Ndërlidhjet

Zelensky thotë se Rusia “duhet ta ndiejë” luftën, teksa Moska pretendon se zmbrapsi një inkursion


Një shtëpi digjet në qytezën Sudzha, pas një inkursioni të trupave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, 7 gusht 2024.
Një shtëpi digjet në qytezën Sudzha, pas një inkursioni të trupave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, 7 gusht 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten vonë se Rusia solli luftë në vendin e tij dhe tani “duhet patjetër ta ndiejë çfarë ka bërë”, pasi Moska pretendoi më herët se e ka zmbrapsur një inkursion befasues ukrainas në rajonin e saj kufitar, Kursk.

Zelensky nuk iu referua drejtpërdrejt inkursionit, për të cilin Rusia tha se po ndodh që tri ditë dhe në të janë të përfshirë deri në 1.000 ushtarë ukrainas, të mbështetur nga tanke, autoblinda dhe artileri.

Ai tha se e ka marrë një raport nga gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i ushtrisë ukrainase, dhe e quajti operacionin ushtarak të “frytshëm” dhe e cilësoi si diçka që “vendi ynë ka nevojë saktësisht tani”.

Mykhaylo Podolyak, këshilltar i Zelenskyt, e komentoi tërthorazi operacionin më herët të enjten. Ai shkroi në X se shkaktari thelbësor i çdo përshkallëzimi, bombardimi, operacioni ushtarak, evakuimi të detyrueshëm, dhe shkatërrimi i jetës normale, “përfshirë brenda vetë territorit të Rusisë, si rajonet Kursk dhe Belgorod, është vetëm agresioni i qartë i Rusisë”.

Edhe Zelensky komentoi tërthorazi për inkursionin, duke thënë në Telegram se “Rusia solli luftë në tokën tonë dhe tani duhet patjetër ta ndiejë çfarë ka bërë”.

Pa e përmendur Kurskin, ai tha se i ka pranuar tri raporte nga gjenerali Syrskiy dhe se “raportet janë efektive. Saktësisht ajo që i nevojitet vendit tonë tani”.

Në një komunikatë më 8 gusht, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se njësitet kufitare dhe njësiti Veriu të Rusisë i parandaluan përpjekjet e forcave ukrainase për t’u futur në këto qarqe.

Më herët, Ministria ruse pretendoi se ka rrëzuar gjashtë dronë dhe pesë raketa mbi rajonin e Kurskut dhe 14 dronë mbi rajonin e Belgorodit.

Guvernatori rajonal i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se një burrë u vra nga granatimet ukrainase në Shebekino, ndërsa një person tjetër u plagos.

Ndërkohë, në rajonin lindor Donjeck të Ukrainës, dy civilë u vranë më 8 gusht nga granatimet ruse në Kostiantinivka, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin.

Guvernatori në detyrë i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov, më 7 gusht shpalli gjendje të jashtëzakonshme, teksa ofensiva tokësore ukrainase po vazhdon dhe Rusia tha se kjo ofensivë po mbështetet nga tanket, autoblindat dhe artileria.

Dmitry Medvedev, ish-presidenti i cili tash është zëvendësshef i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, bëri thirrje që trupat ruse të avancojnë më thellë në territorin e Ukrainës.

Duke komentuar për inkursionin ukrainas në rajonin e Kurskut, Medvedev tha se Moska duhet të synojë përtej sigurimit të territoreve që Rusia pretendon se janë të sajat dhe bëri thirrje për avancim të mëtejmë në rajonet ukrainase të Odesës, Harkivit, Dnipros, Mikolajivit dhe Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më herët ka akuzuar Kievin se ka gjuajtur raketa ndaj civilëve dhe caqeve të banuara në rajon, ndërkaq blogerët rusë proluftës thanë se një numër i fshatrave janë marrë nën kontroll nga forcat ukrainase, teksa ato po avancojnë në territorin rus.

Më 7 gusht, Putin tha se ky operacion ushtarak “është një tjetër provokim i madh”.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar për inkursionin e raportuar në Kursk, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi më 7 gusht se është e rëndësishme të vazhdohet shkatërrimi i armikut “po aq saktë sa dinë ushtarët tanë dhe po aq në mënyrë efektive sa jep rezultat”.

Sa më shumë presion ndaj Rusisë, aq më afër do të jetë paqja, tha ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se megjithëse blloku nuk komenton operacionet në fushëbetejë, ai beson se “Ukraina ka të drejtë ligjore për të mbrojtur veten, duke përfshirë goditjen e agresorit në territorin e tij”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby, tha se Shtëpia e Bardhë ka kontaktuar me Ukrainën “për të kuptuar më mirë” situatën në rajonin e Kurskut.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, konfirmoi se politika e Uashingtonit për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina, përtej kufirit apo kundër ndërtesave ushtarake ruse, nuk ka ndryshuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG