Ndërlidhjet

Dështimi i përgjakshëm i Wagnerit në Mali shfaq të metat e strategjisë së Rusisë


Mercenarët rusë duke hipur në një helikopter në veri të Malit.
Mercenarët rusë duke hipur në një helikopter në veri të Malit.

Pak pasi forcat e Malit e pushtuan bastionin e grupit rebel tuareg, qytetin Kidal, nëntorin e kaluar, mercenarët e grupit rus, Wagner, që i mbështetën trupat qeveritare, i ngritën flamujt e tyre në qytet për një fotografim rasti.

Në muajt pasues, mercenarët rusë do t’i “tallnin haptazi” rebelët tuaregë dhe grupet ekstremiste islamike që po luftonin për ta marrë kontrollin e vendit, duke postuar fotografi provokuese në kanalin e tyre në Telegram, sipas Caleb Weiss, ekspert për rajonin e Sahelit në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në SHBA.

Tani, tetë muaj më vonë, tuaregët, të mbështetur nga grupet ekstremiste islamike, janë ata që po festojnë. Ata i vranë disa dhjetëra luftëtarë të Wagnerit dhe trupa të Malit pranë qytetit verilindor, Tinzaouaten, javën e kaluar në një, mbase, sulm të bashkërenduar, sipas raportimeve të ndryshme.

Mbase kjo është humbja më e madhe që e kanë pësuar forcat ruse prej se u rikthyen në Afrikë para ca vitesh dhe mund të jetë e barabartë me numrin e trupave franceze që u vranë gjatë shërbimit në këtë kontinent nga viti 2013 deri më 2022, tha Weiss.

Disfata e mercenarëve rusë në Mali mund të bëjë jehonë përtej kufijve të këtij vendi të varfër dhe të paqëndrueshëm. Afrika është bërë skenë e madhe e garave mes Rusisë dhe Perëndimit në disa vitet e fundit, sepse Moska po kërkon ta ndryshojë rendin ndërkombëtar.

Moska po u ofron mbrojtje regjimi dhe shërbime të tjera qeverive autoritare në Afrikë dhe së voni i ka zgjeruar ato në Mali, Burkina Faso dhe Niger, pasi rajoni i Sahelit u kaplua nga puçet ushtarake.

Forcat e Malit dhe të Wagnerit u përfshinë në luftime në afërsi të Tinzaouten, në kufirin algjerian, kur ranë në pritë më 27 korrik. Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqin mbi 20 trupa që besohet të jenë luftëtarë të Wagnerit, megjithëse Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta dëshmojë vërtetësinë e atyre pamjeve.

Kanali në Telegram, Wagner Orchestra, raportoi se disa dhjetëra mercenarë u vranë në luftime në afërsi të Tinzaouaten dhe pesë të tjerë u zunë robë. Ndërkohë, separatistët tuaregë thanë në një komunikatë se “dhjetëra”, siç i cilësuan, luftëtarë të armikut u vranë dhe u plagosën. Dega e al-Qaedas tha se 50 mercenarë u vranë së bashku me 10 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Malit.

Pjesëmarrësit në sulmin kundër forcave të Wagnerit dhe të Malit.

Shkatërrimi i forcave të Wagnerit në Mali “është punë e madhe, sepse i demaskon mitet se ka pasur përmirësim në siguri nën udhëheqjen e juntave ushtarake”, tha për REL Joseph Siegle, drejtor për hulumtim në Qendrën Afrikane për Studime Strategjike, me bazë në Uashington.

Sipas tij, kjo gjithashtu lë “njollë të madhe” në reputacionin e forcave ruse në rajon.

Forcat e Wagnerit u ftuan në Mali nga junta e cila e mori pushtetin më 2021. Junta kishte mosmarrëveshje me forcat franceze, të cilat kishin dështuar t’i frenonin sulmet nga ekstremistët islamikë.

Franca, e cila i kishte rreth 2.400 trupa në Mali, i humbi 59 ushtarë gjatë një qëndrimi nëntëvjeçar në këtë vend.

Me mbështetjen e Wagnerit, junta i urdhëroi pastaj mijëra trupa të OKB-së të largohen nga vendi, të cilat po e ruanin armëpushimin e vitit 2015 mes tuaregëve dhe autoriteteve. Disa muaj pas largimit të tyre, forcat e Malit dhe të Wagnerit e sulmuan Kidalin, duke e rritur paqëndrueshmërinë.

Njerëz qëndrojnë pranë një memoriali të improvizuar të shefit mercenar rus, Yevgeny Prigozhin, dhe të tjerëve, që vdiqën nga rrëzimi i një avioni vitin e kaluar, në afërsi të Kreminit, në Moskë, Rusi, 29 korrik 2024.
Njerëz qëndrojnë pranë një memoriali të improvizuar të shefit mercenar rus, Yevgeny Prigozhin, dhe të tjerëve, që vdiqën nga rrëzimi i një avioni vitin e kaluar, në afërsi të Kreminit, në Moskë, Rusi, 29 korrik 2024.

Rusia i ka pak më shumë se 1.000 luftëtarë të Wagnerit në Mali, që është sa gjysma e madhësisë së forcave që Franca i kishte vendosur atje. Ky numër është i pamjaftueshëm për t’u përballur me kërcënimet, tha Siegle.

Humbjet në Tinzaouten vënë në pah “paqëndrueshmërinë në strategjinë e Rusisë në Sahel”, tha Siegle.

“Kjo funksionin për juntën, dhe funksionin për Rusinë, por jo edhe për popullin. Gjendja në shoqëri po përkeqësohet edhe më shumë”, shtoi ai.

Weiss vlerësoi se këto humbje nuk pritet ta nxisin Rusinë t’i tërheqë forcat e Wagnerit nga Mali, siç kishte bërë në Mozambik pas vrasjes së disa luftëtarëve në atë vend.

“Putini dhe Kremlini kanë investuar shumë në Mali dhe në Sahel në përgjithësi. Nuk është sikur Mozambiku”, tha Weiss.

“Megjithatë, tani ata mund të mos jetë aq këmbëngulës për të urdhëruar sulme siç kanë bërë në Kidal”, shtoi ai.

Sebastian Elischer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Floridës dhe ekspert për rajonin e Sahelit dhe ekstremizmin e dhunshëm, tha se Rusia mund mbase ta rrisë praninë e Wagnerit në Mali, nëse junta pajtohet të paguajë.

“E gjithë kjo është biznes privat, dhe ky është dallimi i madh në bashkëpunimin ushtarak mes Malit dhe SHBA-së, apo Malit dhe Francës, dhe Malit dhe Rusisë. Rusët kërkojnë gjëra”, tha ai.

Por, Elischer theksoi se, për dallim nga Republika e Afrikës Qendrore dhe Sudani ku Wagneri dhe një pasardhës i quajtur Korpusi i Afrikës janë të pranishëm, Mali ka burime të kufizuara natyrale për t’i financuar trupat.

Në anën tjetër, nëse beteja në veri është fillimi i një trendi të luftimeve të ashpra dhe vdekjeprurëse me separatistët, atëherë Rusia mund të vendosë ta kufizojë përfshirjen, sipas Elischer.

Ndërkohë, grupet që kanë pushtetin në Mali dhe në vendet e tjera afrikane, nuk pritet të heqin dorë nga Rusia si mbrojtëse e tyre, sepse kanë pak alternativa, pasi u armiqësuan me Perëndimin, sipas tij.

Lou Osbron, analist në në All Eyes on Wagner, një grup hulumtues, tha operacionet e Rusisë në Mali deri tani duket se kanë dështuar.

“Në të kaluarën, autoritetet e Malit kanë mundur të bëjnë marrëveshje me tuaregët në mënyrë që të përqendrohen në xhihadistët. Nuk është kështu më, të gjitha marrëveshjet janë shkelur, posaçërisht për shkak të mizorisë së ushtrisë maliane dhe mercenarëve rusë ndaj të gjithë kundërshtarëve pa dallim”, tha ai për REL-in.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG