Ndërlidhjet

Debat kaotik mes republikanëve, pa Trumpin


Kandidatët republikanë për president të SHBA-së në debatin e dytë për fushatën presidenciale të SHBA-së 2024, më 27 shtator 2023.
Kandidatët republikanë për president të SHBA-së në debatin e dytë për fushatën presidenciale të SHBA-së 2024, më 27 shtator 2023.

Rivalët republikanë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump janë përplasur në një debat presidencial kaotik.

Ata kanë debatuar për Trumpin, presidentin aktual, Joe Biden, politikat për Kinën, imigrimin dhe ekonominë.

Mirëpo, pas përfundimit të debatit, asnjëri prej shtatë kandidatëve për ta fituar nominimin e republikanëve për president, nuk i ka ndryshuar dinamikat e dominimit të Trumpit, pavarësisht se ky i fundit përballet me katër padi penale – të cilat nuk janë përmendur thuajse fare përgjatë debatit dyorësh.

Trump, i cili, sipas sondazheve, gëzon 37 për qind më shumë përkrahje sesa rivali i tij më i afërt, nuk ka marrë pjesë as në debatin e dytë.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, e ka nisur përgjigjen e parë në debat për ta kritikuar Trumpin për mungesë dhe për rritjen e borxhit kombëtar për triliona dollarë.

“Ai do të duhej të ishte sot këtu”, ka thënë DeSantis.

Deklarata e tij është duartrokitur nga audienca në librarinë presidenciale të Ronald Reaganit në Kaliforni.

“Ai ju ka borxh juve një deklarim për këtë gjë”.

DeSantis, mbështetja ndaj të cilit ka rënë shpejt prej kur është parë si alternativë kryesore e Trumpit, së fundi është treguar më i gatshëm për ta sulmuar këtë kundërkandidat pas disa muajve të shmangies së konfrontimit të drejtpërdrejtë.

Ish-guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie, kritik i ashpër i Trumpit, ka thënë se Trumpi është i “frikësuar” dhe është tallur me të për shmangie të debatit.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka bërë kritika më të buta ndaj Trumpit në synimin e tij për ta centralizuar pushtetin, andaj ka thënë se dëshiron që t’ua kthejë autoritetin sërish shteteve.

Ish-ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë se Trumpi është nisur me qasje të gabuar ndaj Kinës, duke u fokusuar në tregti dhe jo në çështje më të gjera lidhur me sigurinë.

Biden, president aktual dhe kandidat për ta fituar edhe një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka qenë shpesh shënjestër e republikanëve, duke u kritikuar për menaxhim të ekonomisë dhe kufirit jugor me Meksikën.

Por, edhe pas një debati të ashpër, shumica e kandidatëve kanë përfunduar me mbështetje njëshifrore, sipas sondazheve.

Sikurse në debatin e parë në gusht, sipërmarrësi Vivek Ramaswamy, është kritikuar ashpër nga kundërshtarët e tij me më shumë përvojë.

“Secilën herë që të dëgjoj, ndihem pak budallaqe”, i ka thënë Haley Ramaswamyt pasi ky i fundit e ka mbrojtur idenë e hapjes së TikTok-ut, platformës kineze, për të cilën zyrtarët amerikanë frikësohen se ekzistojnë rreziqe për sigurinë.

Ramaswamy ka thënë se e përdor aplikacionin për t’i pasur më afër votuesit e rinj.

Në segmentin e fundit të debatit, moderatorja Dana Perino, ka thënë se nominimi i Trumpit është i pashmangshëm, për aq kohë sa të mos ketë unitet në mesin e kandidatëve tjerë.

“Sondazhet nuk i zgjedhin presidentët, votuesit i zgjedhin presidentët”, i është përgjigjur DeSantis.

Disa minuta para se të niste debati, Trump e ka mbajtur një fjalim para prodhuesve të makinave në Miçigan, duke e përfshirë veten në një konflikt mes sindikatave të punëtorëve të këtij sektori me shtetin, me kërkesë për rritje pagash dhe përfitime tjera.

“Ata të gjithë janë kandidatë për punë”, ka thënë Trump për shtatë kandidatët në debat.

“A po e sheh ndonjëri ndonjë nënpresident në grup? Unë jo”.

Duke mos marrë pjesë në asnjërin debat, ish-presidenti ka dhënë shenja se është i fokusuar në Bidenin - kundërshtar në të kaluarën, e potencialisht edhe në të ardhmen – dhe jo në rritjen e mbështetjes mes republikanëve.

Moderatorët nuk i kanë pyetur kandidatët për problemet ligjore të Trumpit.

Biznesmeni 77-vjeçar, i kthyer në politikan, është paditur për katër raste të ndryshme penale dhe të martën, një gjykatës i shtetit të Nju Jorkut ka gjetur se ai ka kryer mashtrime për ta rritur vlerën e aseteve të tij biznesore.

Teksa jemi më pak se katër muaj para garës së parë për nominimet republikane, rivalët e Trumpit nuk janë duke shënuar sukses në zvogëlimin e ndikimit të tij.

Fokusi te imigrimi

Të gjithë kandidatët janë zotuar se do të jenë të ashpër ndaj migrimit dhe e kanë kritikuar administratën e Trumpit se ka dështuar që ta menaxhojë krizën me migrantë.

Për pasojë, sipas tyre, është shënuar rekord i migrimeve të paligjshme në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

DeSantis është zotuar se do ta angazhojë ushtrinë amerikane kundër karteleve meksikane, derisa Ramaswamy ka thënë se do të tentojë ta pezullojë të drejtën e migrantëve të paligjshëm që çdo fëmijë i lindur në tokën amerikane mund ta fitojë shtetësinë.

Edhe kur është pyetur për grevën e punëtorëve për prodhim të makinave, senatori Tim Scott e ka përmendur Bidenin.

“Biden duhet të jetë te kufiri jugor dhe ta mbyllë atë kufi sepse është i pasigurt, i hapur dhe ka rezultuar me vdekjen e 70.000 amerikanëve në 12 muajt e fundit për shkak të fentanolit”.

Shumica e kandidatëve kanë shprehur mbështetje për vazhdim të ndihmës për Ukrainën, ndonëse DeSantis ka thënë se nuk do të ofronte ndihmë “verbërisht”.

Ramaswamy, i cili ka thënë se do zvogëlonte ndihmën, ka paralajmëruar se përkrahja ndaj Ukrainës është duke e afruar Rusinë edhe më shumë me Kinën.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG