Ndërlidhjet

Pelosi takohet me Zelenskyn në Kiev  


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 1 maj 2022.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 1 maj 2022.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë.

Zelensky postoi një video më 1 maj nga takimi me Pelosin.

“Ne besojmë se po ju vizitojmë për t’iu thënë faleminderit për luftën tuaj për liri”, i tha Pelosi Zelenskyt.

“Ne jemi në kufirin e lirisë dhe lufta juaj është për të gjithë. Angazhimi ynë është të jemi aty për ju derisa të përfundojë lufta”, shtoi ajo.

Pelosi arriti në kryeqytetin ukrainas më 30 prill së bashku me një delegacion që përfshin anëtarë të Dhomës, Jason Crow (Demokrat nga Kolorado), Jim McGovern (Demokrat nga Masaçusets) dhe Adam Shift (Demokrat nga Kalifornia).

Kjo vizitë është e paparalajmëruar dhe vjen në kohën kur SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë shtuar përpjekjet për t’i dërguar ndihmë ushtarake dhe mbështetje tjetër për Ukrainën.

Takimi i delegacionit amerikan me zyrtarët ukrainas në Kiev më 1 maj 2022.
Takimi i delegacionit amerikan me zyrtarët ukrainas në Kiev më 1 maj 2022.

Pelosi tha se delegacioni ka "përcjell mesazhin se ndihma amerikane është duke ardhur".

Presidenti amerikan, Joe Biden, javën e kaluar i kërkoi Kongresit që të miratojë një paketë të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 33 miliardë dollarësh.

Zelenksy postoi në Twitter: "SHBA-ja po udhëheq mbështetjen e fuqishme për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus".

Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, më 1 maj vizitoi Pekinin për të pyetur Kinën që të ofrojë garanci të sigurisë si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të ardhshme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Ukraina aktualisht po studion mundësitë për të marrë garanci të sigurisë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe fuqitë e tjera të mëdha”, tha Kuleba për mediat kineze.

Kombet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të aranzhuar evakuimin e civilëve nga qytetin ukrainas i Mariupolit, teksa luftimet dhe bombardimet po vazhdojnë në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës.

Zëdhënësi i OKB-së, Savino Abreu, u tha gazetarëve në Zaporizhja të Ukrainës se negociatat për evakuimin e civilëve nga Mariupoli po mbahen në Moskë dhe Kiev, por ai tha se nuk mund të raportojë për përparim “për shkak të kompleksitetit të operacionit”.

OKB-ja beson se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.

Moska më 1 maj pretendoi, pa dhënë asnjë dëshmi, se forcat ukrainase në rajonin jugor të Hersonit, kanë granatuar zona të civilëve dhe kanë shkaktuar viktima.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse kanë nisur sulme përgjatë kufijve të rajonit Herson dhe duket se po ia mësyjnë qyteteve të Mikolajivit dhe Kirvi Rih.

Rusia më 30 prill kreu sulme me raketa në pistën e aeroportit të Odesës, qytetit të tretë më të madh ukrainas dhe një qytet i rëndësishëm në Detin e Zi. Ushtria ukrainase tha se sulmet kanë bërë që aeroporti në Odesa të jetë i papërdorshëm. Ndërkaq, guvernatori i këtij qyteti tha se sulmi ishte nisur nga Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG