minimale për disa të burgosur federalë, të cilët mund të dilnin nga burgu më herët, nëse kanë pasur sjellje të mirë.

Marrëdhënia toksike ndërmjet disa departamenteve të policisë në shtetet amerikane dhe komuniteteve, u vunë në qendër të vëmendjes më 2020, pas vdekjes së George Floyd, i cili vdiq teksa po arrestohej nga policia. Vdekja e tij, ndau edhe Kongresin, institucion ky që dështoi të miratojë një projektligj për t’iu përgjigjur vdekjes së këtij afrikano-amerikani.

Rregulloret

Trump u bë president i SHBA-së me premtimin se zhbëjë burokracitë e korporatave, që sipas tij kanë penguar rritjen ekonomike dhe kanë dëmtuar vendet e punës.

Me kërkesë të administratës së tij, Kongresi, i udhëhequr nga republikanët kanë kthyer mbrapsht 16 rregullore mbi huadhënien, zbulimin e të dhënave të korporate, privatësisë së konsumatorëve dhe të tjera. Ai lehtësoi rregullat ndaj industrisë bankare, që ishin në fuqi që prej krizës financiare të vitit 2009. Megjithatë, shumica e veprimeve erdhën nga rregulloret që vendosi Trumpi, përmes së cilëve u hoqën qindra masa.

Përderisa grupet avokuese dhe progresistët thanë se heqja e këtyre rregulloreve po dëmtonin konsumatorët dhe po rrisnin rreziqet sistematike, këto ndryshme nuk ishin aq radikale sa parashikohej dhe në disa raste, ato u mbështetën edhe nga demokratët, pasi u tha se bizneset e vogla mund të përfitonin nga to. Gjigantët në Wall Street, fituan disa beteja, por në disa raste u penguan nga rregullatorët e miratuar nga Trumpi. Pavarësisht se Trumpi ishte shumë pro-bizneseve, Departamenti amerikan i Drejtësisë, ngriti disa akuza ndaj gjigantëve të teknologjisë, si ndaj Apple, Amazone.com dhe kompanisë Facebook. Ndërkaq, Google është paditur për përdorimin e informacioneve, me qëllim që të dëmtojë rivalët e tij.

Ekipi i Trumpit gjithashtu lehtësoi rregulloret në punësim, duke lejuar korporatat e mëdha që të krijojë më shumë ndotje të mjedisit dhe favorizoi blerjen e kompanive dhe bashkimin e tyre me korporatat e mëdha. Në një farë mase, këto ndryshime të rregulloreve mund të zhbëhen, disa madje shumë shpejt nga administrata Biden. Demokratët do të kenë shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe disa vendime të administratës Trump mund të kthehen në zero, ndërkaq disa rregullore mund të rishkruhen, e të tjera mund të mos hyjnë fare në fuqi. Blerjet e kompanive nga korporatat e mëdha, siç bëri T-Mobile duke blerë Sprint, nuk priten të ndryshohen.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG