Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të pranonte informata të dëmshme për kundërshtarin e tij, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2020, edhe nëse ato do të vinin nga një qeveri e huaj.
Në një intervistë për transmetuesin ABC News, presidenti e mohoi se kjo do të llogaritej si ndërhyrje në zgjedhje.
I pyetur nëse këshilltarët e tij duhet të pranojnë informacione nga Rusia, Kina apo ndonjë vend tjetër, rreth një kundërshtari politik, Trump tha:
“Mendoj se dëshironi t’i dëgjoni. Nuk ka asgjë të keqe. Nëse dikush thërret nga një vend - Norvegjia – (dhe thotë) kemi informacione mbi kundërshtarin tuaj... Oh, mendoj se do ta dëgjoj".
I pyetur nëse mendon se djali i tij duhet të kishte thirrur FBI-në kur mori një email të tillë në vitin 2016, Trump tha: "Më lini të qetë, jeta nuk funksionon në këtë mënyrë".
Megjithatë, presidenti tha më vonë se "ndoshta" do të kontaktonte FBI-në, nëse do t’i ofrohej ndonjë informacion dhe ai "mendon se ka diçka të gabuar".
Akuzat për bashkëpunim me fuqitë e huaja – në mënyrë specifike me Rusinë – e kanë përcjellë presidencën e Trumpit nga fillimi dhe kanë çuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller.
Raporti i Muellerit ka konstatuar se nuk ka asnjë provë që dëshmon se Trump ka bashkëpunuar me Rusinë.
Megjithatë, rivalët politikë të Trumpit kanë ende dyshime. Deklaratat e fundit të presidentit u bënë në të njëjtën ditë kur djali i tij, Donald Jr, u mor në pyetje nga senatorët amerikanë për lidhjet e tij me Rusinë.
Donald Jr, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe ish-shefi i fushatës së tij, Paul Manafort, kanë takuar avokaten e lidhur me Kremlinin, Natalia Veselnitskaya, në kullën Trump në Nju Jork, në qershor të vitit 2016 - dy javë pasi Trump ka siguruar emërimin e Partisë Republikane për të garuar për president.
Veselnitskaya i kishte dërguar një email Donald Jr, përpara takimit, duke pretenduar se ka informacione të dëmshme për rivalen e Trumpit, Hillary Clinton. "Nëse ajo që thua qëndron, unë e dua”, ishte përgjigjur Donald Jr.
Joe Biden, aktualisht favorit për t’u bërë kandidat i demokratëve në zgjedhjet presidenciale më 2020, tha se presidenti Trump, me deklaratat e fundit, e “mirëpret” ndërhyrjen e huaj.
Elizabeth Warren, një tjetër kandidate e mundshme nga Partia Demokratike, i përsëriti thirrjet e saj që Trump të nxirret në votëbesim.
Ndërsa Kamala Harris, e cila po ashtu garon për nominimin e Partisë Demokratike, tha: “Kina po dëgjon, Rusia po dëgjon, Koreja e Veriut po dëgjon. Le ta themi të vërtetën: Ky president është kërcënim për sigurinë kombëtare".
Trump, me vite, e ka mohuar se Rusia e ka ndihmuar t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Komentet e tij të fundit vijnë vetëm një muaj pasi ai është zotuar se nuk do të përdorë informacionet e vjedhura nga kundërshtarët e huaj në fushatën e vitit 2020.