Ndërlidhjet

Osmani dhe Steinmeier pajtohen për “momentumin e veçantë” të krijuar nga propozimi i BE-së


Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, gjatë pritjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Berlin më 14 shtator 2021
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, gjatë pritjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Berlin më 14 shtator 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier, janë pajtuar se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një “momentum i veçantë” pas propozimit evropian për normalizim të raporteve.

Osmani dhe Steimeier në bisedën telefonike të zhvilluar më 21 shkurt, kanë biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për procesin integrues të Kosovës.

“Presidentja Osmani potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces [të dialogut] që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar u është dorëzuar një propozim i BE-së për normalizimin e raporteve, që njihej edhe si propozimi franko-gjerman. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Propozimi evropian nuk është bërë publik, por palët kanë deklaruar se e pranojnë të njëjtin.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Për këtë propozim pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të diskutojnë më 27 shkurt, në rundin e ri të bisedimeve në nivelin e lartë politik.

Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Kosova insiston që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia – që ka thënë se për të njohja është vijë e kuqe – kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG