Ndërlidhjet

Çfarë thotë Dodik dhe çfarë thuhet në Kushtetutën e Bosnjës?


Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik (në mes)
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik (në mes)

Bosnje dhe Hercegovina është një koloni që nuk zotëron territor, por vetëm kufi. Gjykata dhe Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës janë antikushtetuese dhe të paligjshme, ndërsa Republika Sërpska do t’i marrë përsipër të gjitha kompetencat e transferuara në Bosnje, që nuk janë të përcaktuara drejtpërdrejt me Kushtetutën e shtetit.

Këto janë disa nga 21 pretendimet dhe qëndrimet e përcaktuara në një plan, i cili i referohet veprimtarisë së përfaqësuesve të Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe është nënshkruar më 24 prill në Banja Llukë.

Dokumentin e kanë nënshkruar përfaqësuesit e koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, të kryesuar nga Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur - parti e Millorad Dodikut - pa praninë e opozitës.

Dokumenti vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të Dodikut për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës është Aneksi 4 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila njihet edhe si Marrëveshja e Dejtonit, sepse është nënshkruar në atë qytet të SHBA-së, më 21 nëntor, 1995. Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Bosnje.

Marrëveshja e Dejtonit ka 11 anekse që, ndër të tjera, u referohen kufijve ndërmjet dy entiteteve - Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës - çështjeve ushtarake, të drejtave të njeriut, çështjes së refugjatëve, forcave policore, korporatave publike dhe mbrojtjes së monumenteve kombëtare.

REL-ia ka verifikuar nëse pretendimet e politikanëve në Republikën Sërpska kanë bazë në Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës.

Bosnje dhe Hercegovina zotëron territor

Një nga pikat e nënshkruara nga kryetarët e partive në Republikën Sërpska thotë se Bosnje dhe Hercegovina nuk zotëron territor të saj dhe se Bosnje dhe Hercegovina ka vetëm kufi të jashtëm.

Në përputhje me nenin 1, paragrafi 3 i Kushtetutës së Bosnjës, entitetet janë pronare të territorit. Sipas Aneksit 2 të Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnje dhe Hercegovina nuk zotëron territor, por vetëm kufi të jashtëm.

Askund në këtë nen të Kushtetutës së shtetit nuk thuhet shprehimisht se kush e zotëron territorin. Vetëm theksohet se “Bosnje dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republika Sërpska”.

Aneksi 2 i Marrëveshjes së Dejtonit trajton çështjet e demarkacionit midis entiteteve, si dhe rolin që do të luajë IFOR-i (Forcat Ushtarake Shumëkombëshe për Zbatimin e Paqes) në procesin e demarkacionit.

Bosnja nuk është koloni pa sovranitet

Partitë në Republikën Sërpska pretendojnë se Bosnje dhe Hercegovina është një koloni që nuk e ka sovranitetin e vet - gjë të cilën e arsyetojnë me ekzistencën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar (OHR) me dhe praninë e gjyqtarëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Ekzistenca e vazhdueshme e OHR-së dhe gjyqtarëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës tregon se Bosnja është nën statusin kolonial dhe pa sovranitetin e vet.

Në Preambulën e Kushtetutës thuhet se nënshkruesit e saj janë “të përkushtuar ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Bosnje dhe Hercegovinës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është themeluar me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Dejtonit dhe ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit civil të asaj marrëveshjeje.

Përfaqësuesi i Lartë është “autoriteti i fundit në terren” për këtë post.

Përbërja, procedurat dhe juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës përcaktohen me nenin 6 të Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Aty thuhet se katër gjyqtarë zgjidhen në Parlamentin e entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, dy në Parlamentin e entitetit Republika Sërpska dhe tre zgjidhen nga kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas konsultimit me Presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës.

Këta gjyqtarë nuk duhet të jenë shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës ose të vendeve fqinje.

Gjykata dhe Prokuroria

Në Republikën Sërpska duan, gjithashtu, ta shfuqizojnë juridiksionin e organeve gjyqësore në nivel shtetëror, Gjykatës dhe Prokurorisë.

Republika Sërpska, me një vendim të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, do të shfuqizojë juridiksionin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska, si organe antikushtetuese dhe të paligjshme.

Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës thotë se të gjitha funksionet që nuk u janë besuar shprehimisht institucioneve të Bosnjës, u përkasin entiteteve, dhe nuk përmend në mënyrë eksplicite gjyqësorin.

Megjithatë, Kushtetuta përmend mundësinë që Bosnja të marrë “juridiksionin në ato çështje për të cilat dakordohen entitetet” dhe të krijojë institucione shtesë.

Ligji i Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës është shpallur në vitin 2000 nga Wolfgang Petritsch, asokohe Përfaqësues i Lartë i Bosnje dhe Hercegovinës. Ligji është miratuar në Parlamentin shtetëror dy vjet më vonë.

Pas Petritschit, pasardhësi i tij, Paddy Ashdown, ka shpallur Ligjin për Prokurorinë e Bosnjës, në vitin 2002. Ai është miratuar një vit më vonë.

Cilat janë kompetencat shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës?

Koalicioni qeverisës në Republikën Sërpska ka deklaruar në planin e tij se kompetencat e transferuara në nivelin e Bosnje dhe Hercegovinës nuk përmenden në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Bosnjës.

Republika Sërpska do të respektojë sundimin e ligjit sipas nenit 1.2 të Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, t’i zbatojë ligjet dhe aktet e tjera të autoriteteve të Republikës Sërpska në përputhje me të gjitha kompetencat e tyre, të cilat nuk janë të përcaktuara shprehimisht me Kushtetutën e Bosnjës si kompetenca që u përkasin institucioneve në nivel të Bosnjës.

Ky nen thotë se Bosnje dhe Hercegovina është “një shtet demokratik që funksionon në përputhje me ligjin dhe mbi bazën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.

Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës përcakton në mënyrë eksplicite dhjetë kompetenca të institucioneve të Bosnjës - ndër të tjera: politika e jashtme, tregtia e jashtme, politika monetare dhe doganore, financimi i institucioneve, çështjet e migracionit.

Shteti i Bosnje dhe Hercegovinës mund të marrë përsipër kompetenca të tjera për të cilat bien dakord entitetet.

Ekziston gjithashtu mundësia që brenda një periudhe gjashtëmujore nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, entitetet i fillojnë negociatat “me synimin për të përfshirë çështje të tjera nën juridiksionin e institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG