Ndërlidhjet

Për herë të parë në 100 vjet dështon zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve


Kevin McCarthy nuk arriti të zgjidhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. 3 janar 2022.
Kevin McCarthy nuk arriti të zgjidhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. 3 janar 2022.

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diçka që nuk është parë qe një shekull.

Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t'u zgjedhur kryetar - hera e parë që nga viti 1923, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në rundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Ai nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tri rundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan.

Kongresisti nga Kalifornia nuk u votua tri herë radhazi dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores, kur Dhoma e Përfaqësuesve të mblidhet të mërkurën, për të provuar gjithçka nga e para. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të votojnë derisa një kandidat të fitojë shumicën.

Ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i grupit që e kundërshtoi McCarthyn, apo nëse mund të shfaqet ndonjë kandidat i ri.

Por, edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë për të fituar, analistët parashikojnë trazira në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë, 222-212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant.

McCarthyt, i cili shërben prej 16 vjetësh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.

Në rundin e tretë të votimit, 202 republikanë votuan për McCarthyn, pra 16 më pak nga votat që i nevojiten për t'u zgjedhur kryetar.

McCarthy, 57-vjeçar, është përpjekur prej vjetësh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë javëve të fundit, ai u takua në mënyrë të përsëritur me kundërshtarët e tij republikanë, për të siguruar mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij për kryetar.

Kushdo qoftë ligjvënësi që republikanët do të zgjedhin për kryetar, McCarthy apo dikush tjetër, ai do të zëvendësojë kryetaren demokrate në largim, Nancy Pelosi, e cila do të vazhdojë të jetë ligjvënëse.

Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit ta bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG