Ndërlidhjet

Kryenegociatorët e dialogut nuk takohen në Bruksel


Flamuj të Bashkimit Evropian.
Flamuj të Bashkimit Evropian.

Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia nuk janë takuar të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Secili veç e veç kanë takuar të dërguarin special të bllokut evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, mirëpo nuk janë realizuar takime trepalëshe.

Pritet që takimet të vazhdojnë edhe të mërkurën.

Mësohet se ndër temat për të cilat është diskutuar kanë qenë ato që lidhen me energjinë, të pagjeturit dhe nismat rajonale.

Delegacionin e Kosovës e ka udhëhequr zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviq, drejtor në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Shefi i delegacionit të Serbisë ka thënë pas takimit se Beogradi ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.

Por, pala kosovare nuk ka pranuar që të bisedohet për këtë temë, prandaj duket se kjo edhe ka qenë arsyeja pse nuk ka pasur takim trepalësh.

Lajçak ka thënë përmes një postimi në Twitter se ka takuar ndaras palët dhe ua ka bërë të ditura pritjet e vendeve të BE-së.

"Është koha për përparim të vërtetë", ka deklaruar ai.

Serbia insiston se zbatimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë prioritet në procesin e dialogut, ndërsa për Kosovën prioritet është çështja e të pagjeturve.

Më 15 nëntor, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se blloku pret që palët t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Borrell po ashtu ka thënë se pret që para fundit të vitit të mbahet një takim i ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar në muajin korrik.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Synim i tij është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG