Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve e kanë dënuar si të “rrezikshëm dhe papranueshëm” sulmin verbal kundër një gazetareje të kryeshefit të ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.
Në një shkrim në Facebook, Mujka e kishte cilësuar punën e gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj, si “skajshmërisht të poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik për përhapjen e gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që pengojnë qëllimet e tyre”.
Ai i kishte bërë këto komente më 4 dhjetor në lidhje me pyetjet që Koprani Muçaj ia kishte bërë ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për dëmet që i kishte pësuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit nga një shpërthim javën e kaluar në veri. Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.
Grupi Koha, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënuan sulmin verbal të Mujkës ndaj gazetares Koprani Muçaj.
“Sulmi i tij nuk e zmbraps as gazetaren Mimoza Koprani Muçaj dhe as KOHËN. Përkundrazi, është dëshmi e atyre që gazetarinë e kanë mision, e përballjen me linçime të tilla përditshmëri”, tha Koha në uebsajtin e vet.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës tha në një reagim se, për më tepër, Mujka e krahasoi KTV-në me mediat e kontrolluara nga Kremlini, Sputnik dhe Russia Today.
“Këto lloj kërcënimesh, sidomos ndaj grave gazetare, janë gjithmonë të ngarkuara me ngjyrime seksiste dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë dhe t’i dekurajojnë koleget tona nga ushtrimi i profesionit të tyre”, tha ky rrjet.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se e dënon sulmin verbal të ish-zyrtarit të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ndaj Koprani Muçajt, e cila është autore e emisionit Konfront në KTV.
“AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo”, thuhet në reagim.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e vitit të kaluar për të drejtat e njeriut në botë, ka potencuar se gazetarët në Kosovë janë përballur “me sulme, ngacmime dhe kërcënime”, ndaj të cilave ka pasur “reagim të dobët të organeve të shtetit”.