Ndërlidhjet

Arrestohet një ligjvënës ukrainas nën dyshime për tradhti


Ligjvënësi ukrainas, Oleksandr Dubinskiy, që po dyshohet për tradhti. Fotografi nga arkivi.
Ligjvënësi ukrainas, Oleksandr Dubinskiy, që po dyshohet për tradhti. Fotografi nga arkivi.

Shërbimi ukrainas i Sigurisë (SBU) njoftoi më 14 nëntor se ligjvënësi Oleksandr Dubinskiy zyrtarisht është informuar se është duke u dyshuar për tradhti dhe një gjykatë në Kiev i ka caktuar masën e paraburgimit prej 60 ditësh.

SBU tha se Dubinskiy dyshohet se ka bashkëpunuar me Rusinë dhe është përfshirë në veprime subversive kundër Ukrainës, akuza që ai i ka mohuar.

“Gjykata e Qarkut e Peçerskit ka lëshuar masën parandaluese në formë të paraburgimit për deputetin e popullit që dyshohet për tradhti dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale”, tha SBU përmes një deklarate.

Gjykata e mori këtë vendim përmes një takimi prapa dyerve të mbyllura.

SBU tha se ka “ekspozuar deputetin [Oleksandr Dubinskiy] se ka marrë pjesë në aktivitete kriminale të mbikëqyrura nga zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Federatës Ruse dhe se ka kryer aktivitete subversive kundër Ukrainës”.

Gjykata “pranoi dyshimet e SBU-së si mirë të bazuara dhe se provat ishin të mjaftueshme”, u tha në deklaratë, ku u shtua se Dubinskiy do të mbahet në paraburgim pa të drejtë të lirimit me kusht.

Dubinsky përmes një video të publikuar në kanalin e tij në Telegram konfirmoi se ai është urdhëruar që të qëndrojë në paraburgim deri më 12 janar.

“Ky quhet ‘viti i ri në qendrën e paraburgimit’ për shkak të kritikave ndaj Qeverisë”, tha ai.

Dubinskiy ishte përjashtuar nga partia ukrainase në pushtet, Shërbëtorët e Popullit më 2021, pasi ai ishte vendosur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet për ndërhyrje në zgjedhje, akuza që ai i mohon. Ai ka vazhduar të jetë pjesë e Parlamentit si deputet i pavarur.

Më 10 nëntor, SBU njoftoi se kishte përfunduar hetimin mbi veprimet e një ligjvënësi të paidentifikuar, i cili tha se dyshohej për falsifikim dhe dhënien e informacioneve të rrema para autoriteteve me qëllim që të udhëtojë jashtë vendit.

Mediat ukrainase raportuan se bëhej fjalë për Dubinskiyn.

Më 13 nëntor, SBU njoftoi se akuza të reja ishin ngritur ndaj ligjvënësit.

SBU tha se i dyshuari “ishte pjesë e një organizate kriminale të formuar nga Drejtoria kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse [GRU]” dhe detyrua kryesore e tij ishte “të minonte situatën sociale dhe politike në Ukrainë dhe të diskreditonte shtetin në arenën ndërkombëtare”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG