Ndërlidhjet

Dënim me kusht për dy drejtorë të spitalit modular në Tetovë


Pamje e spitalit modular të Tetovës pas zjarrit.
Pamje e spitalit modular të Tetovës pas zjarrit.

Gjykata Themelore në Tetovë ka dënuar me nga 1 vit e gjysmë burgim me kusht dy drejtorët e spitalit në Tetovë lidhur me vdekjen e 14 personave nga një zjarr që kishte rënë në objektin modular më 8 shtator 2021.

Drejtori i spitalit, Florin Besimi, dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk do ta vuajnë dënimin nëse brenda tre vjetëve nuk e përsërisin veprën.

Viktimat e kësaj tragjedie ishin persona të prekur me sëmundjen COVID-19 dhe po trajtoheshin në objektin modular pranë spitalit të Tetovës.

Zjarri i shkaktuar nga kablloja elektrike kishte shpërthyer në orët e vona të 8 shtatorit. Zjarri shkaktoi shpërthimin e bombolave të oksigjenit që shpërbenin për trajtimin e të sëmurëve.

Trupi gjykues i ka shpallur fajtorë për shkak të mosvendosjes së shenjave të informimit në hapësirat e objektit spitalor dhe të pajisjeve për shuarjen e zjarrit.

“Të pandehurit nuk kanë instaluar mjete të përshkruara për mbrojtjen nga zjarri dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pacientëve të sëmurë me COVID-19. Ata nuk kanë vepruar sipas masave dhe aktiviteteve të marrëveshjes së kredisë me Bankën Botërore. Edhe pse kanë qenë të obliguar që të kenë pajisje kundër zjarrit, në ditën e lëshimit në përdorim të spitalit modular, deri në momentin e rënies së zjarrit, nuk kanë pasur mjete adekuate për mbrojtjen nga zjarri”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Jordan Velkovski.

Trupi gjykues ka liruar ndërkohë mjekun Boban Vuçevski, i cili ngarkohej me veprën penale “mosrespektim i rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Sipas mbrojtjes, të akuzuarit nuk janë fajtorë sepse nuk kanë kontribuar në tragjedi, prandaj në seancën gjyqësore kërkuan lirimin e tyre.

Ndërkohë për këtë tragjedi, spitali i Tetovës është dënuar me 1 milion denarë (15.000 euro) për “rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Në zbardhjen e shkaqeve të zjarrit kanë ndihmuar edhe ekspertë nga Gjermania, të cilët kishin konstatuar se shkaktar i zjarrit ka qenë një qark i shkurtër në një kabllo zgjatuese.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, disa ditë pas ngjarjes kishte kërkuar edhe ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për hetimin e shkaqeve të zjarrit.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që kishte shkaktuar reagime e protesta të shumta, më 10 shtator 2021 kishte dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG