Ndërlidhjet

Dënohen me 82 vjet burg sulmuesit e Ziadin Selës


Protestuesit kishin hyrë në ambientet e Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, duke sulmuar deputetët.
Protestuesit kishin hyrë në ambientet e Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, duke sulmuar deputetët.

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 82 vjet burg shtatë të akuzuarit për tentim-vrasje të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, më 27 prill të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë.

Nikolla Vojmovski është dënuar me 13 vjet e gjashtë muaj burg ndërsa me nga 13 vjet Kire Georgievski dhe Aleksandar Janevski-Toshta. Me nga 10 vjet burg e gjashtë muaj janë dënuar Andrej Micov, Nikollce Dimitrievski, Oliver Oshakovski dhe Kosta Dellov.

“Të akuzuarit ditën kritike më 27 prill, pas ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend me paramendim kishin tentuar të likuidojnë Ziadin Selën.. të gjithë të akuzuarit kishin role të veçanta… vepra është e rëndë edhe për faktin se sulmi është bërë ndaj institucionit ligjvënës, përkatësisht Ziadin Selës, i cili në momentin e sulmit ishte në vendin e punës”, ka deklaruar gjykatësja Sllavica Andreevska.

(Video nga arkivi: Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, 27 prill, 2017)

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Prokurori i lëndës kërkoi që të gjithë të dënuarve t’iu vazhdohet paraburgimi deri sa vendimet të bëhen të plotfuqishme, pasi pala mbrojtëse ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Pala mbrojtëse ka theksuar se të dënuarit nuk kanë qenë në lidhje mes tyre apo se nuk janë njohur më parë që të akuzohen si grup për rastin në fjalë. Sipas mbrojtjes, ata nuk kishin në plan të vrasin Ziadin Selën, por vetëm se të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj zhvillimeve politike, përkatësisht zgjedhjes së kryetarit shqiptar të Kuvendit.

Për dhunën në Kuvend janë zhvilluar edhe dy procese tjetër gjyqësor. Për dhunën ndaj Radmilla Sheqerinskës, ish-deputete e LSDM-së në kohën e trazirave, Pançe Angellov është dënuar me katër vjet burg.

Një ditë pas sulmit në Kuvend, tetë persona të tjerë ishin arrestuar, ndërsa më pas ishin dënuar me nga vit burg me kusht, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit vendimet i ka kthyer në burg efektiv.

Në muajin gusht është caktuar edhe një proces tjetër, që vlerësohet edhe më i rëndësishmi pasi në bankën e të akuzuarve do të gjendet edhe pesë deputetë të VMRO-DPMNE-së, të cilët kishin hapur dyert e Kuvendit për protestuesit e dhunshëm.

Megjithatë, prokuroria ende nuk ka të dyshuar kryesor për organizimin e gjithë asaj që kishte ndodhur në Kuvend, më 27 prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG