Ndërlidhjet

Trump tallet me akuzuesen e gjyqtarit Kavanaugh


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka tallur hapur të martën profesoreshën, Christine Blasey Ford, e cila ka akuzuar të nominuarin për Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh për sulm seksual.

Ai ka bërë shaka me paaftësinë e saj për të kujtuar detajet e natës që supozohet se ka ndodhur sulmi.

Kjo deklaratë, njëherësh përbën ndryshim drastik të qasjes së Trumpit ndaj Ford, të cilën më parë e ka cilësuar “dëshmitare shumë kredibile”, pas dëshmisë së saj në Komitetin Gjyqësor të Senatit.

“Kam pasur një birrë, apo jo?”, ka thënë Trump duke tentuar të rikthejë në skenë, momentin kur Ford është përgjigjur para Komitetit të Senatit, derisa ka mbajtur një fjalim në Misisipi.

“Si keni shkuar në shtëpi? Nuk më kujtohet. Si keni shkuar atje? Nuk më kujtohet. Ku ka qenë vendi? Nuk më kujtohet. Sa vjet më parë ka ndodhur? Nuk e di, nuk e di, nuk e di”, ka thënë Trump, derisa pjesëmarrësit kanë brohoritur në mbështetje të tij.

“Në cilën lagje ka ndodhur? Nuk e di. Ku është shtëpia? Nuk e di. Poshtë shkallëve, lart shkallëve, ku ka ndodhur? Nuk e di. Mirëpo kam pasur një birrë. Kjo është e tëra që kujtoj. Dhe jeta e njeriut shkatërrohet”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ky sulm është kritikuar ashpër nga shumë persona, të cilët kanë thënë se tallje të tilla, janë arsye se pse të mbijetuarit e sulmeve seksuale kanë frikë të dalin para publikut.

“Një sulm brutal dhe i pashpirt kundër Christine Blasey Ford”, ka thënë ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Michael Bromwich, i cili përfaqëson Fordin.

“Keni ndonjë dyshim se pse ajo ka qenë e tmerruar të dalë publikisht ashtu siç janë edhe të mbijetuarit tjerë? Ajo është profil i guximit, ai është profil i frikacakut”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në dëshminë e saj tejet emocionale para Komiteti Gjyqësor të Senatit të enjten e kaluar, të shikuar nga 20 milionë amerikanë në transmetim të drejtpërdrejt, Ford ka thënë se është “100 për qind” e sigurt se Kavanaugh ka tentuar ta dhunojë atë në verën e vitit 1982, derisa ata kanë qenë në një festë me nxënës tjerë.

Profesoresha Christine Blasey Ford gjatë dëshmisë para Komitetit Gjyqësor të Senatit.
Profesoresha Christine Blasey Ford gjatë dëshmisë para Komitetit Gjyqësor të Senatit.

Kavanaugh, i nervozuar ka insistuar se sulmi nuk ka ndodhur kurrë, duke akuzuar demokratët se kanë shkatërruar imazhin e tij, derisa betejën për konfirmimin në Gjykatën Supreme e ka cilësuar “turp kombëtar”.

“Kohë e frikshme” për burrat

Duke folur para gazetarëve në Uashington, Trump është dukur të këtë pasur cak fushatën #edheunë, që lufton ngacmimet seksuale, duke thënë se ka ndryshuar provat e kërkuara nga sistemi gjyqësor.

“Është kohë shumë shumë e frikshme për burrat e rinj në Amerikë, pasi mund të fajësoheni për diçka që ndoshta nuk jeni fajtor”, ka thënë ai duke shtuar se “në gjithë jetën time kam dëgjuar se jeni i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia, mirëpo tani jeni fajtor derisa të vërtetohet pafajësia”.

Situata kontraverse lidhur me nominimin e Kavanaugh para zgjedhjeve për Kongres që mbahen në muajin nëntor, dhe në të cilat republikanët janë duke luftuar që të vazhdojnë kontrollin e Kongresit, është duke kërcënuar të shtypë shtytjet e Trumpit për të siguruar votat për Kavanaugh në Gjykatën Supreme.

Gjyqtari Brett Kavanaugh duke bërë betimin para dëshmisë pranë Komitetit Gjyqësor të Senatit.
Gjyqtari Brett Kavanaugh duke bërë betimin para dëshmisë pranë Komitetit Gjyqësor të Senatit.

Nën presion të demokratëve dhe me ndihmesë edhe të vetë republikanëve, Trump ka urdhëruar të premten një hetim të ri të FBI-së, lidhur me supozimet për sjellje të keqe seksuale të Kavanaugh sa ka qenë i ri.

Besueshmëria e deklaratave të Kavanaugh në Kongres, është duke u hetuar, bazuar edhe në deklaratat që i ka dhënë ai rreth konsumimit të alkoolit, meqë një shoqe e klasës ka thënë të hënën se gjyqtari nuk ka treguar të vërtetën kur ka thënë para ligjvënësve se nuk ka pasur kurrë probleme me harresë pas konsumimit të tepërt të alkoolit.

FBI akuzohet për mosveprim

Ndërkohë avokatët e dy akuzuesve kanë thënë të martën se FBI-ia nuk kanë intervistuar dëshmitarët kyç lidhur me këto akuza.

Shqetësimet e avokatëve janë rritur pas raportimeve se FBI-ja mund të përfundojë hetimet para afatit të përcaktuar, përkatësisht ditës së premte.

Duke cituar ndihmës republikanë, Wall Street Journal ka raportuar se agjencia mund të përfundojë hetimet “të martën apo në orët e para të së mërkurës”.

FBI po ashtu ende nuk e ka intervistuar Mark Judge, shok të gjyqtarit Kavanaugh, për të cilin profesoresha Ford ka thënë se ka qenë në dhomë kur ajo është sulmuar.

Judge ka thënë se nuk kujton diçka të tillë, mirëpo nuk është ftuar për dëshmi.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG