Për Shpresa Bucollin nga Prishtina, është hera e 25-të që ajo dhuron gjak. Shpresa është dhuruese e rregullt e gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë. Ajo thotë se është një ndjenjë shumë e mirë dhe e veçantë për të.
“Është një ndjenjë shumë e mirë, kur e dinë që po mundohesh sado pak të bësh mirë, për ta shpëtuar një jetë. Është një ndjenjë që kisha pas dëshirë që të gjithë njerëzit ta përjetojnë. Është një obligim, të paktën që në mënyrë jo të vetëdijshme t’i po shpëton një jetë, pa marrë parasysh kushdo qoftë ai njeri”, thotë Bucolli.
Shpresa për herë të parë ka dhuruar gjak kur ishte nxënëse në shkollën e mesme dhe thotë se ishte një moment mjaft emocional për të. Sipas saj, dhurimi i gjakut duhet të bëhet obligim moral dhe njerëzor për të gjithë.
“Në fakt, herën e parë ka qenë pak më emocionale, ndërsa tash e shoh si diçka që e kam për obligim, do të thotë obligim moral dhe njerëzor. Dhurimin e gjakut kam filluar qysh në vitin e katërt të shkollës së mesme. Do të thotë që i bie diku përafërsisht qe 20 vjet. Brenda vitit kam dhuruar 3 herë gjak. Është çdo 4 muaj për femra”, thekson ajo.
Si dhuruese e gjakut, Shpresa Bucolli thotë se vazhdimisht ndihet e lumtur, ngase e dinë se gjaku i saj do t’i ndihmojë dikujt apo edhe do të shpëtojë një jetë të dikujt, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.
“Normal që ndjehesh shumë mirë kur e dinë që me gjakun tënd shpëtohet një jetë. Pa marrë parasysh, edhe pse nuk e dinë se kush do ta marr gjakun tënd. Kush do të jetë ai do të thotë përfituesi i gjakut, me rëndësi është që do të shpëtohet jeta dhe do të vazhdojë një jetë prapë”, thekson ajo.
Bukurije Zhubi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën e Transfuzionit të gjakut në Prishtinë, tha për Radion Evropa e lirë se Qendra e Transfuzionit çdo ditë përballet me kërkesa të reja për gjak dhe për këtë arsye kjo qendër është angazhuar që të ngritë aktivitetet e saj, në mënyrë që të rrisë numrin e dhuruesve të gjakut.
Zhubi tha se në muajin e qershorit dhurimi i gjakut pëson rënie, pasi shumica e njerëzve janë në pushime.
“Muaji i qershorit, tash ku jemi sikurse edhe në çdo vend tjetër të botës, edhe te ne për shkak të pushimeve vjetore kemi një rënie të lehtë të dhurimit vullnetarë të gjakut. Sivjet e kemi pasur të shprehur edhe për shkak të muajit të Ramazanit, ku një pjesë e qytetarëve nuk kanë pasur mundësi të përgjigjen sikurse vitin e kaluar”, tha Zhubi.
Ajo u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin shembullin e atyre që dhurojnë gjak dhe të japin kontributin e tyre për të ndihmuar apo edhe shpëtuar jetë.
Sipas të dhënave nga Qendra e Transfuzionit të gjakut në Prishtinë, në vitin 2018 kanë qenë rreth 5000 dhurues të gjakut deri në muajin maj.