Ndërlidhjet

Shoqëria civile kërkon transparencë për Fondin e Sigurisë


Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Katër organizata joqeveritare kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që të bëjnë publike informacionet që lidhen me Fondin e Sigurisë.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në mars të vitit 2022 për themelimin e Fondit të Sigurisë, ku qytetarët dhe donatorët e ndryshëm mund të kontribuojnë për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në proces të transformimit në ushtri.

Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes një reagimi të përbashkët, thanë se në këtë rast ka të bëjë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilat më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes.

Informacionet për Fondin e Sigurisë janë konfidenciale, në bazë të një vendimi të tashmë ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli. Në vendimin e tij ishte thënë se këto donacione janë të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t'i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Por, organizatat joqeveritare thanë se klasifikimi i këtyre të dhënave është bërë me Ligjin tashmë të shfuqizuar për klasifikimin dhe verifikimin e sigurisë.

Katër organizatat e shoqërisë civile, thanë se donacionet në Fondin e Sigurisë bëhen në mënyrë vullnetare dhe prandaj paratë e mbledhura “konsiderohen para publike [Neni 2 i Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë]”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës [neni 120.1.] ka përcaktuar se ‘shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”. Ndërsa, Ligji Nr.06/L-081 për qasje në dokumente publike [neni 17.3.3.1] ka përcaktuar se ‘Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse: 3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike’”, u tha në reagim.

Mosbërja publike e këtyre të dhënave, sipas shoqërisë civile është dëshmi “e fortë e mungesës së transparencës së Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“Ne ftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politike”, u tha në reagim.

OJQ-të paralajmëruan se do të iniciojnë procedura gjyqësore nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim, siç thanë, meritor për këtë rast.

Disa orë pas reagimit të organizatave të shoqërisë civile, Agjencia për Informim dhe Privatësi, tha se sipas ligjit, ky institucion nuk ka kompetencë të deklasifikojë informatat e klasifikuara publike, “por mund të bëjë vetëm inicimin e procedurës për de-klasifikim”.

Nga AIP tha se sa i përket kërkesës së dërguar nga shoqëria civile lidhur me Fondin e Sigurisë, agjencia “është në komunikimin me institucionin përgjegjës në lidhje me trajtimin e kërkesës së adresuar”.

Në korrikun e vitit të kaluar, Ministria e Financave, që menaxhon mjetet e Fondit, kishte deklaruar se mjetet e mbledhura “janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes”, por nuk tregoi se cilat institucione e kanë këtë të drejtë.

Ky hap nga organizatat e shoqërisë civile vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë sisteme kundërtanke, Javelin, në vlerë prej 75 milionë eurosh. Që blerja e tyre të finalizohet, duhet të marrë mbështetjen e Kongresit amerikan.

Shitja e këtyre armëve, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh.

Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG