Ndërlidhjet

DASH pas arrestimit të Metës: Mbështesim përpjekjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit


Ndërtesa e DASH-it në Uashington. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e DASH-it në Uashington. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni mbështet përpjekjet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit në Shqipëri (SPAK).

Kështu tha një zëdhënës i DASH-it për Zërin e Amerikës në kërkesën për të komentuar arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Meta, që udhëheq Partinë e Lirisë, u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut. Ai dyshohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Partia e Lirës dhe subjekti tjetër opozitar, Partia Demokratike, e kanë cilësuar si politik arrestimin e Metës.

Meta ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në hierarkinë shtetërore si president, kryetar Kuvendi, kryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë.

Arrestimi i tij nxiti reagime të mëdha në Shqipëri, pasi partia e tij tha se ai u arrestua me forcë.

Policia dhe ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, arsyetuan përdorimin e forcës gjatë arrestimit të Metës, pasi thanë se ish-presidenti kishte refuzuar të dilte nga makina me të cilën po udhëtonte dhe kishte ofenduar zyrtarët policorë.

Çfarë tha SPAK-u?

SPAK theksoi më 21 tetor se Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme tha se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Prokuroria tha se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Mes tjerash, SPAK tha më 21 tetor se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M), duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.

Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë, tha SPAK-u.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.

Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG