Ndërlidhjet

Një ditë afat për ndryshimin e emrave nxitës të klubeve bullgare


Takimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Osmani, me përfaqësuesit e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, 15 shkurt 2023.
Takimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Osmani, me përfaqësuesit e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, 15 shkurt 2023.

Klubi kulturor bullgar në Ohër “Car Borisi i Tretë” ka paralajmëruar se do të ndryshojë emrin, ndërsa klubi tjetër në Manastir “Vanço Mihajllov” do të ankimojë vendimin e autoriteteve maqedonase, me të cilin parashihet që klubet me emrat “provokues e fyes” kanë afat deri më 16 shkurt t’i ndryshojnë emrat e tyre.

Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se klubi nga Ohri tashmë është njoftuar me procedurat për zëvendësimin e emrit “Car Borisi i Tretë” me një emër tjetër, pa saktësuar se çfarë emri do të mbajë ai.

Kryetari i klubit “Vanço Mihajllov”, Lupço Gjorgievski, ka thënë për mediat se nuk ka ndërmend ta ndryshojë emrin e klubit dhe se do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për realizimin e të drejtave të tyre, dhe nëse është e nevojshme do të paraqesë padi edhe në Strasburg.

Sipas dispozitave të reja të Ligjit për shoqatat dhe fondacionet, ato mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, por jo të mbajnë emra të personaliteteve që janë të lidhura me mungesën e tolerancës racore, fetare, kombëtare, etnike dhe të tjera apo që nxisin urrejtje, gjenocid, përhapje ose mbështetje të ideve të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit ose nëse janë të lidhura me Rajhun e Tretë.

Të mërkurën, një ditë para skadimit të afatit për ndryshimin e emrave, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatave bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Gjorgi Trendafilov dhe Lupço Gjorgievski, thanë pas takimit se nga Osmani, kërkuan që të punohet për qetësimin e tensioneve, sepse “në atmosferë të tensionuar nuk është e mundur të sillen zgjidhje cilësore, racionale, në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.

“Ne e informuam atë [ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani] për përmbajtjen e bisedimeve me komisionarin evropian, Oliver Varhelyi, dhe me grupet nga Parlamenti Evropian, që do të përpiqen që së bashku me grupet e tyre politike këtu në Maqedoninë e Veriut, të ndihmojnë në qetësimin e tensioneve në marrëdhëniet Shkup-Sofje. Kështu, në një atmosferë më të relaksuar të fillojë zbatimi i dispozitave nga Marrëveshja me Bullgarinë dhe nga propozimi francez, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të fillojë zyrtarisht negociatat me BE-në”, tha Trendafilov.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me raportin e Këshillit të Evropës se nuk ka diskriminim sistematik në Maqedoninë e Veriut, Trandafilov tha se është e drejta e tij të mos pajtohet me këtë.

“Aktiviteti i bullgarëve të Maqedonisë së Veriut, do të jetë në funksion të relaksimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”, tha ai.

Klubet bullgare me emrat “Cari Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, në katër muajt e fundit kanë shkaktuar tensione mes dy vendeve, pasi për palën maqedonase njihen si bashkëpunëtorë të Gjermanisë naziste dhe drejtues të luftërave për pushtimin e Maqedonisë së Veriut gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.

Tensione u regjistruan edhe gjatë shënimit të 151-vjetorit të Goce Dellçevit, më 4 shkurt, një personaliteti nga periudha e vitit 1900, identitetin e të cilit e pretendojnë dy shtetet.

Në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që synonte kapërcimin e dallimeve për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Por, në vend të kësaj, kjo marrëveshje përkeqësoi edhe më shumë raportet dhe bëri që Sofja në nëntor të vitit 2020 të vendos veto për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Vetoja bullgare u hoq më 16 korrik 2022, pasi Shkupi pranoi një propozim francez për zgjidhjen e dallimeve ndërmjet dy vendeve, megjithëse Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë edhe Kushtetutën e saj për përfshirjen e pakicës bullgare në të, pasi propozimi francez i jep mundësinë Sofjes që sërish të mund të bllokojë bisedimet me BE-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG