Arritja e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dominuar debatet në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë.
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë elaboruar në pika të shkurta idenë që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit.
Në shumë raste, Thaçi e Vuçiq e kanë trajtuar këtë fazë të dialogut më tepër si dialog për arritjen e marrëveshjes shqiptaro – serbe, si dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha gjatë konferencës përmbyllëse në Alpbach se tani kur procesi i dialogut është në finale, Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Presim marrëveshjen për kufirin, ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”, tha Thaçi.
“Ne ende nuk kemi hyrë në fazën finale të procesit dhe ne kemi nevojë për mbështetje të BE-së dhe SHBA-së dhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje ligjore të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të na ndihmojnë në rrugën tonë për marrëveshjen paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Më mirë tash se me vonë”.
Sipas presidentit Thaçi, pa arritjen e një marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën në “rrugën drejt BE-së dhe rajoni do të vuajë nga rreziku i jostabilitetit”.
Thaçi sërish përmendi idenë për korrigjimin e kufirit mes dy vendeve, duke thënë se “askush nuk duhet të ketë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë edhe nëse kjo marrëveshje do të thotë korrigjim kufiri”.
“Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat, as të fundit që bëjnë korrigjim kufiri”, tha presidenti Thaçi.
(Video: Presidenti Thaçi duke shpalosur idenë për korrigjimin e kufirit. Alpbach, 25 gusht, 2018)
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk mund të ketë marrëveshje, nëse palët nuk pajtohet për çdo gjë.
“Unë nuk mund të them se jemi afër ose nuk jemi afër një marrëveshjeje të mundshme sepse për asgjë nuk pajtohemi, nëse nuk pajtohemi për çdo gjë”, tha Vuçiq.
“Unë jam gjithmonë pesimist sepse e di sa vështirë është të ecim në të ardhmen dhe unë e di sa shumë dallime kemi mes veti. Mirëpo, ka diçka të përbashkët që ne të dy palët duhet ta gjejmë një zgjidhje. Nuk është se e duam këtë për vete, por për popujt tanë”, tha tutje presidenti serb.
Ai edhe njëherë përmendi faktin se Kosova, sipas tij, ka një status që nuk është i zgjidhur, ngase gjysma e botës e njeh si shtet të pavarur, por gjysma tjetër e njeh si pjesë të Serbisë. Andaj, ai kërkoi që të gjendet një zgjidhje.
Presidenti serb tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndodhë asnjëherë, kështu që e vetmja mënyrë, sipas tij, është që të gjendet një zgjidhje.
(Video: Fjalimi i Vuçiqit gjatë ditës së parë të Forumit Evropian Alpbach)
Në këtë proces, theksoi Vuçiq, ka edhe diçka të përbashkët dhe ajo është se të dy palët duam të arrijmë deri te marrëveshja dhe paqja afatgjate mes serbëve dhe shqiptarëve.
Në anën tjetër, presidenti Thaçi tha se tani është koha të vazhdohet me një shpejtësi më të madhe në procesin e dislogut.
"Dialogu dhe negociatat për arritjen e një marrëveshje paqësore janë mjaft të vështira dhe nuk është fshehtësi që kemi shumë dallime rreth kësaj marrëveshjeje paqësore, por kemi edhe gatishmërinë që të arrijmë deri te marrëveshja mes shqiptarëve dhe serbëve”, theksoi Thaçi.
“Presim nga BE-ja të na përkrahë dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që të na përkrahin në këtë qëllim”, vijoi ai.
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, nikoqir i takimit, tha se Forumi Evropian në Alpbach ka nxjerrë disa përfundime, sipas të cilave, procesi i integrimit dhe zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojë. Ai tha se pret që Maqedonia të zgjidhë përfundimisht çështjen e emrit me referendumin që pritet të organizohet.
“Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen para se vendet të integrohen në BE dhe jo pasi që të kryhet integrimi”, tha Van der Bellen, duke iu referuar sidomos dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu mbetet esencial në rrugën e Kosovës dhe Serbisë për integrim. Jam i bindur se të dy presidentët janë të përkushtuar në arritjen në një marrëveshjeje historike”, tha Van der Bellen.
Austria, theksoi ai, është e gatshme të ndihmojë procesin që po lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Ndërkaq presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor kishte një porosi për palët në dialog, duke u kërkuar atyre jo vetëm gatishmëri për të nënshkruar një marrëveshje, por më tepër gatishmëri për ta zbatuar atë në praktikë.
Presidentët Thaçi e Vuçiq pritet që të zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel më 7 shtator, nën lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Të dy presidentët thanë se takimi pritet të jetë i vështirë, ku do të trajtohen aspektet e marrëveshjes për normalizim, por që së fundit ka ngritur edhe çështjen e definimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian kërkon që në fund të këtij procesi, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, ua hap perspektivën evropiane të dyja palëve.