Ndërlidhjet

Ministria e Jashtme konfirmon se i ndaluari në Horgosh është shtetas i Kosovës

E përditësuar

Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se personi i ndaluar të shtunë nga autorietet e Serbisë, është shtetas i Kosovës, dhe është në dijeni për rastin.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se në pikëkalimin kufitar mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, është arrestuar një person me inicialet M.I., nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile, në qershor të vitit 1999 në Prishtinë.

Përveç këtij rasti, Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se më herët gjatë ditës, autoritetet serbe kanë marrë në pyetje një zyrtar të Policisë së Kosovës në pikëkalimin në Merdare, por që ndërkohë ai është liruar.

"Lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet", ka thënë ministria përmes një postimi në Facebook

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, i ndaluari M.I., së bashku me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kryer krime lufte përmes përdorimit të forcës fizike, armëve dhe kërcënimeve ndaj banorëve të nacionalitetit serb, të cilët, sipas tij, janë dërguar më pas nëpër burgje të improvizuar dhe janë maltretuar.

Me urdhër të Zyrës së Prokurorit, është thënë se i ndaluari do të jetë për 48 orë në mbajtje.

Daçiq ka thënë se për shkak të hetimeve që po kryhen, nuk mund të japë më shumë hollësi.

Në të kaluarën janë arrestuar disa herë shtetas të Kosovës, nën pretendime të tilla.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto ndalime si arbitrare dhe të padrejta dhe kërkojnë ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG