Të paktën 35 persona janë vrarë dhe 43 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së një makine me një turmë njerëzish, të cilët kanë qenë duke u stërvitur në një stadium në Zhuhai të Kinës, sipas autoriteteve.
Ngasësi i makinës, një 62-vjeçar, dyshohet se e ka drejtuar makinën kah Qendra e Sportit Zhuhai, ndërsa policia lokale e ka përshkruar incidentin si “sulm serioz”.
Mediat kineze kanë raportuar se shumë persona të moshuar, por edhe adoleshentë e fëmijë janë në mesin e të plagosurve.
Policia ka thënë se i dyshuari është arrestuar teksa ka tentuar të ikë, dhe aktualisht është në komë për shkak të plagëve që i ka shkaktuar vetes.
Incidenti ka ndodhur pavarësisht rritjes së sigurisë në qytet.
Policia ka thënë se hetimet fillestare sugjerojnë se sulmi është kryer për shkak të pakënaqësive të sulmuesit me rezultatin e zgjidhjes së çështjes së pronës, pas divorcit.
Megjithatë, për shkak se është në komë, ai nuk mund të merret në pyetje nga autoritetet.
Presidenti kinez, Xi Jinping, ka shprehur shqetësim të thellë për incidentin, dhe u ka thënë autoriteteve që të bëjnë çdo përpjekje për të trajtuar të plagosurit, dhe ka kërkuar që sulmuesi të ndëshkohet rëndë.
Kina ka regjistruar disa herë sulme të dhunshme ndaj qytetarëve të vet në muajt e fundit.
Në shtator, një burrë ka kryer sulm me thikë në një dyqan në Shangai, duke vrarë tre njerëz dhe duke plagosur disa të tjerë.
Në të njëjtin muaj, një 10-vjeçar japonez ka vdekur, një vit pasi është therur me thikë afër shkollës së tij në jug të Kinës.