Ndërlidhjet

Çfarë është shtetësia nga lindja në SHBA dhe a mund t’i japë fund Trumpi?


Reuters

Me siguri keni dëgjuar për raste kur një grua udhëton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lindur fëmijën. Disa vendosin për këtë hap sepse fëmijët e lindur në territorin e SHBA-së automatikisht bëhen shtetas të këtij vendi, dhe kjo vlen për të gjithë.

Së paku, deri tani.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se planifikont’i japë fund dhënies së shtetësisë për foshnjat e lindura në SHBA, si pjesë e premtimit të tij për t’i forcuar masat kundër emigracionit kur të bëhet president më 20 janar.

Më poshtë, ju sjellim një përmbledhje të agjencisë Reuters për dhënien e shtetësisë për foshnjat e lindura në SHBA dhe autoritetin ligjor të Trumpit për ta kufizuar atë.

Çfarë është shtetësia nga lindja?

Çdo person i lindur në SHBA konsiderohet qytetar i saj që nga lindja, bazuar në Klauzolën e Shtetësisë të Amendamentit të 14-të, e cila iu shtua Kushtetutës në vitin 1868.

Sipas një vlerësimi të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, në janar të vitit 2022 kishte rreth 11 milionë emigrantë të paligjshëm në SHBA, një shifër që disa analistë tani e vendosin mes 13 dhe 14 milionë. Fëmijët e tyre të lindur në SHBA konsiderohen nga qeveria si qytetarë amerikanë. Trumpi ka shprehur shqetësim për gratë e huaja që vizitojnë SHBA-në me qëllimin për të lindur dhe për t’u dhënë shtetësi amerikane fëmijëve të tyre.

A ka përjashtime?

Po. Personat e lindur në Shtetet e Bashkuara nga një zyrtare diplomatike e huaj me imunitet diplomatik, nuk janë qytetarë të SHBA-së, pasi ato nuk i nënshtrohen juridiksionit të SHBA-së.

Çfarë ka thënë Gjykata Supreme?

Gjykata Supreme nuk ka adresuar nëse Klauzola e Shtetësisë zbatohet për fëmijët e lindur në SHBA të personave që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme.

Rasti kryesor mbi dhënien e shtetësisë foshnjave të lindura në SHBA daton nga viti 1898, kur Gjykata Supreme vendosi se djali i emigrantëve të ligjshëm nga Kina ishte qytetar i SHBA-së bazuar nga lindja e tij në San Francisko në vitin 1873. Këtij burri, Wong Kim Ark, i ishte ndaluar të rikthehej në SHBA pas një vizite në Kinë në një kohë kur emigracioni nga Kina ishte kufizuar ashpër.

Gjithashtu, në vitin 1884, lidhur me një mosmarrëveshje për regjistrimin e votuesve Gjykata Supreme vendosi se John Elk, i lindur në SHBA si pjesëtar i një fisi amerikan autokton, nuk ishte qytetar amerikan pasi ai nuk i nënshtrohej juridiksionit të SHBA-së. Kongresi e zgjeroi shtetësinë amerikane për amerikanët autoktonë në vitin 1924.

Cili është qëndrimi i kundërshtarëve të dhënies së shtetësisë foshnjave të lindura në SHBA?

Disa studiues argumentojnë se nëse ligjvënësit donin që të gjithë personat e lindur në vend të ishin qytetarë amerikanë, ata nuk do ta kishin shtuar klauzolën në Amendamentin e 14-të që specifikon se qytetarët "i nënshtrohen juridiksionit" të SHBA-së.

Ata argumentojnë se kjo gjuhë përjashton personat që kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme dhe, për pasojë, edhe fëmijët e tyre të lindur në SHBA. Senatorët republikanë Lindsey Graham nga Karolina e Jugut dhe Tom Cotton nga Arkansasi këtë vit propozuan projektligje që përcaktonin se fëmijët e lindur në SHBA nuk i "nënshtrohen juridiksionit" të SHBA-së nëse prindërit e tyre janë në vend në mënyrë të paligjshme.

Shumica e studiuesve nuk e mbështesin këtë interpretim të gjuhës së juridiksionit. Ndryshe nga diplomatët, personat që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme nuk kanë imunitet ligjor dhe u nënshtrohen ligjeve të SHBA-së.

A mund t’i japë fund Trumpi shtetësisë nga lindja me një urdhër ekzekutiv?

Kushtetuta i jep Kongresit fuqinë për të rregulluar shtetësinë, dhe asnjë president nuk ka tentuar t’i ridefinojë rregullat e shtetësisë duke përdorur urdhra ekzekutivë, megjithëse Trumpi premtoi ta bënte këtë gjatë mandatit të tij të parë.

Trumpi mund të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të ridefinuar dhënien e shtetësisë foshnjave të lindura në SHBA. Ekspertët ligjorë thonë se ai mund të deklarojë se kërkohet që njëri prind të jetë qytetar amerikan, banor i përhershëm ose anëtar i ushtrisë – gjuhë që shfaqej në projektligjin e Grahamit. Ai mund t’u drejtojë kërkesa agjencive të tij të refuzojnë pasaporta ose dokumente dhe përfitime të tjera, nëse personi nuk e plotëson kërkesën e re.

Çdokush mund ta sfidojë atë kur i refuzohet një dokument ose përfitim [i shtetësisë nga lindja] dhe ekspertët ligjorë thonë se urdhri ekzekutiv ka të ngjarë të bllokohet menjëherë nga gjykatat. Por, kjo gjithashtu do ta vendoste çështjen në një rrugë drejt Gjykatës Supreme dhe do t’i detyronte gjyqtarët të përcaktonin se cilat foshnja të lindura në SHBA kanë të drejtë të bëhen qytetarë amerikanë nga lindja.

Nëse gjykatat vendosin që Kushtetuta e mbron dhënien e shtetësisë foshnjave të lindura në SHBA, atëherë vetëm një amendament mund ta ndryshojë këtë. Një amendament kushtetues do të kërkonte dy të tretat e të dyja dhomave dhe miratimin nga tri të katërtat e legjislaturave shtetërore, një proces që do të zgjaste ndoshta me vite. Kushtetuta nuk është ndryshuar që nga viti 1992.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG