“Nëse diplomatët amerikanë janë kundër vizitimit të Susas, atëherë në djall të vejnë”, shkroi Caliber.az më 5 maj. Ky medium shihet nga shumëkush si një përfaqësues i Qeverisë autoritare të Azerbajxhanit.
Një ditë më vonë, Mark Libby, ambasadori amerikan në Azerbajxhan, u nis drejt Susas, një qytet i madh i rajonit Nagorno-Karabak, i cili njihet si Shushi në armenisht.
Një zëdhënëse e Ambasadës amerikane në Azerbajxhan tha për Radion Evropa e Lirë se vizita e Libbyt u bë “si pjesë e vizitave të tij të rregullta nëpër Azerbajxhan”. Por, shumëkush e ka vënë në pikëpyetje kohën e vizitës.
Më 3 maj, gjatë një tryeze të rrumbullakët me gazetarët azerbajxhanas, Libby u pyet nëse do ta vizitonte territorin që Bakuja e rimori nën kontroll së fundmi prej forcave etnike armene.
Ambasadori u përgjigj se Nagorno-Karabak dhe rajonet përreth ishin “paksa më ndryshe” krahasuar me pjesën tjetër të Azerbajxhanit dhe siguroi se nuk donte të “luante rol në një shfaqje propagande”.
Ambasadori shtoi se “kur të vijë koha [për t’i vizituar territoret e rimarra] do ta bëj”.
Por, ngurrimi i Libbyt për t’u futur në Nagorno-Karabak - i cili u banua nga armenët etnikë me shekuj, por ndërkombëtarisht njihet si tokë azerbajxhanase - u duk se e zemëroi Bakunë.
Një sërë shkrimesh, përfshirë shkrimin e lartcekur të mediumit azerbajxhanas – “Kohë e mirë për ta shpallur ambasadorin amerikan person non-grata” – lanë të kuptohej se Azerbajxhani mund ta përjashtojë diplomatin amerikan, i cili e mori detyrën në janar të këtij viti.
Në kohën e vizitës kundërthënëse të Libbyt më 6 maj, qarkullonin lajme se një kishë historike në Susa ishte çrrënjosur dhe se një fshat i tërë – më parë i populluar me armenë të krishterë – ishte fshirë, ndërsa në atë tokë ishte ndërtuar një xhami.
Në një përgjigje përmes emailit për REL-in në lidhje me pyetjet nëse ambasadori i kishte pyetur zyrtarët lokalë për shkatërrimin kulturor që kishte ndodhur në Susa, ose nëse udhëtimi i Libbyt ishte aprovuar nga Uashingtoni, Vanessa Schulz Zenji, zëdhënëse e Ambasadës amerikane në Baku, tha se ata “nuk komentojnë për bisedat private, diplomatike të ambasadorit me Qeverinë vendase”.
“Shtetet e Bashkuara e mbështetin ruajtjen e trashëgimisë kulturore armene dhe azerbajxhanase në Kaukazin Jugor dhe u bëjnë thirrje vendeve ta mbrojnë trashëgiminë kulturore në përputhje me detyrimet ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Schulz Zenji shtoi se ambasadori kishte thënë, derisa po e vizitonte rajonin Nagorno-Karabak, se udhëtimi i tij kishte qenë i planifikuar para “gati dy muajve”.
Megjithatë, mediumi Caliber.az, i cili është i lidhur me Qeverinë e Azerbajxhanit, pretendoi pas vizitës se shkrimi i tij e kishte “përshpejtuar” udhëtimin në Nagorno-Karabak. Vizita e Libbyt shkaktoi stuhi në rrjetet sociale, ku shumëkush pretendoi se ajo mund të shihet si një dritë jeshile nga Uashingtoni që Bakuja ta vazhdojë fshirjen e trashëgimisë armene në rajon.
David Sarkisian, një 26-vjeçar vendës i Susas, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 maj se “mendoj se asnjë ambasador i huaj nuk duhet ta vizitojë [Nagorno-Karabakun] përderisa çështja është e pazgjidhur. Fakti që ambasadori amerikan shkoi atje është në veçanti i pakëndshëm për mua”.
Schulz Zenji sugjeroi se vizita mund të jetë e lidhur me përpjekjet për një marrëveshje për paqe mes Bakusë dhe Jerevanit.
“Ne jemi inkurajuar nga hapat së fundmi drejt arritjes së një marrëveshjeje dhe ne jemi të përkushtuar ta mbështesim paqen e qëndrueshme dhe dinjitoze në rajon”, tha ajo.
Kur REL-i raportoi muajin e kaluar rreth dyshimeve për shkatërrimin kulturor në Susa, nuk mori përgjigje në pyetjet e tij dërguar administratës presidenciale të Azerbajxhanit.