Ndërlidhjet

Thirrje për "dënim meritor" të personave të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona, më 27 gusht, në Prishtinë, njoftoi të hënën Policia e Kosovës.

Rasti dyshohet se ka ndodhur në një park të qytetit.

Dy nga të dyshuarit janë në paraburgim, dy të tjerë janë ndaluar, ndërsa i pesti është ende në arrati, konfirmuan nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

Rasti nxiti reagime të shumta, si nga udhëheqësit e institucioneve, ashtu edhe nga përdorues të tjerë të rrjeteve sociale.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të së miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky, kur cak i dhunimit janë fëmijët”, tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti kërkoi nga organet e rendit që t'i vënë para drejtësisë personat e dyshuar, sa më shpejt.

Kryesit “të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”.

“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional, por edhe në atë shoqëror e kulturor”, tha Kurti.

"Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë", tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u bëri thirrje organeve të rendit që të jenë sa më të pranishme në hapësirat publike.

“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t'iu dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin", tha Rama.

Policia e Kosovës njoftoi se viktima është dërguar në një strehimore.

Qytetarë dhe organizata të ndryshme joqeveritare paralajmëruan protesta në Prishtinë, për të martën dhe të mërkurën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG