Ndërlidhjet

Kompensimi i të gjitha dëmeve nga vërshimet, i pamundur


Vërshimet në fshatin Vragoli, janar 2021.
Vërshimet në fshatin Vragoli, janar 2021.

Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e ditëve të fundit në Kosovë ende nuk është bërë, thonë në Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një takimi virtual të enjten me kryetarët e komunave të prekura nga vërshimet, ka kërkuar nga këta të fundit që të bëjnë sa më shpejt vlerësimet e dëmeve.

"Dëmet janë të mëdha dhe do të jetë vështirë edhe për buxhetin e komunës edhe për buxhetin qendror të kompensohen të gjitha. Të identifikohen familjet në gjendje të rëndë sociale që e kanë të pamundur të intervenojnë në sanimin e dëmëve që ju janë bërë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Hoti.

Fondi emergjent, sipas kryeministrit në detyrë Hoti, do të themelohet nga rezervat shtetërore dhe gjatë javës së ardhshme, pasi që të vijnë vlerësimet e dëmeve nga komunat, mund të merren edhe vendime për shpërndarjen e mjeteve.

Ndërkohë, komunat e Kosovës të cilat janë prekur nga vërshimet gjatë ditëve të fundit, kanë krijuar komisionet për evidentimin e dëmeve, të cilat janë shkaktuar tek ekonomitë familjare, bizneset, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Dëmet konsiderohen të mëdha, por për vlerën e saktë të tyre mund të dihet pas disa javësh, pasi që këto komisione të përfundojnë evidentimin.

Komunat kanë nisur vlerësimin e dëmeve

Në një nga komunat e Kosovës, e cila ka pësuar dëme të mëdha, është Komuna e Vushtrrisë. Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se janë rreth 500 shtëpi të dëmtuara dhe mijëra hektarë tokë, si dhe ka edhe dëmtime të tjera të cilat do të evidentohen.

“Sot kemi filluar evidentimin. Ky proces do të marrë kohë dy deri tri javë, dëmet janë enorme edhe tek ekonomitë familjare edhe te të mbjellat bujqësore. Me mijëra hektarë kanë qenë të mbuluara nga uji. Vushtrria është goditur nga vërshimet më të mëdha që nga viti 1979. Ato shtëpi janë dëmtuar ndoshta pakthyeshëm dhe janë shkatërruar pasuritë e qytetarëve”, tha Tahiri.

Ai shtoi se është e domosdoshme ndërhyrja e nivelit qendror në aspektin financiar, pasi që komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i kompensuar pasuritë e qytetareve që u shkatërruan nga vërshimet.

Buxheti i Komunës së Vushtrrisë për vitin 2021 është afër 19 milionë euro.

Buxhetet komunale nuk arrijnë t'i kompensojnë dëmet

Edhe në Komunën e Fushë Kosovës, e cila është goditur në masë të madhe nga vërshimet, ka filluar vlerësimi i dëmeve, tha zëdhënësi i kësaj komune, Ali Topalli.

Sipas tij, pas evidentimit të dëmeve, do të shohin format dhe mundësitë e kompensimit për qytetarët.

“Kemi familje të evidentuara që u janë shkaktuar dëme të mëdha, por nuk dihet ende vlera e dëmeve. Së bashku me Qeverinë e Kosovës do të shohim si do të bëhet edhe kompensimi. Dëmet janë të mëdha, për atë kemi kërkuar edhe ndihmën e qeverisë”, tha Topalli për Radion Evropa e Lirë.

Për dëmet që janë shkaktuar në bujqësi, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, gjatë një vizite që iu bëri disa fermerëve, deklaroi se këto dëme do të kompensohen.

“Fatkeqësisht, një numër i madh i fermerëve është dëmtuar. Do të bëjmë një përmbledhje përfundimtare dhe do të nxjerrim një vendim për kompensim financiar të këtyre dëmeve”, u shpreh Mustafa.

Dëmet nga vërshimet janë shkaktuar edhe në komuna tjera, si në Komunën e Gjakovës, Klinës, Obiliqit, Prishtinës e të tjera.

Zëdhënësja e Komunës së Gjakovës, Nita Efendiu-Brovina, tha për Radion Evropa e Lirë se dëmet e shkaktuara nga vërshimet, nuk do të mund të kompensohen pa ndihmën qeverisë.

“Ekipet janë në terren dhe po vlerësojnë dëmet. Javën tjetër do të dalim me një shifër të saktë. Na duhet ndihma e qeverisë, pasi që nuk është paraparë një situatë e tillë në planifikimet buxhetore. Rishikimi i buxhetit është në muajin shtator dhe të gjitha mjetet e planifikuara janë të destinuara”, tha ajo.

Nuk ka Fond emergjent

Dëme të mëdha nga vërshimet janë shkaktuar edhe në Komunën e Malishevës.

Zëdhënësi i kësaj komune, Artan Paçarizi, tha për Radion Evropa e Lirë se për kompensimin e dëmeve do t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës, pasi që komuna nuk ka Fond emergjent.

“Komisioni është duke punuar në evidentimin e dëmeve. Aktualisht, nuk mund të spekulojmë në vlera për dëmet, por mund të them se ka dëme në ekonomitë familjare, në biznese, në bujqësi dhe në infrastrukturë dhe këto dëme janë të konsiderueshme”, tha Paçarizi.

Shtëpi të përmbytura nga vërshimet

Shumë rajone të Kosovës janë vërshuar në ditët e fundit, si pasojë reshjeve të shiut dhe borës. Disa shtëpi janë përmbytur në këto rajone. Uji ka depërtuar brenda shtëpive duke shkaktuar dëme të mëdha në amvisëri dhe gjëra tjera.

Përmbytjet lënë jashtë shtëpive shumë familje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Familje të shumta janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa familje, shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga uji. Këta familjarë shpresojnë te ndihma institucionale.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG