Ndërlidhjet

Dënimi i Karaxhiqit, i pamjaftueshëm


Të pagjeturit nga lufta në Kosovë. Fotografi nga arkivi
Të pagjeturit nga lufta në Kosovë. Fotografi nga arkivi

Organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) ka bërë thirrje që të zgjidhet çështja e mijëra personave të zhdukur gjatë luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Duke folur për dënimin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq nga Gjykata e Hagës, kjo organizatë, tha se dënimi i tij, dërgon një mesazh të fortë për botën.

Ky vendim, sipas kësaj organizate, tregon se kriminelët e luftës nuk mund të fshihen nga drejtësia, derisa u bën thirrje shteteve të Ballkanit që t'i zgjidhin çështjet që ndërlidhen me pasojat e luftës.

“Përgjegjësia tani është tek autoritetet lokale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rajon, për të ndërmarrë veprime për të mbyllur përfundimisht këtë kapitull të errët të historisë së Ballkanit”, thuhet në reagimin e Amnesty International.

Vendimi që Gjykata Ndërkombëtare në Hagë e mori të mërkurën, duke kundërshtuar apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, kundër dënimeve që i janë shqiptuar për gjenocid dhe krime të luftës në Bosnje Hercegovinë në vitet 1990, si dhe i është zgjatur dënimi 40-vjeçar me burgim të përjetshëm, ka gëzuar “Nënat e Srebrenicës”, të cilat kanë pritur më shumë se 20 vjet për këtë lajm.

Vendimi i pritur për Karaxhiqin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Ndërkohë, në Kosovë, përfaqësueset e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës kërkesën për kallëzim penal dhe libër me dëshmi kundër atyre që kryen krime në Kosovë gjatë luftës së fundit, që përfshinë periudhën 1998-‘99.

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dëshmitë në këtë libër janë nga dora e parë e familjarëve dhe kërkojnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që të përshpejtohet procedura dhe të thirren para drejtësisë të gjithë ata që kryen krime.

“Shpresojmë edhe ne që do ta marrin dënimin e merituar edhe kriminelët serbë edhe t’i kthejnë edhe më të dashurit tanë që po mbahen edhe pas 20 viteve në varreza masive të Serbisë, ku në mesin e tyre, kam edhe djalin e vetëm, ende të pagjetur, Albion Kumnova”, ka thënë Nysrete Kumnova.

Ajo ka folur edhe për dënimin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq nga Gjykata e Hagës, me burgim të përjetshëm.

“Dje ka qenë një lajm i mirë për familjarët, gratë e Bosnjës, që Radovan Karaxhiq u dënua, mori dënimin e përjetshëm. Kështu që edhe ne si Kosovë, duhet të veprojmë njëjtë, që kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, dënim edhe ata të përjetshëm”, është shprehur ajo.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Avokati Teki Bokshi, i cili ka disa vjet që merret me çështjet që ndërlidhen me krimet e luftës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në Serbi kriminelët janë duke u amnistuar dhe mbrojtur nga pushteti në Serbi dhe nuk ka përpjekje që ata të procedohen.

“Deri tash efektet e gjykimeve të krimeve të luftës kanë qenë shumë pak me ndikim, në kuptim të procedimit të të akuzuarve apo kriminelëve të luftës, e që pritej edhe ka qenë motivi kryesor që të kenë satisfaksion familjet dhe familjarët e të dëmtuarve, por megjithatë ata sot janë të zhgënjyer”, ka thënë Bokshi.

Ibrahim Makolli- kryesues i Delegacionit të Kosovës në Negociata me Serbinë për Personat e Pagjetur, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se drejtësia ka dështuar t'i dënojë ata që kryen krime në luftën e fundit.

Ai ka fajësuar shtetin e Serbisë, duke thënë se përveç që nuk po shkëputet nga e kaluara dhe nuk po përballet me krimet, të cilat i ka kryer, i ka avancuar në pozita të larta politike dhe ushtarake ata të cilët kanë qenë ose urdhërdhënës ose edhe kryerës të krimeve.

“Pothuajse me gishtat e një dore i numëron ata të cilët janë gjykuar edhe janë dënuar për krime të luftës. Kjo dëshmon edhe njëherë që viktimat po viktimizohen edhe më tutje në mungesë të veprimit të drejtësisë. Rasti i fundit i dënimit më burgim të përjetshëm të Karaxhiqit për krimet e kryera në Bosnje, do të duhej të shërbejë si shembull edhe për gjykimet dhe dënimet e tjera që do të duhej të ndodhnin”, ka thënë Makolli.

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:14:37 0:00

Krimet e luftës në Kosovë në shumicën e rasteve janë hetuar nga mekanizma të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, mijëra vrasje, masakra dhe dhunime, kanë mbetur pa marrë gjykimin nga organet e drejtësisë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, u vranë më shumë se 13 mijë e 500 persona. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, rreth 11 mijë janë shqiptarë, e rreth 2 mijë e 200 serbë. 20 vjet pas përfundimit të kësaj lufte, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG