Ndërlidhjet

Danimarka thotë se në burgun e Gjilanit do të dërgojë të burgosur të dënuar me dëbim


Burgu i Gjilanit, Kosovë.
Burgu i Gjilanit, Kosovë.

Ministria e Drejtësisë e Danimarkës ka thënë për Radion Evropa e Lirë të premten se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në një burg të Gjilanit, në përputhje me marrëveshjen me Kosovën për burgjet, janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi në maj marrëveshjen për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg me 300 qeli në qytetin jugor të vendit.

“Sipas traktatit mes Danimarkës dhe Kosovës, Danimarka do ta marrë me qira burgun e Gjilanit në Kosovë. Burgu ka hapësirë për 300 të burgosur. Ky burg është i planifikuar për personat e dënuar me dëbim”, tha Ministria daneze në një përgjigje me shkrim për REL-in.

Ajo konfirmoi gjithashtu se, sipas traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte, e as të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore.

Shoqëria civile në Kosovë dhe në Danimarkë është shprehur e shqetësuar për shkelje të mundshme të të drejtave të burgosurve nga të dyja shtetet.

“Sipas traktatit, të burgosurit duhet patjetër t’i kryejnë dënimet e tyre në kushte të njëjta sic do t’i kishin kryer në një burg danez, përfshirë kushtet fiziket në përputhje me kushtet në një burg danez”, sipas Ministrisë daneze.

Ministria tha se për këtë arsye, burgu i Gjilanit duhet të rinovohet para se të futet në përdorim, në mënyrë që të jetë i ngjashëm me burgjet daneze.

Rinovimi duhet të fillojë pas ratifikimit të marrëveshjes, sipas traktatit mes dy vendeve.

Danimarka pret që burgu në Gjilan të jetë i gatshëm për përdorim rreth dy vjet pas ratifikimit të traktatit, diku në vitin 2026.

“Autoritetet kosovare duhet të sigurohen që kryerja e dënimeve të bëhet në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Danimarkës. Danimarka është e detyruar të sigurohet për këtë”, thuhet në përgjigje.

Si duken qelitë e Kosovës që i huazoi Danimarka?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Kosova do t’i përfitojë rreth 200 milionë euro nga kjo marrëveshje, të cilat do t’i shpenzojë për Shërbimin Korrektues të vendit dhe për energjinë e ripërtërishme.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë kanë thënë më herët për REL-in se nuk ka vend për t’u shqetësuar për situatën e sigurisë nga ardhja e të burgosurve nga Danimarka. Por, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kanë thënë se ky transferim mund të ndikojë në standardin e të burgosurve lokalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG