Ndërlidhjet

Dënohet qytetari malazias për incidentin në Gazimestan


Shtetasi i Malit të Zi, Risto Jovanoviq, duke u arrestuar nga policë të Kosovës, për thirrje nacionaliste në Gazimestan, më 28 qershor 2021
Shtetasi i Malit të Zi, Risto Jovanoviq, duke u arrestuar nga policë të Kosovës, për thirrje nacionaliste në Gazimestan, më 28 qershor 2021

Shtetasi malazias, Risto Jovanoviq, është gjobitur të mërkurën me 6,700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për "nxitje të urrejtjes dhe mostolerancës kombëtare dhe fetare", ka konfirmuar avokatja e tij, Jovana Filipoviq për Radion Evropa e Lirë (RFE).

Ajo ka shtuar se klienti i saj ka pranuar të paguajë gjobën, meqë në të kundërtën do të dënohej me gjashtë muaj burgim.

Jovanoviqit i është ndaluar edhe që për pesë vitet e ardhshme të hyjë në territorin e Kosovës.

Duke arsyetuar vendimin, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, ka thënë se Jovanoviq është dënuar pasi është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shiptarin”, "Ne do ta lajmë Kosovën me gjak", "Kosova është Serbi".

Termi pezhorativ 'shiptar' konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për shqiptarët.

Ambasadori malazias në Kosovë, Mirsad Biboviq, ka qenë të mërkurën pjesë e seancës kur është dënuar Jovanoviq në Prishtinë.

Ai është arrestuar më 28 qershor, në Gazimestan, 15 kilometra larg Prishtinës, gjatë kremtimit të Vidovdanit.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.

Sipas Policisë së Kosovës, i pandehuri kishte bërë thirrje nacionaliste dhe ka nxitur urrejtje.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë 28 qershorin, festën e Vidovdanit, në Gazimestan, si një përkujtim për vuajtjet e serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Pas arrestimit të Jovanoviqit, Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka biseduar me autoritetet në Prishtinë dhe se do të marrë masa për të mbrojtur shtetasin malazias.

Më parë, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i ka kërkuar Qeverisë malaziase të "kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij nga vendi partner, Kosova".

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka thënë se nëse Jovanoviq nuk është autor i krimit, ai duhet të lirohet menjëherë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG