Ndërlidhjet

Daçiq thotë se kërkesa e Listës Serbe kërkon reagim të shtetit


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka vlerësuar se kërkesa e Listës Serbe drejt Qeverisë së Serbisë për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës si organizatë terroriste është një mesazh politik që kërkon një reagimi nga shteti i Serbisë.

Daçiq tha për televizionin B92 më 3 korrik se qëllimi i Prishtinës është që disa organizata të caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe shpërngulje të serbëve nga ajo zonë.

“Kjo hap gjuetinë për serbët, ata mund të shpallin terroristë të gjithë njerëzit tanë në veri të Kosovës”, tha Daçiq.

Kërkesa e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit se në veri të Kosovës janë identifikuar 45 persona të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Daçiq pyeti nëse Beogradi duhet të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve, që sipas tij, kanë “demonstruar kundër Serbisë me vite”.

“A është kjo rruga drejt normalizimit? Mendoj se serbët kanë të drejtë t’i shprehin pikëpamjet e tyre politike”, tha Daçiq.

Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet. Kurti deklaroi më 3 korrik se autoritetet kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.

Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.

Bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ulin tensionet dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG