Ndërlidhjet

Danimarka rrit kontrollet kufitare pas djegieve të Kuranit


Një protestues duke e djegur Kuranin në Suedi më 28 korrik 2023. Fotografi ilustruese.
Një protestues duke e djegur Kuranin në Suedi më 28 korrik 2023. Fotografi ilustruese.

Policia e Danimarkës është duke shtrënguar kontrollet kufitare pas djegieve të fundit të Kuranit, të cilat kanë ndikuar në situatën e sigurisë, ka thënë Ministria e Drejtësisë në këtë shtet.

Vendim të ngjashëm ka marrë edhe Suedia më herët gjatë javës.

Aktivistët kundër-islamit në Danimarkë dhe Suedi i kanë dëmtuar dhe djegur disa kopje të Kuranit – libër i shenjtë për myslimanët – dhe diçka e tillë e ka zemëruar botën myslimane dhe janë rritur kërkesat që qeveritë t’i ndalojnë këto veprime.

“Autoritetet besojnë se është e nevojshme në këtë kohë që ta rrisim fokusin se kush hyn në Danimarkë, në mënyrë që t’iu përgjigjemi kërcënimeve specifike”, ka thënë Ministria e Danimarkës përmes një deklarate.

Kontrollet më të ashpra kufitare do të zbatohen fillimisht deri më 10 gusht.

“Djegiet e fundit të Kuranit, siç kanë thënë edhe zyrtarët e sigurisë, kanë ndikuar në situatën aktuale të sigurisë”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, përmes një deklarate.

Si Danimarka, ashtu edhe Suedia, i kanë dënuar aktet e djegies së Kuranit dhe kanë thënë se janë duke shqyrtuar mundësinë e hartimit të ligjeve të reja që do të ndalonin diçka të tillë.

Mirëpo, kritikët kanë thënë se vendime të tilla e rrezikojnë lirinë e shprehjes, që u garantohet qytetarëve me kushtetutë.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si fjalë të Zotit dhe dëmtimi i qëllimshëm i librit është shumë ofendues për ta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG