Ndërlidhjet

Digjitalizimi i gjykatave, për rritje efikasiteti apo mbulim dështimesh?


Ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.
Ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.

Maqedonia e Veriut synon që deri në fund të vitit të nisë me digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Në këtë proces do të përfshihen edhe dy ekspertë amerikanë, të cilët do të asistojnë në vendosjen e internetit dhe të pajisjeve tjera në pesë gjykata të vendit, ku do të ketë nga një sallë të digjitalizuar, ka bërë të ditur ministri maqedonas i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Sipas tij, digjitalizimi nënkupton shërbime më cilësore dhe më të shpejta, mbajtjen online të seancave, që do të ketë efekt në mosshtyrjen e seancave, pra të pandehurit do të kenë më pak mundësi të gjejnë arsyetime për mosprezencë në seanca.

“Është një proces që duhet të sjellë kushte bashkëkohore për punë, efikasitet më të madh, një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, që do të jetë garantues i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Prandaj, ne kemi treguar vullnet të fortë politik, përkushtim për të reformuar sistemin gjyqësor me synimin për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Paralajmërime të tilla ka pasur edhe më parë nga Ministria e Drejtësisë, por deri më tani nuk është bërë asgjë, ndërkohë që gjyqësori vazhdon të përballet me kritika për mungesë të pavarësisë dhe për ndikime politike.

Që në vitin 2016, kur erdhi në pushtet, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kishte premtuar gjyqësi të pavarur dhe hetimin e të gjitha aferave që kishin përcjellë dhjetë vjetët e Qeverisë së mëparshme të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Por, edhe pesë vjet nga ndërrimi i pushtetit, dhjetëra procese gjyqësore ende nuk kanë një epilog, e që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë të Qeverisë së kaluar, si ministra, drejtorë e bartës tjerë të funksioneve publike.

Madje, edhe Prokuroria Speciale që ishte formuar për hetimin e aferave korruptive, u shua pikërisht për shkak të përfshirjes së drejtuesve të saj në korrupsion, siç ishte rasti me kryeprokuroren, Katica Janeva.

I pyetur se çfarë mund të ofrojë digjitalizimi i gjykatës, lidhur me pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës, thekson:

“Problemi me gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut nuk qëndron në digjitalizimin, por në korrupsionin, në zvarritjen e lëndëve gjyqësore që nuk kanë zgjidhje, nuk marrin epilog, dhe kufizojnë të drejtat e palëve për t’i ankimuar vendimet në instanca ndërkombëtare. Ndryshimet në gjyqësor duhet të bëhen brenda vetë gjyqësorit. Digjitalizimi është vetëm një arsye për të mbuluar shtyrjen e proceseve gjyqësore”, shprehet Selmani.

Ai thotë se gjyqësori mund të ngritet me reforma të thella që duhet të nisin nga gjykatësit, shumë prej të cilëve janë fajtorë për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.

“Maqedonia e Veriut është në vendin e fundit sa i përket zvarritjes së proceseve gjyqësore, ndërsa edhe në rastet kur ato mbyllen, nuk ka efikasitet në çështjen e përmbarimit. Prandaj, këtu kemi të bëjmë më tepër me një dekor se gjoja po bëhet diçka në sistemin e drejtësisë sesa që kemi një ndryshim të gjendjes faktike dhe problemeve që janë shumë të pranishme. Kemi vërejtje të shumta nga Bashkimi Evropian, siç janë korrupsioni, pasi nuk kemi asnjë rezultat në ndryshimin e gjendjes. Kemi shumë gjyqtarë nga qeverisja e kaluar që ishin emëruar për shkak të bindjeve të tyre politike, nuk kemi asnjë hetim të tyre, sikur edhe të pasurisë së tyre”, thotë Bashkim Selmani.

Instituti për Politika Evropiane, së bashku me institucione të tjera, po zhvillon një fushatë mbi rëndësinë e reformave dhe digjitalizimin e gjykatave.

Simonida Kacarska thotë se analizat e bëra theksojnë nevojën dhe interesin e qytetarëve për ndryshime në gjyqësor.

“Nga hulumtimet tona që kemi bërë në kuadër të këtij projekti për digjitalizimin e gjykatave, kemi konstatuar se ekzistojnë pakënaqësi të mëdha në mesin e qytetarëve. Ata duan që një pjesë e shërbimeve të jenë në formë digjitale, duan gjykatat të jenë më të shpejta dhe më të kapshme dhe vlerësojmë se kjo është një nga ato instrumentet kyçe”, thotë Kacarska.

Në uljen e punës së gjykatave ka ndikuar edhe pandemia e koronavirusit. Shumë seanca gjyqësore janë anuluar për shkak të infektimit qoftë të gjykatësve, prokurorëve apo të punonjësve tjerë, por edhe të të pandehurve, sikur dhe të palës mbrojtëse. Pikërisht kjo dhe paqartësitë mbi të ardhmen e pandemisë, sipas drejtuesve të institucioneve, imponojnë nevojën për digjitalizimin e gjykatave.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG