Ndërlidhjet

Dita e parë e punës e Qeverisë së re maqedonase


Qeveria e re maqedonase e kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski (rreshti i parë në mes), Shkup, 23 qershor 2024.
Qeveria e re maqedonase e kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski (rreshti i parë në mes), Shkup, 23 qershor 2024.

Me ekonominë në qendër të programit, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut filloi ditën e parë të punës më 24 qershor.

Talat Xhaferi ia dorëzoi detyrën kryeministrit të ri dhe liderit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Qeveria e të cilit u zgjodh nga deputetët e Kuvendit të dielën, me 77 vota për.

Kabineti i Mickoskit, i përbërë nga 23 ministra, pesë prej të cilëve zëvendëskryeministra, ka prezantuar një program prej 60-faqesh.

Përveç VMRO DPMNE-së, pjesë e Qeverisë janë edhe koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM.

"Vend kryesor në misionin tonë zë rimëkëmbja ekonomike e vendit tonë. Do të fillojmë një cikël të ri të fuqishëm të rritjes ekonomike", tha Qeveria e re.

Mickoski tha se nuk dëshiron “muaj mjalti” në njëqind ditët e para, duke paralajmëruar një fillim “të furishëm” me rezultate të dukshme që në fillim.

Megjithatë, opozita shpreh dyshime për realizimin e hapave të tillë.

“Pa negociata me BE-në nuk ka ndryshime

Analisti politik nga Shkupi, Xhelal Neziri, është skeptik se ky grup politik në Qeverinë e re do të sjellë “rezultate të jashtëzakonshme”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një rotacion qeverisës, edhe Qeveria e Mickoskit, si dhe ajo e Zoran Zaevit në vitin 2017, nuk do të jetë në gjendje të ofrojë rezultate derisa vendi t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke hapur kapituj.

“Sfida e kësaj Qeverie janë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë parakusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE. Pa vazhdimin e atij procesi, nuk do të ketë integrim evropian dhe me këtë nuk mund të presim ndryshime pozitive. Një qeveri e korruptuar do të zëvendësohet me një tjetër të tillë dhe kjo tashmë po bëhet normale në vendin tonë. Shpresoj se diçka do të mund të ndryshojë, sepse ende ka hapësirë që Qeveria aktuale t’i respektojë ndryshimet kushtetuese”, thotë Neziri për
Radion Evropa e Lirë (REL).

Në korrik të vitit 2022, Maqedonia e Veriut mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në dhe për të vazhduar procesin e anëtarësimit, është e nevojshme që pakica bullgare të përfshihet në preambulën e Kushtetutës maqedonase.

Pak minuta para se të zgjidhej kryeministër, Mickoski nga foltorja e Kuvendit të dielën deklaroi:

“Një diktat i tillë bullgar në kushte të tilla nuk do të kalojë dhe derisa unë jam në detyrë, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese”.

Çështja e Marrëveshjes së Prespës

Ndërkohë, edhe pala greke e ka paralajmëruar Shkupin për Marrëveshjen e Prespës, duke thënë se duhet ta respektojë atë për ta mbajtur të hapur rrugën drejt BE-së.

Kryeministri i ri, Mickoski, thotë se e pranon realitetin dhe do të përdorë emrin kushtetues në komunikimin zyrtar, por jo në shfaqjet e brendshme dhe në deklaratat publike.

“Mbiemrin e turpshëm do ta them gjatë betimit, sepse më kujton turpin që i keni sjellë atdheut, familjes, nipërve të mi të palindur. Do të bëj gjithçka që mundem sa të jem gjallë për ta korrigjuar këtë padrejtësi. Për fat të keq, për momentin jam i pafuqishëm. Në këtë moment më duhet të them para jush se do të duhet të dorëzohem si njeri”, tha Mickoski në Kuvend.

Politika e përdorimit të emrit kushtetues në formë të shkruar, por jo gojarisht, të cilën e paralajmëron Qeveria e Mickoskit, sipas ish-ndërmjetësuesit në mes të Shkupit dhe Athinës, të emëruar nga Kombet e Bashkuara, Matthew Nimetz, do të shkaktojë probleme dhe konfuzion të vazhdueshëm.

"Kjo politikë nuk është e qëndrueshme në terma afatgjatë dhe nuk do t'i lejojë ata të luajnë një rol të duhur në bashkësinë ndërkombëtare", thotë Nimetz për gazetën greke Kathimerini.

Megjithatë, analisti Neziri konsideron se çështja e Marrëveshjes së Prespës nuk duhet të jetë problem. Siç thotë ai, VMRO DPMNE-së do t'i duhet kohë për t'u përshtatur me faktin se nga opozita ka kaluar në pushtet.

“Kjo rilindje nuk duhet të pritet të ndodhë brenda natës. Ai qëndrim për të respektuar Marrëveshjen me shkrim, por jo gojarisht si liri e fjalës, mendoj se është një fazë e tranzicionit drejt respektimit të plotë të Marrëveshjes. Nuk besoj se do të kemi probleme në këtë drejtim”, vlerëson Neziri.

Kjo çështje shpeshherë është përfshirë edhe në kritikat e deputetëve të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) nga foltorja e Kuvendit në seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re, duke e akuzuar VMRO DPMNE-në për manipulimin e qytetarëve me narrativin e kthimit të emrit.

Premtime për rritje ekonomike dhe vende të reja pune

Ndryshe nga ata, kolegët e tyre nga shumica qeverisëse janë fokusuar te reformat, lufta kundër korrupsionit, investimet, përmirësimi i standardit të jetesës dhe masa të tjera ekonomike.

Ambiciet dhe pritjet e Qeverisë për ekonominë si prioritet janë që, nëse nuk ka trazira të paparashikuara ekonomike dhe politike, nga viti 2025 rritja vjetore e Bruto Produktit Vendor (BPV), do të jetë tre deri në pesë për qind.

Sipas programit, kjo do të bazohet në kushte të drejta për sipërmarrësit, investime kapitale publike, investime te prodhuesit vendorë, por edhe prurje të investitorëve të huaj.

“Qëllimi i Qeverisë është të ulë nivelin e papunësisë në 7.5 për qind deri në vitin 2028. Kjo do të thotë se në katër vjetët e ardhshëm do të hapen rreth 55 mijë vende të reja pune”, thuhet në program.

Nga foltorja e Kuvendit, Mickoski paralajmëroi hapat e parë, si: ulje të taksave, rritje të pensioneve, projekt prej 250 milionë eurosh për komunat, luftën kundër korrupsionit. Ai paralajmëroi edhe promovimin e një investimi prej 400 milionë eurosh më 25 qershor.

VMRO DPMNE-ja paralajmëroi edhe marrjen e një huaje të favorshme prej një miliard eurosh nga Qeveria e një shteti anëtar të BE-së.

LSDM-ja, nga ana tjetër, këtë nuk e sheh si sukses, por thekson se borxhi publik i shtetit do të rritet.

“Përllogaritjet tona thonë se së shpejti huamarrja do të shkojë nga 58.6 për qind, në diku rreth 66 për qind të BPV-së. Me huamarrjet e tjera do të shkojë deri në 70 për qind”, tha deputeti aktual dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi.

Krahas ekonomisë dhe standardit të lartë të jetesës që janë në fokus, pesë synimet e tjera tematike që Qeveria e re ka formësuar në program janë: lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit në institucione, një sistem institucional funksional, prioritetet kombëtare dhe të drejtat dhe liritë.

Ky ndryshim në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut pasoi fitoren bindëse të VMRO DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, në të cilat partia fitoi 58 nga gjithsej 120 mandate në Kuvend.

Partnerët e tyre të koalicionit, VLEN dhe ZNAM, fituan secili nga 14 dhe gjashtë mandate.

LSDM dhe koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili kaloi në opozitë, fitoi 18 mandate. Në radhët e opozitës janë edhe gjashtë deputetë të së majtës.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
XS
SM
MD
LG