Dita Botërore e Diabetit është shënuar edhe në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për sensibilizimin rreth diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.
Diabeti, konsiderohet si një sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, si pasojë e çrregullimit të prodhimit të insulinës në organizëm. Ndonëse nuk ka statistika të sakta, të raportuar janë më shumë se 13 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje.
Diabeti tip1, konsiderohet më problematik dhe numri i pacientëve që vuajnë nga ky tip i sëmundjes, është rreth 10 për qind e numrit total të të sëmurëve me diabet, si dhe është fazë më e avancuar krahasuar me tipat tjerë të kësaj sëmundjeje.
Njëra nga to është edhe Pranvera Hajdari, e cila thotë se krahas sfidës që ka me diabetin tip1, përballet edhe me mungesë të kohëpaskohshme të terapisë.
Edhe kur institucionet publike shëndetësore janë të furnizuara me terapi dhe material përcjellës, sipas saj, ato janë barna të tipave të vjetruar tashmë, që në shumë vende të botës nuk përdoren pasi që janë zëvendësuar me barna tjera.
“Para tre vjetësh jam diagnostikuar me diabet. Edhe babin dhe gjyshen i kam me diabet. Insulina është në listën esenciale, por shpesh nuk gjendet dhe duhet të presim në radhë. Do të ishte mirë që institucionet të kenë kujdes më të madh për këtë kategori të të sëmurëve. Po e them këtë pasi që terapitë që përdoren këtu, janë të ndryshme me ato që përdoren në botë. Këtu përdoren terapi me insulinë që injektohen drejtpërdrejt në trup, derisa në shtet tjera përdoren terapi të reja dhe ndryshe nga këto tonat”, thotë ajo.
Endokrinologët në vend thonë se për kategorinë e pacientëve me diabet tip1, do të duhej të sigurohen pompat e insulinës, të cilat imitojnë mënyrën e sekretimit të insulinës nga pankreasi.
Këto pompa të insulinës shërbejnë për marrjen e insulinës në sasi precize. Përmes saj mundësohet arritja e vlerës mesatare të sheqerit në gjak për tre muaj. Pompa është ideale dhe e ulë rrezikun e paraqitjes së hipo apo hiperglikemisë, si dhe parandalon shfaqjen e komplikimeve nga diabeti.
Rina Tafarshiku, endokrinologe në Klinikën e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se diabeti ka shënuar rritje nga viti në vit. Ajo pohon se pacientët e varur nga insulina analoge dhe humane, ende detyrohen t’i blejnë shiritat për glikemi.
“Në QKUK ende s’bëhet një analizë. Pacientët edhe pse kanë insulina analoge dhe humane, ende detyrohen t’i blejnë shiritat për glikemi. Vetëm muajin e kaluar kanë qenë 623 pacientë me diabet, 402 me diabet tip2. Ndryshe vitin e kaluar janë hospitalizuar 612 pacientë me diabet tip2, prej tyre 370 femra dhe 242 meshkuj”, bën të ditur ajo.
Ndërkaq, Sergey Karyak, shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë, bëri të ditur se në botë janë më shumë se 400 milionë persona të prekur nga diabeti. Ai tha se në shtetet e varfra kjo sëmundje është më shumë e pranishme.
Sëmundja e sheqerit prek edhe fëmijët. Aktualisht, në Kosovë nuk ka statistika të sakta as për fëmijët që vuajnë nga diabeti. Por, profesionistët shëndetësorë thonë se numri i tyre është çdo vit në rritje.
Në krahasimet afatgjate, thuhet nga profesionistë të fushës se, përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.