Ndërlidhjet

Shtyhet për një datë tjetër takimi i delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi


Flamuri i Bashkimit Evropian, foto nga arkivi
Flamuri i Bashkimit Evropian, foto nga arkivi

Është anuluar takimi ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili ishte planifikuar të zhvillohet të martën në Bruksel. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Avni Arifi, kryesues i delegacionit të nivelit teknik nga Kosova.

“Besoj se ndërkohë do të marrim informacione se a do të vazhdojë apo do të shtyhet në ndonjë afat të pacaktuar takimi”, tha Arifi.

Shtyrja e takimit, erdhi si pasojë e vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq, në orët e hershme të mëngjesit.

Me ta kuptuar lajmin, delegacioni i Serbisë kishte kërkuar që të kthehet në Beograd. Ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian, përmes zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kociançiq kishte konfirmuar shtyrjen e takimit.

Arifi ka thënë se temat që do të duhej të diskutoheshin në këtë takim kishin të bënin me energjinë, lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin rajonal.

Paraprakisht, të hënën delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një takim më shumë se tre orësh me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq në lidhje me takimin me palën nga Serbia, Arifi tha se ai ka qenë një vazhdimësi e temave të mëparshme.

“Ka qenë i planifikuar një diskutim rreth të gjitha marrëveshjeve, se ku ka mbetur procesi për gjendjen civile, energjinë, drejtësinë dhe çdo temë tjetër, për të cilat ka marrëveshje, por nuk janë zbatuar deri në fund”, tha Arifi.

Delegacioni i Kosovës, sipas një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, ka shprehur përkushtimin për dialog në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë atyre që janë të kyçur në këtë proces.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Këto dy vende kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht, ku është diskutuar për mënyrat e zbatimit të marrëveshjes së parë, nga e cila burojnë edhe shumë marrëveshje tjera.

Normalizimi i marrëdhënieve reciproke, mbetet kusht si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Në anën tjetër, Halil Matoshi, nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se takimi i planifikuar për ditën e sotme, ishte paralajmërim për vazhdimin e bisedimeve në nivelet politike, që sipas tij, pritet të shënojnë edhe nisjen e fazës së fundit e këtij procesi.

“Po paralajmërohet edhe rifillimi i negociatave në nivel politik. Por, para kësaj Kosova është në ndërtim e sipër të një konsensusi kombëtar dhe krijimit të një platforme të qartë, të shkurtë dhe të saktë se për çfarë duhet të bisedohet. Sepse negociatat duhet t’i afrohen fundit”, theksoi Matoshi.

Faza parë e dialogut u zhvillua përmes bisedimeve në nivel të kryeministrave. Ndërkaq faza e ardhshme, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të udhëhiqet nga shefat e shteteve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka kërkuar nga të gjitha instancat politike krijimin e një Ekipi të Unitetit në Kosovë, për fazën e ardhshme të dialogut më Serbinë.

Duke shpresuar se do ndodh formimi i ekipit të përbashkët politik, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Hashim Thaçi, ka shprehur besimin se dialogu do të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare, që nënkupton njohjet reciproke.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG