Ndërlidhjet

Demokratët “po i bien në qafë” Trumpit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë i kritikoi fuqishëm demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për nisjen e, siç tha, hetimeve “të turpshme” për pengimin e dyshuar të drejtësisë dhe për shpërdorim të dyshuar të pushtetit nga ana e disa aleatëve më të afërt të presidentit Donald Trump.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se demokratët “po i bien në qafë” Trumpit.

Komentet vijnë pasi Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, u dërgoi letra të hënën 81 individëve dhe entiteteve, në kuadër të një hetimi të gjerë të lidhjeve të mundshme të Shtëpisë së Bardhë me Rusinë.

Në mesin e tyre gjenden ndihmës të presidentit Trump dhe të fushatës së tij, anëtarë të familjes së tij, bashkëpunëtorë në biznes dhe të tjerë.

Kryetari i Komitetit për Drejtësi, demokrati Jerry Nadler, tha se është “obligim” i Kongresit që të ofrojë kontroll mbi “abuzimet e pushtetit” nga ana e Shtëpisë së Bardhë.

Nadler po ashtu tha se “është shumë e qartë” se presidenti e ka penguar drejtësinë. Por, në një intervistë për ABC News ai tha se është shumë herët të flitet për largimin e presidentit nga zyra.

Trump i hodhi poshtë hetimet e Nadlerit, duke i cilësuar si “mashtrim politik”, por tha se “do të bashkëpunojë gjatë gjithë kohës me secilin”.

Demokratët, të cilët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar, janë zotuar se do të hapin hetime ndaj presidentit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë se pesë komitete të Dhomës së Përfaqësuesve po i hetojnë aktualisht përpjekjet e pretenduara të Rusisë për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në SHBA, kthimet tatimore të presidentit dhe konfliktet e mundshme të interesit që përfshijnë familjen Trump.

Këto hetime zhvillohen pavarësisht atyre të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili pritet të paraqesë raportin e tij së shpejti.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha përmes një deklarate se Nadler ka hapur “hetime të turpshme dhe abuzive ndaj akuzave të lodhura dhe të rreme, të hetuara tashmë nga këshilltari i posaçëm dhe komitetet e të dyja dhomave të Kongresit”.

"Frikësimi dhe keqpërdorimi i shtetasve amerikanë është i turpshëm. Demokratët po i bien në qafë presidentit për të larguar vëmendjen nga agjenda e tyre radikale, për ta bërë Amerikën një vend socialist”, tha Sanders.

Trump vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim midis fushatës së tij dhe Moskës, ndërsa Kremlini e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-së.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG