Mesazhet mbështetëse për Serbinë “në luftën” për Kosovën – që shpalli pavarësinë më 2008, të cilën Serbia nuk e njeh, pavarësisht se shumica e shteteve perëndimore e njohin – u dërguan nga disa politikanë evropianë në korrik përmes postimeve në rrjetin X, që më herët njihej si Twitter.
Pas këtyre postimeve, Radio Evropa e Lirë zbuloi kontakte ndërmjet djathtistëve serbë dhe evropianë, të cilët lidhën tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Nick Griffin, ish-anëtar i krahut të djathtë i Britanisë në Parlamentin Evropian, i cili u dënua më 1998 në Mbretërinë e Bashkuar për mohimin e Holokaustit, shkroi më 10 korrik në X se “Kosova është Serbi”, por edhe “Çlironi Kosmetin [Kosovën dhe Metohinë] tani”.
Roberto Fiore, politikan djathtist nga Italia, që u dënua në Romë në vitet ’80 për shkak se ishte anëtar i një grupi terrorist fashist, shkroi në X se “përgjegjësia kryesore për situatën në Kosovë bie mbi NATO-n, që vepron si ushtri pushtuese”.
Këto postime u publikuan pas një konference të mbajtur në Beograd më 8 korrik të quajtur “Djathtistët evropianë mbi krizën në Kosovë”. Disa politikanë nga partitë e ekstremit të djathtë morën pjesë në këtë konferencë, e cila u organizua nga partia serbe, Të drejtat e serbëve, që është jashtë Parlamentit. Disa pjesëtarë të kësaj partie në të kaluarën janë dënuar për deklarata antisemitike.
Kosova ishte subjekt edhe i një ngjarjeje tjetër online të organizuar në qershor nga një degë e partisë holandeze e krahut të djathtë, “Forumi për Demokraci”, liderët e të cilit më herët kishin mbështetur Rusinë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës. Tema e këtij diskutimi në X u definua si “Qëllimet e vërteta të NATO-s në Kosovë”.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për normalizimin e raporteve që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Thirrjet për “çlirim të Kosovës” nga liderët e ekstremit të djathtë
“Është koha për çlirimin e Kosovës dhe Metohisë. A është i mundur? Unë them se po. NATO sot nuk është e aftë t’i rezistojë një akti serioz të çlirimit”, tha presidenti i Lëvizjes Nacionaliste të Krishterë, Nick Griffin, gjatë konferencës në Beograd më 8 korrik. Ky politikan britanik nuk dha më shumë detaje lidhur me propozimin e tij për Kosovën, përderisa shteti nga i cili vjen është pjesë e NATO-s.
Griffin ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian deri në vitin 2014, në kuadër të Partisë Nacionale Britanike, nga e cila më pas u përjashtua.
Ai avokon pikëpamjet e tij kundër migrantëve dhe në vitin 1998 ishte dënuar për nxitje të urrejtjes, pasi kishte publikuar materiale përmes së cilave mohonte Holokaustin. Ai është dënuar me nëntë muaj burgim dhe u pezullua për dy vjet, shkroi Guardian.
Më 2015 ai foli në një forum në Shën Petersburg, ku, mes tjerash, ai tha se çdo shtet evropian kishte kohën që të udhëhiqte Evropën dhe botën dhe se tani është koha e Rusisë, raportoi Financial Times.
Kjo nuk është hera e parë që Griffin qëndron në Serbi dhe bashkëpunon me organizatat serbe të krahut të djathtë.
Në vitin 2017, sipas mediave, Griffin u ndalua që të hynte në Hungari, dhe më 2019 ai ishte në listën e sanksioneve që Facebook ua mbylli llogaritë në këtë rrjet social.
“Njerëzit dhe organizatat që përhapin urrejtje apo sulmojnë të tjerët bazuar në atë që janë, nuk kanë vend në Facebook dhe Instagram”, u tha në deklaratën e Facebook-ut, që së bashku me Instagram-in janë në pronësi të Meta Platforms, raportoi Reuters.
Organizata italiane e ekstremit të djathtë Forza Nuova (Forca e Re) që nga viti 2019 është po ashtu në “listën e zezë” të Facebook-ut.
Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Roberto Fiore, gjatë konferencë të djathtistëve në korrik bëri thirrje për “kthimin e Serbisë në Kosovë”.
“Çfarë duhet të bëjmë ne si evropianë? Ne duhet të mbështesim serbët në kërkesën e tyre, që është shumë e thjeshtë, që të kthehen në territorin [Kosovë] që iu takon”, tha ai, pavarësisht faktit se serbëve nuk iu ndalohet që të shkojnë në Kosovë, pjesa veriore e së cilës është e banuar me shumicë serbe.
Roberto Fiore, po ashtu, është i lidhur me neo-fashizmin. Sipas mediave, më 1985 ai u dënua në mungesë si bashkëpunëtor i grupit terrorist fashist “Nuclei Armati Rivoluzionari”.
“Serbia i takon Kosovës, Kosova i takon Serbisë”, tha gjatë kësaj ngjarjeje Claus Cremer, i cili është kryetar për çështje të jashtme në partinë Die Hemat në Gjermani – një shtet tjetër që e njeh pavarësinë e Kosovës.
Die Heimat është emri i ri i partisë së ekstremit të djathtë, Partia Nacionale Demokratike e Gjermanisë.
Mediat kanë raportuar se janë iniciuar dy procedura për të ndaluar këtë parti. Në procedurën e fundit më 2017, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë u shpreh kundër ndalimit të kësaj partie dhe në shpjegim u tha se kjo parti “ndjek qëllime jokushtetuese”, por nuk ka dëshmi të mjaftueshme se “kjo sjellje do të jetë e suksesshme”, raporti Deutsche Welle.
Vetë Cremer është dënua me një dënim pezullues më 2005 për shkak të deklaratave antisemitike.
Yvan Benedetti, president i partisë franceze Les nacionalists (Nacionalistët) – shteti i të cilit po ashtu ka njohur Kosovën – foli gjatë konferencës.
Benedetti, sipas AFP-së, më 2011 përkohësisht u përjashtua partia e djathtë, Fronti Nacional, për shkak të deklaratave, në të cilat ai tha se është antisemitik.
Sipas gazetës franceze, Le Parisien, më 2011 ai u dënua për deklaratat antisemitike, pasi e cilësoi komunitetin hebre si incestoz.
Michael Colborne, gazetar në portalin hulumtues Bellingcat, i cili fokusohet në rolin e ekstremit të djathtë në Evropën Qendrore dhe Lindore, i tha Radios Evropa e Lirë se tubime të tilla të ekstremit të djathtë nuk shkaktojnë dëm të menjëhershëm, por ato nuk duhet të injorohen.
“Personalitete të tilla synojnë të prezantojnë ide ekstremiste në shtete dhe në rajon në përgjithësi. Këto ide ekstremiste, siç kemi parë fatkeqësisht në rajon dhe më gjerë, mund të çojnë në vdekje dhe shkatërrim”, tha Colborne.
Anëtarët e partisë së ndaluar greke, Agimi i Artë, pjesëmarrës në konferencën në Beograd
Nikoqiri i konferencës “Djathtistët evropianë mbi krizën në Kosovë”, Misha Vaçiq, prezantoi folësit në konferencë dhe theksoi se në të po merrnin pjesë edhe dy pjesëtarë të partisë së ndaluar greke, Agimi i Artë.
“Ata tani po luftojnë përmes partive të ndara të krahut të djathtë”, tha Vaçiq më 8 korrik.
Agimi i Artë u ndalua më 2020 dhe udhëheqja e këtij subjekti u dënua me burgime të gjata. Ata u dënuan për udhëheqje të një organizate kriminale.
Yiannis Zografos, kryetar i partisë ELASYN, gjithashtu mori pjesë në konferencë.
Ai udhëheq një parti të ekstremit të djathtë, të themeluar më 2019 nga Yiannis Lagos, i cili ishte një prej udhëheqësve të Agimit të Artë. Më 2020, gjykata e dënoi atë me 13 vjet burgim për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë udhëheqjen e një organizate kriminale.
Zagrafos, që mori pjesë në konferencë, ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Lagosit.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe Zois Bechlis, kryetar i Kinhma 21, një parti në Greqi në manifestin e të cilit thuhet se janë për “mbrojtjen e krishterimit kundër islamit”.
Bechlis, sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e partisë, me profesion është doktor ushtarak.
Në biografi, po ashtu, thuhet se Bechlis është “themelues i shërbimit të posaçëm mjekësor të inteligjencës” që synon përgatitjen “e përplasjes me turqit”.
Turqia dhe Greqia kanë mospajtime të kamotshme për të drejtat për eksploatimin e naftës në lindje të Mesdheut dhe për praninë e trupave greke në ishujt grekë në lindje të Egjeut, afër bregdetit turk.
Për më tepër, Turqia pushtoi Qipron më 1974 dhe që atëherë ky ishull është i ndarë në vija etnike. Vetëm Turqia njeh shtetin e shkëputur të Qipros Turke që gjendet në veri të ishullit.
Lidhjet ndërmjet djathtistëve evropianë dhe atyre serbë
Organizatori i konferencës në Beograd, njëherësh udhëheqësi i partisë Të drejtat e serbëve, Misha Vaçiq, më herët kishte vendosur kontakte me anëtarët e ekstremit të djathtë në Evropë.
Në maj të vitit 2021, Vaçiq ishte në mesin e përfaqësuesve të organizatave të ekstremit të djathtë nga disa shtete evropiane që u mblodhën në Romë.
Tubimi në kryeqytetin italian, nën sloganin “Evropa e Jonë”, u organizua nga partia e ekstremit të djathtë në Itali, Forza Nuova, sekretari i përgjithshëm i së cilës, Roberto Fiore, mori pjesë në konferencën në Beograd.
Në këtë ngjarje, veç tjerash, u shfaqën edhe bluza me mesazhe sikurse “fashizmi i shekullit XXI”.
Që nga fundi i vitit 2016 deri në fillim të vitit 2017, Vaçiq u punësua në Zyrën për Kosovën në Qeverinë serbe. Në njërën prej mbledhjeve themeluese të lëvizjes së tij, mysafirë ishin edhe djathtisti britanik, Jim Dawson, dhe politologu rus, Leonid Savin, që është redaktor në ueb-faqen e Konstantin Malofeev, që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainë.
Gjithashtu, Aleanca për Paqe dhe Liri (APF), që mbledh partitë e ekstremit të djathtë dhe lëvizjet në mbarë Evropën, mbajti konferencën e “Kombeve të Evropës” në shtator të vitit 2021, ku mesazhi që u dëgjua ishte mohimi i pavarësisë së Kosovës. Takimi u organizua nga Misha Vaçiq.
Ndryshe, Vaçiq mbështet pushtimin rus të Ukrainës. Si vëzhgues ndërkombëtar, ai mbikëqyri referendumin për bashkim me Rusinë, që u mbajt në shtator të vitit 2022 në rajonet e pushtuara ukrainase.
Vaçiq gjithashtu ka organizuar pikturimin e muralit në Beograd kushtuar grupit mercenar rus, Wagner, që ka marrë pjesë në luftën në Ukrainë. Ky mural u zbulua më 2021 në Beogradin e Ri.
Kritikat ndaj NATO-s në Kosovë, lidhjet me Rusinë
Kosova ishte temë edhe në një ngjarje tjetër të organizuar nga organizata e ekstremit të djathtë në Holandë – Forumi Ndërkombëtar për Demokraci. Holanda është në mesin e shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, dega e partisë holandeze, Forumi për Demokraci, organizoi në rrjetin X një diskutim online më 22 qershor, të titulluar “Qëllimet e vërteta të NATO-s në Kosovë”.
Në këtë ngjarje mori pjesë lideri i kësaj partie, njëherësh deputeti holandez, Thierry Baudet, të cilit përkohësisht iu ndalua e drejta e fjalës në Parlamentin holandez më 2022, pasi deklaroi se bota po udhëhiqet nga “zvarranikët”, pasi refuzoi të deklaronte pasurinë e tij.
Më 2021, Baudet u përball me gjykim pasi masat për COVID të vendosura nga Holanda i krahasoi me Holokaustin. Në dhjetor, gjykata e dënoi atë me gjobë apo me largimin e postimeve kundërthënëse nga rrjetet sociale.
Dy liderë të partive të djathta në Serbi morën pjesë në diskutimin online, dhe disa pjesëmarrës, përfshirë edhe organizatorin e ngjarjes, sipas mediave, shprehën simpati apo ishin të lidhur me aparatin shtetëror rus.
Michael Colborne, gazetari i Bellingcat, tha se organizatori i ngjarjes është i njohur në Holandë si “tejet pro-rus”.
“Ata [Forumi për Demokraci] madje ftuan ambasadorin rus në ngjarjen që organizuan vitin e kaluar. Pavarësisht lidhjeve apo simpatisë ndaj Rusisë, aktivitetet e tyre dhe ambiciet në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të injorohen”, tha ai.
Në diskutimin online mori pjesë edhe ish-deputeti holandez, Marcel de Graaff, i cili në tetor të vitit 2022 u largua nga grupi i ekstremit të djathtë, Identitet dhe Demokraci, në Parlamentin Evropian, sepse pretendoi se ky grup ishte kundër Rusisë.
Më pas ai tha se dëshiron “të shtensionojë konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës”, duke hequr të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe duke ndaluar dërgimin e armëve dhe mbështetjes financiare për Ukrainën, raportoi Politico.
Gjatë diskutimit në X lidhur me Kosovën, ai tha se “NATO-ja ka krijuar një situatë konfliktuale në Kosovë në mënyrë që të mund të ndërhyjë” pavarësisht thirrjeve nga aleanca për uljen e tensioneve.
Më 5 korrik, ndihmëssekretari i përgjithshëm për çështje operacionale në NATO, Thomas Goffus, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Që nga qershori i vitit 1999, NATO ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë (KFOR). Ky mision nisi mandatin pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe që zgjati 78 ditë.
Fushata e bombardimeve ndaj ish-republikës së Jugosllavisë kishte për qëllim ndaljen e krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Drejtori i Forumit Ndërkombëtar për Demokraci (organizator i ngjarjes), John Laughland, po ashtu mori pjesë në diskutimin në X.
Ai është historian britanik, euroskeptik dhe komentues i rregullt në rrjetin televiziv rus, Russia Today. Laughland po ashtu shpesh boton shkrime në ueb-faqen e organizatës joqeveritare të Këshillit të Atlantikut.
Ai po ashtu është drejtor i studimeve në Institutin për Demokraci dhe Bashkëpunim në Paris. Laughland ka konfirmuar se ky institut financohet nga fondacione private ruse, por nuk ka treguar se cilat janë ato, ka shkruar Politico.
Pse është Kosova në fokus?
Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë vazhduar që nga viti 2011, aktualisht kanë ngecur për shkak të tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 4 gusht se pjesëtarët e njësive speciale po tërhiqen gradualisht nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës ku jeton popullata shumicë serbe, bazuar në marrëveshjen me BE-në për shtensionimin e situatës.
Tensionet e fundit në veri u rritën në fund të majit, kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë - veprim ky që u kundërshtua nga popullata lokale serbe që bojkotoi zgjedhjet në veri të Kosovës.
REL-i nuk ka marrë përgjigje nga e djathta serbe, organizatori i konferencës në Beograd, si dhe organizatori i bisedës në X, “Forumi Ndërkombëtar për Demokraci”, pse Kosova është aktualisht në fokusin e tyre. REL-i nuk ka marrë përgjigje për këtë pyetje as nga pjesëmarrësit të të dyja ngjarjeve.
Mirza Bulubashiq, asistent në Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë të Universitetit të Sarajevës dhe autor i një raporti për Komisionin Evropian mbi ekstremizmin e krahut të djathtë në Ballkanin Perëndimor, tha se "subjektet e caktuara në spektrin e krahut të djathtë" aktualisht shohin një mundësi për të theksuar idetë e tyre politike.
"E djathta ka krijuar rrjete dhe forcon marrëdhëniet në tokën evropiane për një kohë të gjatë. E djathta po ndërton politika të vështira përmes Serbisë. Kjo është më tepër produkt i lidhjeve të forta midis të djathtës serbe dhe të djathtës së BE-së dhe rrethanave aktuale”, tha ai.
Gjatë një diskutimi në X për Kosovën në qershor, historiani euroskeptik britanik, John Loughland tha, ndër të tjera, se "Bashkimi Evropian e refuzon krishterimin si një formë identiteti".
Sipas bashkëbiseduesit të REL-it, citati i mëparshëm i Loughlandit përmban thelbin e interesit afatgjatë të ekstremit të djathtë në Evropë në Kosovë.
Michael Colborne, gazetar i Bellingcat, beson se Kosova është fokusi i "shumë ekstremistëve të djathtë në të gjithë Evropën", sepse ajo përshtatet në "konceptimet e tyre ekstremiste se kush është evropian dhe kush nuk është".
"Ai është i rrënjosur në islamofobinë e thellë dhe ata e shohin konfliktin Kosovë-Serbi si një luftë të tepërt të thjeshtuar midis myslimanëve 'joevropianë' dhe të krishterëve 'evropianë'", tha ai.
Dhe Mirza Bulubashiq nga Universiteti i Sarajevës tha se Kosova ka "rëndësi simbolike" për të djathtën ekstreme.
“[Kjo] mundëson që politikat e djathta të vazhdojnë të homogjenizohen, ndër tjerash, në bazë të identitetit të krishterë, pavarësisht kontradiktave të herëpashershme, duke thjeshtuar formulën mitologjike se Kosova është pararendëse e krishterimit dhe se vlerat evropiane mbrohen në Kosovë”, tha Bulju Bulubashiq.
Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, është njohur nga shumica e shteteve anëtare të BE-së, si dhe nga Shtetet e Bashkuara. Shumica e popullsisë në Kosovë është me origjinë shqiptare dhe gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja.