Ndërlidhjet

Demokratët synojnë të mbrojnë hetimet e Muellerit përmes legjislacionit


Demokratët kanë rritur presionin ndaj ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm amerikan, Matthew Whitaker, duke i kërkuar atij që të qëndrojë larg hetimeve të Këshilltarit Special, Robert Mueller, lidhur me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Ata po ashtu kanë thënë të jenë zotuar për ta urdhëruar atë që të dëshmojë në vitin e ardhshëm.

Përfaqësuesi, Jerrold Nadler, që pritet të jetë në krye të Komitetit Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësuesve ka thënë të dielën se Komiteti planifikon t’i bëjë ftesë për dëshmi Whitakerit, duke e vendosur të parin në listën e dëshmitarëve.

“Ai duhet të qëndrojë larg hetimeve. Ai ka shprehur armiqësi të plotë ndaj hetimeve”, ka thënë Nadler për një emision televiziv në ABC News.

“Emërimi i tij është pjesë e sulmeve në hetimet e Robert Muellerit”.

Lideri i pakicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer ka thënë se partia e tij demokrate është duke synuar që të prezantojë një projektligj që do të mbronte hetimet lidhur me supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, dhe ndonjë lidhje të mundshme në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Duke folur në emisionin televiziv në CNN, “State of the Union”, Schumer ka thënë se partia e tij mund të vendosë një masë për të mbrojtur Këshilltarin e Përgjithshëm, Robert Mueller dhe të miratojë legjislacionin në rast se ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Matt Whitaker nuk e përjashton veten nga mbikëqyrja e hetimeve.

“Nëse ai qëndron aty, ai do të krijojë një krizë kushtetuese duke penguar apo shkarkuar Muellerin. Kështu që Kongresi duhet të veprojë”, ka thënë ai.

“Ne demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat do të tentojmë të miratojmë një legjislacion, që do t’i ndalonte Whitakerit ndërhyrjen në hetimet e Muellerit”, ka shtuar ai.

Në një letër dërguar shefit për Etikë në Departamentin e Drejtësisë, Schumer, liderja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe disa demokratë tjerë kanë kërkuar informacion nëse prokurorët për etikë në Departamentin e Drejtësisë kanë këshilluar Whitaker për të shfuqizuar kompentencat e tij në këto hetime dhe kanë kërkuar detaje lidhur me ndonjë udhëzim të mundshëm që mund të ketë marrë Whitaker.

“Duke lejuar një kundërshtar të zëshëm të hetimeve që t’i mbikëqyrë po ato, do të rezultojë me dëmtim të besimit publik në punën e Departamentit në këtë çështje shumë kritike”, është thënë në letër.

Demokratët kanë qenë tejet të shqetësuar lidhur me hetimet prej javës së kaluar, kur presidenti amerikan, Donlad Trump ka urdhëruar Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions të japë dorëheqje dhe të zëvendësojë pozitën e tij me Whitaker, që deri në atë kohë ka shërbyer si shef i stafit të Sessions-it.

Largimi i Sessions i ka hapur rrugën Whitaker për të fituar qasje në hetimet e Muellerit, i cili është emëruar si këshilltar i pavarur për të nisur hetimet rreth çështjes ruse në vitin 2017.

Para se të punonte në Departamentin e Drejtësisë, Whitaker ka bërë një varg komentesh negative për hetimet e Muellerit.

Kellyanne Conway, kështilltare e Trumpit ka mbrojtur mbikëqyrjen e Whitakerit në hetime, kur është pyetur për një gjë të tillë në një transmetim televiziv në ABC.

“Komentet që ka bërë Matt Whitaker si qytetar privat nëpër televizione nuk e diskualifikojnë atë nga të qenit i drejtë dhe i paanshëm në mbikëqyrjen ehetimeve”.

Ajo ka shtuar se Trump është “100 për qind mbrapa Matt Whitakerit”.

Megjithatë, presidenti amerikan ka mohuar të ketë diskutuar hetimet e Muellerit me Whitaker para se ta emëronte në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm javën e kaluar.

Ndërkohë presidenti amerikan ka thënë vazhdimisht se ka autoritet për të shkarkuar Muellerin, këshilltar i pavarur i zgjedhur nga Departamenti i Drejtësisë, si dhe i ka cilësuar hetimet e tij si “gjueti shtrigash”.

Përveç tjerash, Trump është ankuar vazhdimisht se Sessions nuk ka bërë asgjë për të frenuar këto hetime.

Vendimi i Trumpit është kundërshtuar nga demokratët dhe ka nxitur mbajtjen e protestave në rrugë një javë më parë.

Qindra protestues kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha në Shtetet e Bashkuara më 8 nëntor duke kërkuar mbrojtje të Këshilltarit Mueller.

Disa persona në Nju Jork kanë mbajtur mbishkrime në të cilat thuhej “Askush mbi ligjin” dhe “Duart larg Muellerit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG