Ndërlidhjet

Dështon lëshimi i satelitit të Koresë së Veriut, raketa bie në det


Transmetimi i lajmeve për Korenë e Veriut duke lëshuar satelitin hapësinor, në Seul më 31 maj 2023.
Transmetimi i lajmeve për Korenë e Veriut duke lëshuar satelitin hapësinor, në Seul më 31 maj 2023.

Përpjekja e Koresë së Veriut për të vendosur satelitin e parë spiun të vendit në hapësirë, dështoi të mërkurën. Ky dështim shihet si një pengesë ndaj ambicieve të liderit Kim Jong Un për të rritur aftësitë e tij ushtarake në kohën kur tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korenë e Jugut po rriten.

Pas pranimit jashtëzakonisht të shpejtë të dështimit të tyre, Koreja e Veriut shprehu synimin e saj për të vazhduar me një lëshim të dytë, duke synuar të korrigjojë problemet e hasura gjatë ngritjes fillestare të raketës.

Kjo deklaratë nënkupton se Kim Jong Un mbetet i vendosur në përpjekjet e tij për të zgjeruar armatimin e vendit dhe për të ushtruar presion shtesë si ndaj Uashingtonit ashtu edhe ndaj Seulit, veçanërisht në një periudhë ku negociatat diplomatike kanë ngecur.

Koreja e Jugut dhe Japonia u kërkuan shkurtimisht banorëve të strehohen gjatë nisjes së satelitit.

Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, aktualisht po bëhen përpjekje për të rikuperuar një objekt që besohet të jetë një fragment i raketës së rrëzuar koreano-veriore. Ministria e Mbrojtjes shpërndau fotografi të një cilindri të bardhë, metalik, duke e identifikuar atë si një përbërës të dyshuar të raketës.

Sipas vëzhguesve, një lëshim satelitor nga Koreja e Veriut shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat e ndalojnë vendin të angazhohet në çdo lëshim duke përdorur teknologji balistike.

Pavarësisht dështimit të lëshimit, megjithatë, përpjekja "flet për përmirësimin e vazhdueshëm të aftësive të Koresë së Veriut, duke mprehur programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore", tha Eleanor Shiori Hughes, një anëtare jorezidente në institutin e mendimit Econvue me bazë në Çikago.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Perëndimi kanë dënuar lëshimet e automjeteve hapësinore të Veriut për përdorimin e teknologjisë së raketave balistike, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të luftojë për ta trajtuar çështjen nën një front të bashkuar mes ndarjeve për luftën e vazhdueshme në Ukrainë, tha Hughes.

Hughes tha gjithashtu se ishte e rëndësishme që Japonia të përmirësonte sistemin e saj të emergjencës "J-Alert" pas paralajmërimeve të gabuara pas lëshimeve të fundit të raketave të Koresë së Veriut, duke shtuar se sistemi mund të jetë i nevojshëm një ditë për zhvillime të mundshme që lidhen me Kinën.

Pheniani tha se do të hetojë shkakun e dështimit dhe do të synojë për një lëshim të dytë sa më shpejt të jetë e mundur, pa specifikuar një datë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG