Ndërlidhjet

Frikë nga rikthimi i dhunës sektare në Liban


Bejrit, 14 tetor, 2021.
Bejrit, 14 tetor, 2021.

Libani është në ditë zie, një ditë pas protestave të përgjakshme në kryeqytetin Bejrut.

Së paku gjashtë veta u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri.

Dhuna nisi gjatë një proteste të grupeve myslimane shiite, Hezbollah dhe Amal, kundër gjyqtarit që po heton shpërthimin e vitit të kaluar në portin e qytetit.

Ata thanë se snajperistët nga forcat e krishtera libaneze qëlluan mbi turmat, por një gjë e tillë u hodh poshtë nga vetë forcat libaneze.

“Ne nuk do të lejojmë që dikush të marrë peng vendin tonë për interesat e tij”, tha presidenti i Libanit, Michel Aoun.

Shpërthimi në portin e Bejrutit, në gusht të vitit të kaluar, ka lënë 219 veta të vrarë.

Hetimet e incidentit janë përcjellë vazhdimisht me tensione. Shiitët dhe të krishterët janë ndarë në anë të kundërta.

Gjykatësi Tarek Bitar ka kërkuar të marrë në pyetje disa politikanë dhe zyrtarë të sigurisë, përfshirë aleatë të Hezbollahut, nën dyshimet se kanë neglizhuar sigurinë në port.

Të gjithë ata kanë mohuar ndonjë keqbërje.

Hezbollahu, grup i armatosur rëndë, i mbështetur nga Irani, kërkon shkarkimin e gjykatësit, duke e akuzuar atë për anshmëri, por familjet e viktimave e mbështesin punën e tij.

Çështja është e ndjeshme edhe për faktin se shpërthimi në port ka shkaktuar më shumë viktima myslimane, por pjesa më e madhe e dëmit fizik ka ndodhur në zona kryesisht të krishtera.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 15 miliardë dollarësh dhe ka lënë rreth 300,000 njerëz të pastrehë.

Bejruti ndërton skulpturë për të kujtuar shpërthimin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Përleshjet e së enjtes në Bejrut zgjatën disa orë. Burimet spitalore dhe ushtarake thanë se disa prej të vrarëve ishin qëlluar në kokë.

“Shkaku kryesor i këtyre zhvillimeve qëndron te prania e armëve të pakontrolluara, që kërcënojnë qytetarët në çdo kohë dhe në çdo vend”, tha udhëheqësi i forcave libaneze, Samir Geagea.

Ushtria libaneze tha se ka nisur patrullime këmbësore në zonë. Sipas saj, personat e armatosur me pushkë automatike dhe granata-hedhës ishin anëtarë të milicive shiite dhe të krishterë.

Dhuna u cilësua si më e keqja në Liban në më shumë se një dekadë.

“Libani po kalon një fazë të vështirë. Ne jemi si një pacient para dhomës së urgjencës”, tha kryeministri libanez, Najib Mikati, për agjencinë Reuters.

Nga frika e rikthimit të dhunës sektare, Departamenti amerikan i Shtetit bëri thirrje për “uljen e tensioneve” në Liban.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet provokuese dhe retorika nxitëse.

Arabia Saudite tha se shpreson që situata në Liban të stabilizohet.

Lufta civile në Liban, nga viti 1975 deri më 1990, ka lënë mbi 120,000 njerëz të vrarë.

Përveç dhunës së fundit, ky vend është duke kaluar edhe nëpër një situatë të rëndë ekonomike.

Sistemi financiar i Libanit ka kolapsuar në vitin 2019, pas dekadave të korrupsionit.

Gjatë dy vjetëve të fundit, monedha e vendit ka humbur më shumë se 90% të vlerës së saj dhe Banka Botërore e ka cilësuar krizën ekonomike atje si një nga depresionet më të thella në historinë moderne.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG